2013-12-02 13:08:11

Sfidat e një pyetësori mbi familjen: për Ipeshkëvinjtë dhe të gjithë katolikët shqiptarë


Nga Gjergj Meta
Pyetësori për të cilin bëhet fjalë në titull u ka shkuar të gjitha kishave vendore në të gjithë botën e sigurisht ka mbërritur edhe në Shqipëri. Çfarë është ky pyetësor? Gjendet brenda një dokumenti që mban datën 18 tetor të këtij viti dhe firmën e Imzot Baldiserrit, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkëvinjëve. Në fakt papa Françesku ka vendosur që nga data 5 – 19 tetor të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Ipeshkëvinjëve të Kishës Katolike me temë: Sfidat baritore mbi familjen në kontekstin e Ungjillizimit. Përgatitja e këtij Sinodi të Jashtëzakonshëm është vetëm etapa e parë që i paraprin Sindodit të Zakonshëm që Papa Bergoglio do të mbledhë në vitin 2015 me rastin e 50 vjetorit të krijimit të Insitucionit të Sinodit të Ipeshkëvinjëve, një organizëm i Kishës Katolike që ka për detyrë të fuqizojë bashkimin e Papës me ipeshkëvinjtë në të gjithë botën, të ndihmojë dhe të këshillojë Papën në ruajtjen dhe forcimin e besimit dhe të moralit, në zbatimin dhe fuqizimin e disiplinës kishtare si dhe të studjojë problemet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Kishës në botë (kan 342 i CIC). Përgatitja e Sinodit të vitit të ardhshëm është paraprirë nga disa pyetje që kishat lokale në një mënyrë pothuasje kapilare duhet t’u përgjigjen. Në fakt letra drejtuar Kryetarit të Konferencës Ipeshkvore i cili do të marrë pjesë sipas të drejtës në Sinodin e ardhshëm, sikurse thuhet thuhet edhe në dokument duhet të shpërndahet menjëhërë “…në mënyrë kapilare në dekanate dhe në famulli me qëllim këshillimin e bazës për sa i përket temave dhe përgjigjeve të pyetjeve…”. Kjo tregon kujdesin që Papa aktual i kushton këshillimit me të gjithë popullin e Zotit sipas mundësisë dhe vendit. Gjithashtu tema e sinodit dhe filli që përshkon pyetjet e dokumentit tregojnë edhe vëmendjen e Kishës për çështjen e familjes dhe problemet që asaj i dalin në kohën që po jetojmë.
Pyetësori përmban disa tema shumë delikate dhe pyetje të drjetëpërdrejta sidmos për gjëndjen e familjes, situatën e martesës dhe marrëdhënien që episkopatet dhe kishat lokale kanë me nismat që kanë të bëjnë me rimendimin e martesës dhe të familjes ndryshe nga ç’është menduar tradicionalisht. Konkretisht ky pyetësor na ngacmon të gjithëve në pyetje shumë therëse sikurse janë edukimi, divorci, përgatitja për martesë, të ashtëquajturat martesat ndërmjet personave me të njëjtin seks, adoptimi i fëmijëve nga ana e tyre, edukimi dhe si duhet t’i përgjigjet Kisha edukimit të fëmijëve që vijnë nga situata familjare të parregullta, të vështira apo edhe nga familjet homoseksuale. Gjithashtu Papa është i interesuar të dijë se sa në fakt besimtarët njohin dhe jetojnë doktrinën e Kishës në çështje të rëndësishme si martesa, jeta seksuale, morali etj., sidomos mësimin e Kishës që gjendet një nga dokumentat më të diskutuar brenda dhe jashtë Kishës, Letrën Qarkore të Papës Pali VI, Humanae Vitae, 25 korrik 1968.
