2013-12-04 12:41:59

Thirrje e Papës për murgeshat ortodokse të rrëmbyera në Siri


Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku bëri thirrje për lirimin e pesë murgeshave të rrëmbyera në Siri:
“Dëshiroj tani t’i ftoj të gjithë të lutemi për murgeshat e Manastirit greko-ortodoks të Shën Teklës në Maalula të Sirisë, të cilat, para dy ditësh, u rrëmbyen me forcë nga njerëz të armatosur. Të lutemi për këto murgesha, për këto motra e për të gjithë njerëzit e marrë peng, për shkak të konfliktit. Të vazhdojmë të lutemi e të punojmë së bashku për paqen”.
Ndërkaq, i dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe për paqen, Lakhdar Brahimi, deklaroi se duhet arritur shpejt në një marrëveshje, për të mos e lënë Sirinë të shndërrohet në një Somali të dytë. Kujtojmë se lufta në Siri vazhdon që nga marsi i vitit 2011. Nuk dihet akoma kush mund t’i ketë rrëmbyer pesë murgeshat, por mendohet se mund të jenë grupe të Frontit Al Nusra, degë të Al Kaedës në vend. Informacionet e fundit na i jep ipeshkvi i Halebit e kryetari i Karitasit të Sirisë, imzot Antuan Audo:
(Salvatore Sabatino)
Sipas lajmeve të fundit, murgeshat e marra peng në Siri janë pesë e jo dymbëdhjetë, siç u tha në fillim: eprorja e katër motra të tjera. U rrëmbyen natën, dy ditë më parë, e dërguan në Jabrod, një qytet mjaft i largët. Nuk kemi lajme të tjera.
Si u prit lajmi nga popullsia siriane?
Në përgjithësi, Maalula është një simbol shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të krishterët, por edhe për myslimanët e Sirisë e të Lindjes së Mesme, sepse e dinë se këtu flitet akoma gjuha e Krishtit, një dialekt i aramaishtes. Prandaj, njerëzve u ka bërë shumë përshtypje ngjarja.
Këto motra punonin me jetimët, apo jo?
Po, kishin jetimë. Manastiri i tyre është ortodoks tradicional, ku praktikohet shumë bamirësia. Njerëzit vijnë në shtegtim, është shumë i njohur. Nuk ka njeri që të mos shkojë në Maalula e në Saidnaja, në Siri. Sidomos për festën e Lartimit të Kryqit, më 14 shtator, në malin e Maalulës.
A keni ndonjë ide mbi arsyet e rrëmbimit të murgeshave? A ka të bëjë kjo me bashkësinë e krishterë?
Mendoj se pikësëpari, arsyeja është lufta. Ne, si të krishterë, si Kishë në Siri, nuk duam të themi se lufta bëhet kundër të krishterëve, sepse jemi për pajtimin e bashkëjetesën. Kjo është thirrja jonë. Nuk duam probleme me myslimanët. Por, me këtë që ndodhi, është prekur një vend i shenjtë për krishterimin e deri tani – prej shekujsh – askush nuk ka bërë një gjë të tillë në Maalula. Qyteti është vend i shenjtë, jo vetëm për të krishterët, por edhe për të tjerët. Shpresoj, që murgeshat të lirohen sa më shpejt… shpresoj të jenë mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.