2013-12-05 11:50:37

Krishtlindja, në kryevepra proze: “Plaku orgurmirë” (Emisioni VI)


Vijojmë me rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” (Emisioni VI). I kushtohet fillimeve të kremtimit të Vitit të Ri në trojet tona. Po lexojmë së bashku historinë e Plakut ogurmirë e të kremtimit të tij, ashtu si kallëxohet në Lumë, marrë nga “Zakone e doke”, mbledhur nga Atë Donat Kurti ofm:

“Quhej “Plaku ogurmirë”, Plaku i Vitit të Ri, në disa vise tona veriore, ku që në thellësi të shekujve, nisi tradita e kremtimit të ditës së parë të Vitit të Ri. E edhe e Natës së fundit të vitit të vjetër, a “Nata e Plakut ogurmirë”. Ishte ajo festë, që në Gjermani kremtohej si Nata e Shën Nkollit; në Itali, si Nata e Ujit të Bekuar e pastaj, në mbarë botën, si Nata e Vitit të Ri.
Një burrë shtatlartë, i bëshem e i mençur, vishej si plak, me rrobet më të mira. Kombëtare, kuptohet. Ngjyroste fytyrën. Vinte mustaqe e vetulla të bardha, me shtëllunga leshi e bëhej njeri tjetër. Askush nuk mund ta njihte. Plaku kishte pas vetes një djalosh të pashëm e të bukur, të veshur si nuse. Merrte një bisht lope e nusen pas vetes e, i prirë nga një tupan, delte e shëtiste nëpër fshat, shtëpi më shtëpi. Të gjithë ia hapnin portat. Plaku e nusja kërcenin valle të hijshme, rrethuar nga fshatarët, që rrihnin shuplakat e qeshnin me lot. Pastaj, duke u afruar tek sheket, qypat e arkat, ku ruheshin ushqimet, u jepej çka të lypnin. Shtëpi më shtëpi, priteshin me gëzim të madh e s’mbetej njeri pa i mbushur me dhurata.
E kështu ata mblidhnin një mori dhantish e, të ngarkuar me to, ktheheshin në lagjen e e vet. Të nesërmen, me ndihmë të shokëve, përgatisnin drekën më të begatë të vitit, në të cilën mund të merrte pjesë kushdo. Edhe shtegtarët e panjohur, që u kishte rënë udha në atë vend, ku kremtohej festa e madhe. Në mes të fshatit zjenin kazanet me mish, me pilaf, me hallvë... E, të gjithë së bashku shtroheshin rrethas në sofra, me këngë, llafe , kërcime e lojë.
Si ju duket kjo skenë e lashtë shqiptare e Natës së Plakut ogurmirë, pa asnjë njeri të vetmuar, asnjë të uritur... Sepse Plaku orgurmirë shpërndante, si dhuratë, gjithçka që i dhurohej.









All the contents on this site are copyrighted ©.