2013-12-10 14:55:04

Intervista e Papës Françesku me Atë Spadaron



Në vijim të intervistës me Atë Spadaron, sot Papa Françesku flet për kërkimin e Hyjit. Hyji nuk gjendet aq në siguritë dogmatike, sa në befasitë e jetës. Hyji gjendet brenda dinamikave të jetës.
Ja pyetja e Atë Spadaros për Papën:
“Nëse takimi me Hyjin në të gjitha gjërat nuk është një ‘eureka’ empirike – e pyes Papën, e nëse flasim për një proces, që lexon historinë, mund të bëhen edhe gabime...”
“Po, në këtë përpjekje për të kërkuar e për të gjetur Hyjin tek të gjitha gjërat ngelet gjithmonë një zonë pasigurie. Duhet të gjendet. Nëse dikush thotë se e ka takuar Hyjin me siguri dhe nuk ka as hijen e pasigurisë, atëherë nuk është në rregull. Sipas meje ky është një çelës i rëndësishëm. Nëse dikush e ka një përgjigje për të gjitha pyetjet, ja, kjo është prova se Hyji nuk është me të. Do të thotë se është një profet i rremë, që e përdor besimin fetar për vete. Udhëheqësit e mëdhenj të popullit të Hyjit, si Moisiu, i kanë lënë vend gjithmonë dyshimit. I duhet lënë hapësirë zotit, jo sigurive tona; duhet të jemi të përvuajtur. Pasiguria është pjesë e çdo përzgjedhjeje të vërtetë, që është e hapur ndaj miratimit të ngushëllimit shpirtëror”.
Gjatë kërkimit dhe gjetjes së Hyjit në të gjitha gjërat, rrezikohet të shtjellohet së tepërmi, rrezikohet të thuhet me siguri njerëzore dhe arrogancë: ‘Hyji është këtu’. Kështu do të gjenim vetëm një hyjni sipas masës sonë. Qëndrimi i drejtë është qëndrimi agostinian: me e kërkue Hyjin, për me e gjetë; me e gjetë, për me e kërkue gjithmonë. E shpesh herë kërkohet me kuturisje, siç lexohet në Bibël. Kjo është përvoja e etërve të mëdhenj në fe, që janë modeli ynë. Duhet rilexuar kapitulli 11 i Letrës drejtuar Hebrenjve. Abrahami u nis pa ditur ku shkonte, me anë të fesë. Të gjithë paraardhësit tonë në fe kanë vdekur duke i parë të mirat e fesë, por nga larg... Jeta nuk na është dhënë si libreti i operës, ku gjithçka është e shkruar, por ajo është me shkue, me ecë, me ba, me kërkue, me pa... Duhet të hyjmë në aventurën e kërkimit të takimit me Hyjin, dhe të lejimit të Hyjit për të na kërkuar e për të na gjetur”.
“Sepse Hyji vjen para, vjen përherë para, Hyji primerea (prin). Hyji është, në një farë mënyrë, si lulja e bajames së Sicilisë sate, Antonio, që çel e para, gjithmonë. E lexojmë tek profetët. Pra, Hyji takohet duke ecur, në udhë. Tani, dikush mund të thotë se ky është relativizëm. A është relativizëm? Po, nëse kuptohet gabim, si një lloj panteizmi i pa davaritur. Jo, nëse kuptohet sipas domethënies biblike, sipas së cilës Hyji është gjithmonë befasi dhe, prandaj, nuk e di kurrë ku dhe si e gjen, nuk je ti ai që cakton kohët dhe vendet e takimit me të. Është e nevojshme, pra, të përzgjidhet takimi. Për këtë, përzgjedhja është themelore”.
Nëse i krishteri është restauracionist, legalist, nëse gjithçka e do të qartë e të sigurte, atëherë nuk gjen asgjë. Tradita dhe kujtimi i së shkuarës duhet të na ndihmojnë të kemi guxim, për t’i hapur Hyjit hapësira të reja. Kush kërkon sot gjithnjë zgjidhje disiplinore, kush anon me tepri kah “siguria” doktrinarë, kush kërkon me kokëfortësi të ripërtërijë të shkuarën e humbur, ka botëkuptim statik dhe prapambetës. Në këtë mënyrë, feja bëhet një ndër ideologjitë e shumta. Unë kam një siguri dogmatike: Hyji është në jetën e çdo njeriu, Hyji është ne jetën e secilit. Edhe nëse jeta e dikujt ka qenë një kob, nëse është rrënuar nga veset, nga droga ose nga çdo gjë tjetër, Hyji është në jetën e tij. Ai duhet dhe mund të kërkohet tek çdo jetë njerëzore. Edhe nëse jeta e një njeriu është truall plot gjemba dhe egjër, gjendet gjithmonë një hapësirë, ku mund të rritet fara e mirë. Duhet të kemi besim te Hyji”.








All the contents on this site are copyrighted ©.