Papa, ipeshkvijve holandezë: të krishterët të jenë të pranishëm në vende ku vendoset
ardhmëria
Të krishterët duhet të jenë të pranishëm, në vendet ku vendoset ardhmëria e të japin
kontributin e tyre për problemet e mëdha shoqërore, si ai i familjes, i martesës,
i fundit të jetës: këtë pohoi Papa, duke pritur, sot paradite, ipeshkvijtë holandezë
për vizitë ‘ad Limina’. Ati i Shenjtë bisedoi gjatë me prelatët e ardhur nga Holanda,
të cilëve pastaj u dorëzoi një tekst të shkruar. I vlerësoi për kujdesin ndaj grigjës,
që u është besuar, duke e pasur mirë parasysh se nuk është e lehtë ta ruash shpresën,
në rrethana të vështira. Papa theksoi ushtrimin kolegjial të shërbimit ipeshkvnor,
në bashkim me Ipeshkvin e Romës, formimin sa më të kujdesshëm të meshtarëve, domosdoshmërinë
për t’i dalluar shenjat e shpresës, që flasin për praninë e Zoti mes nesh. Nënvizoi
se Kisha përpiqet me durim amtar t’u përgjigjet anktheve të njerëzve të sotëm, thellësisht
të shqetësuar për të ardhmen dhe i porositi prelatët të jenë gjithnjë pranë atyre
që vuajnë, që e kanë shpirtin bosh, që kërkojnë kuptimin e jetës. Të armatosur me
shpresën, dhuratë e vetë Krishtit për Kishën, të cilën e ndihmon të jetë më e vërtetë,
më e kuptueshme, më baritore. Papa u ndalua edhe tek frytet e Vitit të Fesë, tek
veprimtaria për t’ua kumtuar fenë gjithë njerëzve, me vetëdijen se antropologjia e
krishterë dhe doktrina shoqërore e Kishës, bëjnë pjesë në trashëgiminë e në përvojën
e njerëzimit, mbi të cilën bazohet qytetërimi evropian. E kjo mund të ndihmojë shumë
për të ripohuar përparësinë e njeriut mbi teknikën e mbi strukturat, gjë që nënkupton
edhe hapjen e zemrës për Zotin. Foli edhe për zhvillimin social, Papa, për shtimin
e radhëve të të varfërve në vendet e pasura si Holanda, luftën kundër varfërisë, edukimin
e ndërgjegjeve, çështjet e mëdha, si familja, martesa, fundi i jetës, ekumenizmi,
dialogu e sidomos, për gjetjen e rrugëve më të mira në kumtimin e Ungjillit. Vëllazërisht
ju kërkoj, tha në përfundim të bisedës Ati i Shenjtë, mos harroni të luteni për mua!