2013-12-01 18:14:09

Papa: Koha e Ardhjes na rikthen horizontin e shpresës. Thirrje për paqen dhe mjekimin e të sëmurëve me Sidë


Koha e Ardhjes na rikthen horizontin e shpresës. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Në të Dielën e parë të Ardhjes, Papa u dha zemër besimtarëve ta rizbulojnë bukurinë e shtegtimit kah takimi me Jezusin dhe u lut për dhuratën e paqes. Në Ditën botërore kundër Sidës, Ati i Shenjtë nuk harroi të bënte një thirrje të fuqishme, duke kërkuar që asnjë të sëmuri të mos i mungojë kujdesi mjekësor, për të cilin ka nevojë.

Koha e Ardhjes. Kohë shprese! Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua posaçërisht tek shtegtimi i Popullit të Zotit drejt takimit me Jezusin dhe, në Ditën botërore kundër Sidës, bëri thirrje në favor të atyre që, të prekur nga Hiv, mund ta humbasin fare shpresën:
“U shprehim afërsinë tonë njerëzve të prekur nga sëmundja, posaçërisht fëmijëve. Afërsi shumë konkrete, përmes impenjimit të heshtur të shumë misionarëve dhe veprimtarëve. Lutem për të gjithë, edhe për mjekët e njerëzit e impenjuar në kërkime shkencore. Uroj që çdo i sëmurë, pa përjashtuar asnjërin, të ketë kujdesin e nevojshëm mjekësor”.
Para fjalëve në favor të të sëmurëve nga Sida, Papa nënvizoi se me fillimin e Kohës së Ardhjes, nis shtegtimi i ri i Popullit të Zotit me Jezu Krishtin. Është çast, vërejti, që ka një hir të veçantë:
“Rizbulojmë bukurinë e shtegtimit gjithë bashkë: Kisha, me thirrjen dhe misionin e saj, e njerëzimi mbarë, popujt, qytetërimet, kulturat, të gjitha për udhë, nëpër shtigjet e kohës”.
Po cili është caku i këtij shtegtimi? - pyeti Papa. Në Besëlidhjen e Vjetër, nënvizoi, flitet për “shtegtim universal” drejt Tempullit të Zotit, drejt Jeruzalemit:
“Zbulesa gjeti në Jezu Krishtin përmbushjen e plotë. Jezu Krishti është Tempulli i Zotit. Ai vetë u bë Tempull, Fjalë e mishëruar: është Ai, prijësi; e njëkohësisht, edhe caku i shtegtimit tonë, shtegtimit të mbarë popullit të Zotit; e nën dritën e Tij edhe popujt e tjerë mund të ecin kah Mbretëria e drejtësisë, mbretëria e paqes”.
Papa kujtoi fragmentin, shkëputur nga Libri i Izaisë Profet, ku flitet për kohën kur fiset do t’i kthejnë shpatat në palla parmendash; e heshtat, në drapërinj; një popull nuk ka për të vringëlluar më shpatën kundër një populli tjetër e nuk kanë për t’u ushtruar më në artin e luftës. E këtë fragment Papa e përsëriti dy herë, për ta pasuar me një reflektim:
“Po kur do të ndodhë kjo? Ç’ditë e bukur do të jetë kjo, në të cilën armët do të çmontohen, për t’u shndërruar në mjete pune! Ç’ditë e bukur do të jetë! E kjo është e mundur! Të vëmë bast për paqen, për shpresën në paqen, e do ta shohim paqen”.
Ashtu si në jetën e secilit nga ne ndjehet gjithnjë nevoja për t’u rinisur, nënvizoi Papa, nevoja për t’u ringritur në këmbë, për të rigjetur kuptimin dhe cakun e jetës, kështu edhe për familjen e madhe njerëzore është e nevojshme gjithnjë të shikojë horizontin drejt të cilit shtegton:
“Horizonti i shpresës! Ky është horizonti për të bërë shtegtim të mirë. Koha e Ardhjes, që e nisëm sot përsëri, na rikthen horizontin e shpresës, shpresës, që nuk të zhgënjen, sepse bazohet mbi Fjalën e Zotit, shpresë, që nuk zhgënjen, thjesht sepse Zoti nuk zhgënjen kurrë”.
Model i kësaj sjelljeje shpirtërore, tha Papa, e edhe model i jetës e i shtegtimit në udhët e jetës, është Virgjëra Mari, Vasha e thjeshtë, që ka në zemër gjithë shpresën e Zotit:“Në kraharorin e saj, shpresa e Zotit u mishërua, u bë njeri, u bë histori: Jezu Krishti. Magnificat, himni me të cilin madhëroi Zotin, është kënga e Popullit të Hyjit, nën pushtetin e mëshirës së tij. Ta lëmë të na prijë Ajo, që është Nënë, e nëna e di mirë si prihet. Ta lemë të na prijë në këtë Kohë pritjeje e vigjilimi veprues”.








All the contents on this site are copyrighted ©.