Në të vërtetë pyetjet janë shumë të thella. Nga diskutimi që kami patur në dekanatin e Durrësit me meshtarë, besimtarë laikë e me rregulltare rreth pyetësorit kanë rezultuar përjgigje shumë interesante. Pjesemarrja e besimtarëve laikëve, sidomos të martuar, në përpunimin e pyetësorit jep një kontribut të madh, pasi ato jetojnë nga brenda situatat që kalon familja, janë më afër mendësisë dhe arsyetimeve të shumë njerëzve që ndoshta në kontakt me ne meshtarët nuk janë gjithmonë aq të drejtëpërdrejtë. Problemet e familjes që dalin në pah, sidomos çështja e edukimit të fëmijëve, krizat që koha moderne ka sjellë në jetën e çiftit dhe të familjes, dhe sidomos përballja me modernitetin, përbëjnë vështirësi të mëdha të cilave familjet shqiptare duhet t’u përgjigjen çdo ditë. Por gjithashtu në sfondin e reflektimit të tyre del në pah edhe frika, e në dikë tjetër sfida, që një mundësi rikonceptimi i martesës dhe i familjes në jetën shoqërore do të sjellë sidomos kur flitet për martesat ndërmjet personave me të njëjtin seks.
Unë mendoj se ne si Kishë lokale në Shqipëri na dalin sfida të mëdha përpara në këtë drejtim. Më së pari duhet të dëgjojmë më me vëmendje zërin e realitetit dhe sidomos të familjeve. Episkopati lokal ka sidomos një detyrë të madhe në përjetimin e shërbesës së tij si prijës të njerëzve në këtë realitet të ri. Në dokumentin e fundit “Evangelii Gaudium” papa Françesku thotë shprehimisht: “Nuk besoj se duhet të pritet nga mësimi i Papës një fjalë përfundimtare apo e plotë rreth të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me Kishën dhe me botën. Nuk duhet që Papa t’u zërë vendin Episkopateve lokale në aftësinë shoshitëse të të gjitha problematikave që dalin në pah në territorin e tyre. Në këtë kahje, ndjej nevojën që të shkoj përpara drejt një ‘decentralizimi’ të shëndetshëm” (EG 16). Në fakt Papa pohon me gërma të qarta çka gjithmonë ka qenë doktrina e Kishës për veprimtarëinë e ipeshkëvinjëve, dhe të barinjëve në përgjithësi në territorin ku veprojnë, por nga ana tjetër uroj me gjithë zemër një veprim sa më të gjallë, përbashkues dhe të vrullshëm të episkopatit lokal këtu në Shqipëri rreth temave që do të trajtojë Sinodi, sidomos në hartimin e programeve dhe planeve të veprimit të përbashkët.
Ky decentralizim kërkon forca të ripërtërira, brenda Kishës, në shërbesën e ipeshkëvinjëve, meshtarëve, në rolin e besimtarëve laikë dhe rregulltarëve e sidomos vetëdijen se “çdo herë që përpiqemi të kthehemi te gurra e të rimarrim freski burimore nga Ungjilli dalin në pah rrugë të reja, metoda krijuese, forma të tjera shprehje, shenja që flasin, fjalë të mbushura me domethënie të re për botën aktuale. Në të vërtetë çdo veprim autentik unjgillizimi është gjithmonë i ri” (EG 11). Këto metoda të reja, krijuese, ky vrull e ripërtëritje misionare që duhet të shohë te familja pikënisjen e një ungjillizimi të ri duke i qëndruar gjithmonë besnik Fjalës së Hyjit dhe Traditës së gjallë të Kishës, do të çojë drejt një Kishë sikurse thotë vetë Françesku ndoshta “ të aksidentuar, të plagosur dhe të zhyer, sepse ka dalë në rrugë” por jo një “Kishë të sëmurë për shkak të mbylljes së saj dhe reahtisë së kapjes pas sigurive të saja”.
Vetëm një Kishë, një episkopat, meshtarë e besimatrë e laikë që dalin nga siguritë e vetes drejt rrugëve të historisë do të bëjnë të mundur që Krishtërimi, të qenit i krishterë të jetë sikurse thotë Benedikti XVI “…jo një vendim etik apo një ide e madhe, por takimi me një ngjarje, me një person, që i jep jetës një horizont të ri e me këtë një drejtim vendimtar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.