2013-12-01 14:01:29

SHBA: edhe bota hebraike amerikane e mirëpret “Evangelii Gaudium”


Edhe në SHBA, Këshillimi Apostolik i Papës Françesku “Evagelii Gaudium”, me temën e kumtimit të Ungjillit në botën e sotme, u prit me entuziazëm dhe me interes të madh, e jo vetëm nga mjediset katolike. “Ipeshkvijtë e SHBA e pritën me gëzim këtë këshillim e janë të lumtur ta vënë në jetë, së bashku me besimtarët e dioqezeve të tyre” pohohet në një notë të imzot David L. Ricken, kryetar i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore Amerikane për Katekizmin dhe Ungjillëzimin (Usccb), rimarrë nga agjencia Cns. “Papa Françesku është model i gjallë i ungjillëzimit të ri. Po i prin kësaj bote drejt një feje më të thellë, duke treguar si duhet jetuar Ungjilli e duke u takuar me njerëzimin përmes lidhjes me Zotin, për të cilin ka më shumë nevojë çdo njeri.
Sipas Kryekalorësit të Urdhërit të Kalorësve të Kolombos, Karl Anderson, ky dokument papnor është shumë i nevojshëm e duhet parë si kontribut i shquar për kauzën e ungjillëzimit të ri. Nëse do të mirëpritet nga Kisha në mbarë botën, shton, “Evangelii Gaudium” do t’i japë një shtytje të fuqishme ungjillëzimit të kulturës sonë.
Ndërmjet një mori reagimesh pozitive, meriton të kujtohet ai i bashkësisë hebraike amerikane. Rabini David Rosen, drejtor i Komitetit hebraik amerikan për çështjet ndërfetare, deklaroi se i vlerëson lart shumë pjesë të Këshillimit papnor, posaçërisht, ato, që i kushtohen marrëdhënieve me hebraizmin. “Theksimi i vlerave të hebraizmit për të krishterët, deklaroi, është posaçërisht domethënës për evolucionin e sjelljes së Kishës katolike ndaj popullit hebraik”. Rabini Rosen, që e ka takuar katër herë Papën Françesku që nga dita e zgjedhjes, shprehu kënaqësinë e tij edhe për frymën e dialogut ndërfetar në mbrojtje të paqes, të pranimit të të tjerëve e të larmive, duke i parë si inkurajim për më shumë respekt e harmoni në botën tonë.









All the contents on this site are copyrighted ©.