2013-12-10 14:54:40

Fushata e Karitasit kundër urisë në botë. Papa: Nuk mund të kthehemi nga ana tjetër. Po të duam, çfarë kemi nuk mbaron.


Papa e mbështet plotësisht fushatën kundër urisë në botë, që do të paraqesë sot në Romë Karitasi Ndërkombëtar, me rastin e ditës botërore të të drejtave të njeriut, me temë: Një familje e vetme – Ushqim për të gjithë. “Nuk mund të kthehemi nga ana tjetër”, “nëse ekziston vullneti, çfarë kemi nuk mbaron, përkundrazi, na tepron e nuk duhet humbur”. Kështu thotë Papa në videomesazhin, që do të jepet gjatë konferencës për shtyp. Papa u bën thirrje institucioneve dhe Kishës, që t’u japin zë atyre që vuajnë, të shmangin shpërdorimet dhe të veprojnë “si një familje e vetme”.
“Gjendemi përballë skandalit botëror të rreth një miliard, një miliard njerëzve që edhe sot e kësaj dite vuajnë urinë. Nuk mund të kthehemi nga ana tjetër e të bëjmë kinse kjo nuk ekziston. Ushqimi, që gjendet në botë, do të mjaftonte për të shuar urinë e të gjithëve”.
Këtë na e tregon “shëmbëlltyra e shumimit të bukëve dhe peshqve”, shpjegon Papa Françesku në videomesazhin e tij: po të ekzistojë vullneti, çfarë kemi nuk mbaron, përkundrazi, tepron e nuk duhet ta humbim”. Apostujt, që Jezusi i dërgoi për të kërkuar ushqim për turmën e njerëzve që kishin ardhur për ta dëgjuar, nuk gjetën tjetër, përveçse pesë bukë e dy peshq, por, me hirin e Hyjit, “arritën të shuanin urinë e të gjithëve, mblodhën edhe tepricat dhe nuk shpërdoruan asgjë”. Prandaj, thotë Papa, t’i bëjmë vend në zemrën tonë ngutjes për t’u dhënë ushqimin e duhur të gjithëve, sepse kjo është një e drejtë e caktuar nga Hyji:
Çfarë kemi duhet ta ndajmë me dashuri të krishterë me ata që janë të detyruar të përballen me shumë pengesa për plotësimin e një nevoje kaq parësore dhe, në të njëjtën kohë, të mbështesim bashkëpunimin e vërtetë me të varfrit, që, nëpërmjet fryteve të punës së tyre dhe punës sonë, të mund të jetojnë një jetë të denjë.
Pastaj ftesa e Papës i drejtohet mbarë njerëzimit, të cilit i drejtohet edhe fushata e Karitasit ndërkombëtar:
Ftoj të gjitha institucionet e botës, të gjithë Kishën dhe secilin prej nesh, si një familje e vetme njerëzore, t’u japin zë të gjithë njerëzve të cilët, në heshtje, vuajnë urinë, që ky zë të bëhet një ushtimë që mund të shkundë botën.
Por, të mbështesësh në këtë fushatë Karitasin, të pranishëm në 200 vende, do të thotë edhe, dhe Papa e nënvizon në përfundim, të ndryshosh zakonet dhe mendimet e rëndomta:
Kjo fushatë ka për qëllim të jetë edhe një ftesë për të gjithë ne, që të bëhemi më të vetëdijshëm për zgjedhjet tona ushqimore, me të cilat shpesh e shpërdorim ushqimin dhe përdorim të keq të mirat që kemi. Është, gjithashtu, edhe një shtysë për të menduar se veprimet tona të përditshme nuk duhet të kenë pasoja për jetën e atyre që, afër apo larg nesh, e provojnë urinë në lëkurën e vet.
Papa, pra, e sheh njerëzimin si një familje të vetme, të angazhuar për të gjetur ushqim për të gjithë,
Ja cili është mesazhi i plotë i Papës Françesku për “Fushatën kundër urisë në botë”, organizuar nga Karitasi ndërkombëtar:
Të dashur vëllezër e motra,
Sot ju kumtoj më gëzim “Fushatën kundër urisë në botë”, organizuar nga Karitasi Ndërkombëtar dhe ju bëj me dije se i jap tërë mbështetjen time.
Kjo konfederatë, bashkë me 164 organizatat anëtare, është e angazhuar në 200 vende e zona të botës dhe puna e tyre është në zemrën e misionit të Kishës dhe të vëmendjes së saj ndaj të gjithë atyre që vuajnë për shkak të skandalit të urisë, me të cilën Zoti u identifikua, kur tha: “Pata uri e më dhatë të ha”. Kur apostujt i thanë Jezusit se njerëzit, që kishin shkuar për ta dëgjuar, kishin uri, ai i nxiti të shkonin për të kërkuar ushqim. Meqë ata vetë ishin të varfër, nuk gjetën tjetër, përpos pesë bukëve e dy peshqve, por, me hirin e Hyjit, jo vetëm që arritën të shuanin urinë e turmës, por edhe mblodhën tepricat dhe nuk lejuan të shkonte dëm asgjë.
Gjendemi përballë skandalit botëror të rreth një miliard, një miliard njerëzve, të cilët edhe sot vuajnë urinë. Nuk mund të kthehemi nga ana tjetër e të bëjmë kinse kjo nuk ekziston. Ushqimi që gjendet në botë do të mjaftonte për të shuar urinë e të gjithëve.
Shëmbëlltyra e shumimit të bukëve dhe peshqve na jep pikërisht këtë mësim: nëse ekziston vullneti, çfarë kemi nuk mbaron, përkundrazi, tepron e nuk duhet humbur.
Prandaj, të dashur vëllezër e motra, ju ftoj t’i bëni vend kësaj ngutjeje në zemrat tuaja, duke e respektuar këtë të drejtë, që Hyji ua ka dhënë të gjithë njerëzve, për t’u ushqyer si duhet.
Të ndajmë çfarë kemi, me dashuri të krishterë, me ata që janë të detyruar të përballen me shumë pengesa, për të plotësuar një nevojë kaq parësore dhe, në të njëjtën kohë, të mbështesim bashkëpunimin e vërtetë me të varfrit, që, me anë të fryteve të punës së tyre dhe të punës sonë, të mund të jetojnë me dinjitet.
Ftoj të gjitha institucionet e botës, të gjithë Kishën dhe secilin prej nesh, si një familje e vetme njerëzore, t’u japim zë të gjithë njerëzve që vuajnë në heshtje urinë, me qëllim që ky zë të bëhet ushtimë që shkund botën.
Kjo fushatë është një ftesë për të gjithë ne, që të bëhemi të vetëdijshëm për zgjedhjet tona ushqimore, që shpesh na bëjnë ta shpërdorim ushqimin dhe të përdorim keq të mirat që kemi. Është, gjithashtu, edhe një shtysë për të menduar se veprimet tona të përditshme nuk duhet të kenë pasoja për jetën e atyre që, afër apo larg nesh, e provojnë urinë në lëkurën e vet.
Ju kërkoj, me gjithë zemër, ta mbështesni Karitasin tonë në këtë fushatë të fisme, me qëllim që të veprojmë si një familje e vetme, e angazhuar për t’u siguruar të gjithëve ushqimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.