Papa Françesku: Krishtlindja festohet duke e takuar Jezusin me zemër të hapur e duke
e lënë të na përtërijë jetën
Të përgatitemi për Krishtlindje, duke u lutur, duke bërë mirë e duke i thurur lavde
Zotit: kjo, këshilla e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.
Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët ta takojnë Hyjin me zemër të hapur, duke i dhënë Atij
mundësinë ta përtërijë jetën e secilit. Duke komentuar pjesën e Ungjillit, kur
centurioni romak i kërkon me fe të gjallë Jezusit t’i shërojë shërbëtorin, Papa kujtoi
se këto ditë, me fillimin e Kohës së Ardhjes, nisim edhe një udhë të re, drejt Krishtlindjes.
Shkojmë për të takuar vërtet Zotin. Krishtlindja, tërhoqi vëmendjen Papa, nuk është
vetëm përkujtim i një ngjarjeje të bukur: “Krishtlindja është më shumë: ne ecim
kësaj udhe për të takuar Zotin. Krishtlindja është takim! E ne ecim për ta takuar
me zemër, me jetë; për të takuar Zotin e gjallë, ashtu siç është; për ta takuar me
fe. E nuk është e lehtë ta jetojmë fenë. Zoti, në shembëlltyrën që dëgjuam, u mrekullua
nga centurioni: u mrekullua nga feja e tij. Ai kishte ecur mjaft për ta takuar Jezusin,
por e kishte bërë këtë me fe të gjallë. Prandaj, ai, jo vetëm e takoi Zotin, por ndjeu
gëzimin e këtij takimi. Pikërisht ky është takimi që duam: takim feje!” Në
të vërtetë, vërejti Papa, nuk jemi ne, me iniciativën tonë, që shkojmë për të takuar
Zotin. Më e rëndësishme është ta lemë Atë të na takojë: “Kur ne, e vetëm ne,
e takojmë Hyjin, jemi – po themi – zotat e këtij takimi; por kur e lejojmë Atë të
na takojë, është Zoti që hyn brenda nesh, është Ai që na ribën nga e para, sepse kjo
është ardhja, ky është kuptimi i ardhjes së Krishtit: Ai i bën të reja të gjitha gjërat:
zemrën, shpirtin, jetën, shpresën, udhën. Ne jemi për udhë, me fe, me fenë e centurionit,
për ta takuar Zotin e sidomos për ta lënë veten në dorë të Tij, që të na takojë”. Për
këtë, është e nevojshme një zemër e hapur: “Zemër e hapur, që Ai të më takojë!
E të më thotë ç'do Ai të më thotë, e cila nuk është gjithnjë e njëjtë me ç’dua unë
të më thotë! Ai është Zoti e më drejtohet mua, sepse Hyji nuk na sheh si masë, si
turmë. Jo, jo! E sheh në fytyrë secilin prej nesh, e sheh në sy, sepse dashuria nuk
është abstrakte, është konkrete! Nga njëri tek tjetri: Zoti, person, me sheh mua,
person. Ta lemë Zotin të na takojë do ta thotë ta lemë të na dojë!” Në udhën
drejt Krishtlindjes, përfundoi Papa Françesku, na ndihmojnë lutja, bamirësia për vëllezërit
në nevojë, gëzimi kur i thurim lavde Hyjit. E duhet ta mbajmë gjithnjë zemrën të hapur,
duke pritur trokitjen e Zotit.