2013-12-05 15:54:38

Këshilli i Kardinalëve: Papa vendos themelimin e Komisionit për mbrojtjen e fëmijëve


Dita e tretë dhe e fundit e punimeve të Këshillit të kardinajve për reformën e Kurjes Romake. Në Sallën e Shtypit të Vatikanit, përveç atë Lombardit sot ishte i pranishëm edhe kryeipeshkvi katolik i Bostonit dhe anëtari i këshillit të të tetëve, kardinali Séan Patrick O’Malley (Shon Patrik O’Malli).
Gjatë konferencës për shtyp Kryeipeshkvi i Bostonit njoftoi se Ati i Shenjtë, i këshilluar nga grupi i tetë kardinajve, ka vendosur të tregojë kujdes të veçantë ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve:
“Duke vijuar me vendosmëri linjën e ndjekur nga Papa Benedikti dhe, pasi pranoi propozimin e paraqitur nga Këshilli i Kardinajve, Papa Françesku vendosi të formojë një Komision të posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve, që do të ketë për detyrë ta këshillojë në çështje lidhur me angazhimin e Selisë së Shenjtë në mbrojtje të fëmijëve dhe për kujdesin baritor ndaj viktimave të abuzimeve”.
Ky komision, duhet të njoftojë mbi gjendjen aktuale të programeve për mbrojtjen e fëmijëve, duhet të formulojë propozime për nisma të reja nga ana e Kurjes, në bashkëpunim me ipeshkvinjtë, konferencat ipeshkvore, eprorët rregulltarë dhe konferencat e eprorëve rregulltarë; duhet të propozojë emrat e njerëzve të përshtatshëm për zbatimin sistematik të kësaj nisme të re, duke përfshirë laikë, rregulltarë, rregulltare, meshtarë me kompetenca në sigurinë e fëmijëve, në marrëdhëniet me viktimat, në çështjet e shëndetit mendor, në zbatimin e ligjeve, etj..
Përbërja dhe kompetencat e komisionit – tha kardinali – do të jepen së shpejti nga vetë Ati i Shenjtë, me hollësi të mëtejshme dhe me një dokument të posaçëm.
Duke folur për rolin e këtij komisioni, Kardinali tha:
Disa nga përgjegjësitë e mundshme të komisionit do të jenë: parashtrimi i udhëzimeve për mbrojtjen e fëmijëve, zhvillimi dhe zgjerimi i normave dhe procedurave strategjike për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimi i abuzimit me të miturit. Gjithashtu duhet të hartojë programe për formimin e fëmijëve, të prindërve, të të gjithë atyre që punojnë me të miturit, si katekistët, seminaristët, dhe meshtarët.
Duhen formuluar protokolle për sigurinë e mjedisit, për kodet e sjelljes profesionale, për kujdesin me të cilin duhet të përgatiten meshtarët e ardhshëm.
Atë Lombardi, nga ana e tij, njoftoi se puna e Këshillit të Kardinajve ka vijuar me shqyrtimin e Kongregatave të ndryshme të Kuries Romake dhe do të vijojë në po të njëjtin drejtim edhe pasdite.
Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë lajmëroi edhe datat e takimeve të shkurtit:
Është vendosur që takimi i ardhshëm i Këshillit të tetë kardinalëve do të mbahet më 17,18 dhe 19 shkurt dhe do t’i paraprijë Koncistorit të kolegjit të kardinalëve, që do të mbahet më 20 dhe 21. Më 22 shkurt do të mbahet koncistori për krijimin e kardinalëve të rinj dhe më 23 shkurt do të kremtohet mesha me kardinalët e rinj dhe kolegjin e kardinajve.
Atë Lombardi kujtoi gjithashtu se më 24 e 25 shkurt do të mblidhet edhe Këshilli i Sinodit.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth shëndetit të Papës, Atë Lombardi tha se dje Ati i Shenjtë nuk i bëri të gjitha takimet që ishin caktuar, sepse u ndje u lodhur pas audiencës së përgjithshme. Pas një pushimi të shkurtër, ka mundur të vijojë normalisht mbledhjet e pasdites.








All the contents on this site are copyrighted ©.