2013-12-08 16:36:28

Papa në Sheshin e Spanjës, për të nderuar Zojën e Papërlyer: Maria na ndihmoftë ta dëgjojmë britmën e të varfërve


Sot pasdite, sipas traditës, Papa Françesku shkoi në Sheshin e Spanjës, në zemër të Romës, për të vendosur një shportë me lule të bardha e për t'u lutur në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX, më 1854. Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, ku Papa Gjon Pali II pati përuruar, më 1995, misionin qytetar në përgatitje të Jubileut të Madh të 2000-shit, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30 një zjarrfikës i dhuroi Virgjërës Mari kurorën e parë me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Lulet e para të bardha te këmbët e kësaj shtatoreje i vuri Papa Piu XII më 1957.
Ndërsa sot, te këmbët e Shtatores së Zojës të Zënë pa Mëkat, u gjunjëzua për herë të parë, Papa Françesku. Gjest feje e devocioni, të cilin bashkësia e krishterë e përsërit nga viti në vit, gati si të donte t’i ripohonte besnikërinë Asaj, që i siguron ndihmën dhe mbrojtjen amtare në të gjitha rrethanat e jetës së përditshme.
Papa u nis nga Vatikani në orën 15.45. Në orën 16.00 përshkonte rrugën e famshme romake Condotti, me një ndalesë të shkurtër në kishën e së Shenjtnueshmes Trini, për të përshëndetur anëtarët e Shoqatës së Tregtarëve të kësaj udhe.
Në orën 16.15 ishte në në Sheshin e Spanjës ku i drejtoi Zojës së Papërlyer lutjen:

Virgjër e Shenjtë, e Papërlyer,
Ty, që je nderi i popullit tonë,
e roje e kujdesshme e qytetit tonë,
të drejtohemi sot me besim e dashuri.

Ti je Bukuriplote, o Mari
E mëkat në ty nuk ka!

Ngjalle në ne dëshirën e re për shenjtëri:
në fjalën tonë shndritët drita e së vërtetës,
në veprat tona kumboftë kënga e dashurisë,
në korp e në zemër tonë banofshin pastria e dhimbsuria,
në jetën tonë qoftë e pranishme gjithë bukuria e Ungjillit.

Ti je Bukuriplote, o Mari!
Fjala e Zotit në Ty u mishërua!

Ndihmona ta dëgjojmë vëmendshëm zërin e Zotit:
britma e të varfërve të mos na lërë kurrë indiferentë,
vuajtja e të sëmurëve e nevojtarëve të mos na gjejë çkujdesur,
vetmia e pleqve e brishtësia e fëmijëve të na prekin përçast,
çdo jetë njerëzore qoftë përherë e dashur dhe e nderuar nga të gjithë.

Ti je Bukuriplote, o Mari,
Në ty është gëzimi i përsosur i jetës së lume me Zotin!

Bëj që të mos e humbasim kuptimin e shtegtimit tonë mbi tokë:
drita e fisme e fesë i ndriçoftë të gjitha ditët tona,
forca ngushëlluese e shpresës na i drejtoftë hapat,
ngrohtësia e dashurisë e gjallëroftë zemrën tonë,
sytë tanë mbetshin ngulur në Zotin, ku është gëzimi i vërtetë.

Ti je Bukuriplote, o Mari!!
Dëgjoje lutjen tonë, përmbushe dëshirën tonë:
qoftë në ne bukuria e dashurisë plot mëshirë të Zotit Jezus,
na shpëtoftë kjo bukuri hyjnore, ne, qytetin tonë, botën mbarë.
Amen!
Kremtimi vijoi me vendosjen e shportës me lule të bardha pranë shtyllës, dhuratë e Papës për Zojën e Papërlyer, me litanitë e Zojës dhe bekimin apostolik. Në përfundim të kremtimit në Sheshin e Spanjës, Ati i Shenjtë u nis drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, ku u lut për disa çaste, privatisht, para ikonës së lashtë të Zojës, Shpëtimtare e Popujve Romakë.







All the contents on this site are copyrighted ©.