2013-12-01 14:04:36

Krishtlindja, në kryevepra proze (Emisioni I)


Tekste e histori Këshndellash

Që prej dymijë vjetësh, Krishtlindja është burim frymëzimi për artistët: shkrimtarë, piktorë, skulptorë, muzikantë... Përfaqësues të artit popullor e atij të kultivuar. E vijon të mbetet. Duke krijuar, kështu, një pasuri të vërtetë artistike, që nga shtatoret e Shpellës së Betlehemit, tek kompozimet e famshme në pikturë e në muzikë e tek një letërsi e pafundme me poezi, tregime, novela e romane. E, doemos, edhe me tekste lutjesh e homelish, që të prekin në thellësi të shpirtit. Ndonjë vit më parë ju patëm ftuar ta jetonim atmosferën magjike të Krishtlindjes me poezitë më të bukura, kryevepra të letërsisë shqipe e botërore, me këtë temë, krijuar nga poetë klasikë e modernë.
Sivjet shfletuam prozën, për t’ju kujtuar rrëfimet më prekëse kushtuar Krishtlindjes, duke nisur nga folklori e letërsia shqipe, për të kaluar, pastaj, tek rrëfimtarët më të njohur të letërsisë botërore, që e rrëfyen Krishtlindjen. E nisëm shfletimin nga O’ Henri (William Sydney Porter) me tregimin “Dhurata e Mbretërve Djetarë (The gift of the Magi), prozë e shkurtër, me temën e dhuratës e të dhurimit, që përshkon mbarë letërsinë kushtuar këtyre ditëve të ftohta dimërore, që ngrohen me frymën e kafshëve të Shpellës së Betlehemit: kaut, gomarit e qengjave të parë, kumtarë të pranverës... Në qendër të rrëfimit, dy të rinj, Dela e Xhimi, që e duan fort njëri–tjetrin, por nuk kanë asnjë kacidhe në xhep... E duhet të mendojnë për dhuratat e Krishtlindjes. Ajo flijoi gjënë më të çmuar: flokët saj të gjatë valë valë, që të blinte një zinxhir ari, për orën e djaloshit. E ai, shiti pikërisht orën, për t’i blerë asaj, që e donte aq shumë, karfica të arta për flokët, në një dyqan të Broadway-t. Autori e përfundon tregimin me fjalët simbolike, me vlerë aktuale për ne të gjithë: “Mbretërit Dijetarë, siç e dini, ishin njerëz të urtë, mrekullisht të urtë, që shkuan të ngarkuar me dhurata tek Krishti Fëmijë, në grazhd. Prej tyre lindi arti për të bërë dhurata, Krishtlindje më Krishtlindje. Ishin të urtë, e edhe dhuratat e tyre ishin të urta. Këtu unë përsërita, si munda, historinë e mërzitshme të dy të rinjve budallenj, që flijuan pasuritë më të çmuara, për të lumturuar njëri-tjetrin. Por, më lini, ju lutem, t’ua them edhe fjalën e fundit të urtëve të kohëve tona: ndërmjet gjithë atyre, që bëjnë dhurata, më të urtit ishin pikërisht ata të dy. Ju të gjithë, që jepni e merrni dhurata, mos e harroni: ata të dy janë njerëzit më të urtë. Janë Mbretërit Dijetarë të kohëve tona!”....
I përgjigjet alegorikisht pyetjes “A ekziston me të vërtetë Plaku i Vitit të Ri?”, tregimi “Një Krishtlindje”, nga Truman Capote. “Natyrisht ekziston. Por askush në botë nuk mund të bëjë, i vetëm, atë që duhet të bëjë ai. Atëherë Zoti mendoi të na ngarkonte të gjithëve, nga pak, me detyrat e tij”, përgjigjet autori.
Po sa rrëfime të tilla ka në letërsinë botërore? Mund të lexoni romanin “Gratë e vogla” të Louisa May Alcott; “Këngën e Krishtlindjes”, pa autor; “Dhurata” e Ray Bradbury; “Krishtlindja ime në Uells”, e Dylan Thomas e, sidomos, nga letrat e shekullit të XIX, “Këngën e Krishtlindje”(A Christmas Carol) të Charles Dickens (1812-1879), që vijon të shfletohet nga lexuesit e mbarë botës, si libri më i rëndësishëm me temën e Festës së Mishërimit të Zotit në një shpellë, mbi një grazhd...
Po ka edhe më. Në se shfletoni librat e Krishtlindjes(Christmas Books) së bashku me ‘Këngën’, do të mund të lexoni edhe tregimet “Këmbanat në festë” (The Chimes); “Njeriu i vizituar nga fantazmat” (The haunted Man); Beteja për jetën (The Battle for Life).
E më e më...Nëse ju pëlqejnë rrëfimtarët e shekujve të kaluar, mund të shfletoni “Krishtlindja e Martinit” shkruar nga Leon Tolstoi.
Atmosfera thellësisht misterioze e festës ka hyrë deri në librat e filmat policorë, në botën e detektivit belg Hercule Poirot tek “Misteri në dhomën e mbyllur”; pastaj, në “Një Krishtlindje e Poirot” (1939), e Agatha Christie; në “Bloza e kaltërt” e Sir Arthur Conan Doyle (1939), në “Aventurat e Sherlock Holmes” e në romanin policor të John Grisham, “Ikja nga Krishtlindja”(2001).
Po ka edhe më... E nga kjo edhe më, ne zgjodhëm emra tregimtarësh të shquar, si Vëllezërit Jakob e Wilhelm Grimm, Paulo Coelho, David Maria Turoldo, Lambert Noben, e, doemos, rrëfimin klasik të Dikensit “Kënga e Krishtlindjes (A Christmas Carol), që tashmë është bërë simbol i Festës së Lindjes së Zotit, me të gjitha pasojat e saj shpëtimtare për shpirtin njerëzor. .. Merret vesh: në rrëfimet për Krishtlindjen, personazhe kryesore janë Krishti Fëmijë në grazhd, ndërmjet kaut e gomarit dhe Bredhi i Festës, simbol i Parajsës, portat e së cilës na i hapi Jezu Krishti, duke zbritur mbi tokë. Zgjodhëm edhe fragmente nga letërsia shqipe e autorë pa emër, që na prekën, kur i lexuam vetë më parë, për t’jua lexuar, gjatë gjithë muajit dhjetor, nga pak, edhe ju, në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” (Tekste e histori të Këshndellash) duke uruar të thoni: “Ja, këtë vit dëgjuam diçka të re, që na la në shpirt dritën e Shpellës së Betlehemit e jehonën e himnit engjëllor të së kremtes së madhe: “Lumni Zotit në qiell, e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.