2013-12-05 15:55:07

Imz. Parolin: Njeriu e jo përfitimi në qendër të veprimtarisë ekonomike


Dje pasdite Imz. Parolin mori pjesë në paraqitjen e librit “Njeriu në qendër, midis etikës dhe sipërmarrjes”, të Kardinalit Oscar Rodriguez Maradiaga, kryetari i Caritas-it ndërkombëtar. Duke folur për këtë temë, sekretari i Shtetit kujtoi se kriza që po përjetojmë është rrjedhojë e krizës antropologjike dhe se “është e nevojshme që përfitimi dhe fitimi të mos lihen në qendër, për të rivendosur në qendër njeriun”:
“Në rrafshin ekonomik, veprimtaria që i jep më shumë dinjitet njeriut është pikërisht puna. Megithatë, për të mbështetur zhvillimin e vërtetë të njerëzve, sipërmarrja nuk duhet të shikojë vetëm përfitimin, por edhe sa dhe si mbështet punën e vartësve”.
Ndërsa për krizën e papunësisë së të rinjve në kontinentin e vjetër evropian, Imz. Parolin tha:
“Fakti që të rinjtë nuk kanë punë është shumë shqetësues për të gjithë dhe besoj se të gjitha forcat shoqërore dhe forcat politike duhet të punojnë fort për të zgjidhur këtë problem e për të gjetur pikëpamje të përbashkëta, me qëllim që t’u japin një përgjigje këtyre problemeve të mëdha”.
Sekretari i Shtetit, megjithatë, kërkoi të mos e humbim shpresën dhe të kumtojmë gëzimin e Ungjillit.
Edhe Kardinali Maradiaga na fton të shikojmë përpara:
“Shihet një rrugëdalje nga kriza, që, megjithatë, nuk varet vetëm nga huatë apo borxhet, por nga aftësia për të krijuar, nga investimet, nga guximi për të rrezikuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.