2013-12-03 13:03:22

Papa: Një Kishë pa gëzim është e pamendueshme. Krishti duhet shpallur buzagaz.


Kisha duhet të jetë gjithmonë e hareshme, si Jezusi. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se Kisha është e thirrur për t’ua përçuar gëzimin e Zotit bijve të saj, gëzimin që jep paqen e vërtetë.
Paqja dhe hareja. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u ndalur tek ky binom. Në leximin e parë, nga libri i Isaisë, vërejti, dallojmë dëshirën për paqen, që e kemi të gjithë. Një paqe që, siç thotë Isaia, do të na e sjellë Mesia. Ndërsa në Ungjill “mund të shohim disi shpirtin e Jezusit, zemrën e Jezusit: zemër e hareshme”:
Ne sjellim ndër mend gjithmonë Jezusin kur predikonte, kur shëronte, kur ecte, kur shkonte udhës, edhe gjatë Darkës së Fundit... Por nuk jemi mësuar edhe aq të mendojmë Jezusin buzagaz, të hareshëm. Jezusi ishte plot hare: plot me gëzim. Në intimitetin me Atin “galdoi me gëzim në Shpirtin e Shenjtë dhe lavdëroi Atin”. Është pikërisht misteri i thellë i Jezusit, ajo marrëdhënie me Atin në Shpirtin e Shenjtë. Është hareja e tij e thellë, hareja e tij e brendshme, që Ai na e jep neve.
“E kjo hare, saktësoi, është paqja e vërtetë: nuk është paqja statike, e qetë, e patrazuar”. Jo, “paqja e krishterë është paqe e hareshme, sepse Zoti ynë është i hareshëm”. Dhe, gjithashtu, është i hareshëm “kur flet për Atin: aq shumë e do Atin, sa nuk flet për Atin pa hare”. Hyji ynë, theksoi Papa, “Është i hareshëm”. E Jezusi “ka dashur që nusja e tij, Kisha, edhe ajo të jetë e hareshme”:
Nuk mund të mendohet një Kishë pa harenë dhe hareja e Kishës është pikërisht kjo: shpallja e emrit të Jezusit. Të thotë: “Ai është Zoti. Dhëndri im është Zoti. Është Hyji. Ai na shpëton, Ai ecën me ne”. E kjo është hareja e Kishës, e cila, me këtë hare nusërore, bëhet nënë. Pali VI thoshte: hareja e Kishës është pikërisht ungjillëzimi, ecja përpara duke folur për Dhëndrin e saj. Edhe përçimi i kësaj hareje tek bijtë që ajo lind, që ajo rrit.
Në këtë mënyrë, shtoi Papa, kundrojmë si paqja, për të cilën na flet Isaia “është një paqe që lëvrin shumë, është paqe hareje, paqe lavdi”, një paqe që mund ta quajmë “zhurmëmadhe kur jep lavdi; pjellore, kur lind bij të rinj”. Një paqe, vijoi më tej, “që vjen pikërisht nga gëzimi i lavdisë, që i kushtojmë Trinisë, dhe nga ungjillëzimi, nga takimi me popujt, për t’u treguar kush është Jezusi”. “Paqja dhe hareja”, theksoi Papa. Pastaj vuri në dukje atë që thotë Jezusi, “deklaratën dogmatike”, kur pohon: “Ti ke vendosur kështu, t’u zbulohesh jo të diturve, por të vegjëlve”:
“Edhe në gjëra shumë serioze, siç është kjo, Jezusi është i hareshëm, Kisha është e hareshme. Duhet të jetë e hareshme. Edhe në të vejë të saj – meqë Kisha e ka një anë prej të veje, sepse pret që t’i kthehet dhëndri – edhe në të vejë të saj, Kisha është e hareshme falë shpresës. Zoti na e dhëntë të gjithëve këtë hare, këtë hare të Jezusit, duke lëvduar Atin në shpirtin e Shenjtë. Këtë hare të Kishës sonë nënë, në ungjillëzim e në kumtimin e Dhëndrit të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.