Në Vatikan, mbledhja e tetë kardinajve, “këshilli i pleqve” i Papës Françesku
Papa Françesku mori pjesë në seancën e dytë të mbledhjeve të Këshillit të Kardinjave,
që u hap sot e do të përfundojë më 5 dhjetor në Vatikan. Kujtojmë se është fjala për
tetë kardinajtë, apo tetë “të urtët”, që Ati i Shenjtë i ka zgjedhur për të studiuar
reformat e për t’u këshilluar me ta. Në konferencën për shtyp, zëdhënësi i Selisë
së Shenjtë, atë Federiko Lombardi shpjegoi se sot u fol për dikasteret e Kuries Romake: “U
nisën nga një diskutim për Kongregatën e Kultit Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve,
që është kompetente për liturgjinë, por nuk besoj se kjo përbën ndonjë urgjencë. Diçka
tjetër, që duhet përmendur e që edhe vetë Këshilli dëshiron të kuptohet mirë, është
se kemi të bëjmë me një punë, që parashikohet të depërtojë në thellësinë e gjërave
e të mos kufizohet vetëm në disa retushime”. Mbledhjet do të vazhdojnë nesër
e pasnesër, me një ritëm prej gjashtë orësh në ditë. Përsa i përket Institutit për
Veprat Fetare, apo asaj që njihet si banka e Vatikanit, atë Lombardi nënvizoi se nuk
parashikohet të trajtohet si çështje këto ditë: “Ka shumë mundësi, që të trajtohet
në takimet e ardhshme të Këshillit, në ato të 17 e 18 shkurtit, por jo me këtë rast”. Këto
ditë, është ftuar në mbledhje edhe Sekretari i ri i Shtetit të Vatikanit, imzot Pjetro
Parolin. Pas mbledhjes së shkurtit, theksoi atë Federiko Lombardi, Papa Françesku
do të ketë elemente të mjaftueshme për të paraqitur disa ide reformash në mbledhjen
e Konçistorit me kardinajtë, por kjo nuk duhet kuptuar si datë përfundimtare për procesin
e reformave.