2013-12-01 19:07:12

Ati i Shenjtë në famullinë e Shën Çirilit Aleksandrin: takohemi me Jezusin, kur nuk jemi egoistë


Mund të takohemi me Jezusin kur bëjmë vepra të mira: kështu u shpreh Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në famullinë romake të Shën Çirilit Aleksandrin, që nisi në orën 17.30. Ati i Shenjtë arriti në mjediset e famullisë në orën 16.00. Takimi i parë, me të sëmurët e të pagëzuarit gjatë vitit baritor në vijim e edhe çastet në rrëfyestore, ku dëgjoi e zgjidhi disa besimtarë të famullisë.
Pastaj kryesoi Liturgjinë eukaristike, gjatë së cilës i dha sakramentin e krezmimit një grupi të rinjsh.
Me Papën bashkëkremtuan kardinali Agostino Valini, ipeshkëv-ndihmës, prelatë, priftërinj e rregulltarë.
Është vizita e dytë e Papës Françesku në një famulli romake, pas asaj në Famullinë e Shenjtorëve Elizabeta e Zakaria, më 26 majin e kaluar.
Kujtojmë se famullia e Shën Çirilit Aleksandrin ndodhet në zonën lindore të Romës, që njihet si zona e Tor Sapienza. U realizua nga arkitekti Maicher Biagini, mbi një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrore. Ndërtesë moderne, është e pajisur me panele diellore termike për ngrohjen e sallës liturgjike, e me panele diellore fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike. Dallohet nga larg, falë këmbanares, me gjatësi 24 metra. U ndërtua pranë kishës së vjetër, në rrugën romake Karlo Balestrini, deri më 2012 seli e famullisë, sepse hapësira e kishës së vjetër nuk arrinte më t’u përgjigjej nevojave, në rritje, të popullsisë së zonës. U kushtua më 29 shtator 2012, katër vjet pas vënies së gurit të parë.

Jeta është shtegtim; e dhurata më madhe, është takimi me Jezusin. Ky, mesazhi i thjeshtë, po themelor, që la Papa Françesku në këtë famulli, në rrethinat e Romës. Mbi takimin me Jezusin Papa foli disa herë, duke pohuar se Zoti na do fort. Jezusi na shikon me dashuri, nënvizoi, na do e na ndjek hap pas hapi. Të takosh Jezusin, shtoi, do thotë edhe ta lësh të të prijë. Françesku shpjegoi se Jezusin e takojmë në Sakramente, e jo vetëm:
Kur bëjmë vepra të mira, kur vizitojmë të sëmurët, kur ndihmojmë të varfërit, kur mendojmë për të tjerët, kur nuk jemi egoistë, kur jemi të ëmbël e të arfrueshëm.... këtu e takojmë gjithnjë Jezusin”.
Në këtë udhë, mëkatet na frenojnë e na çkurajojnë, por Papa Françesku gjen gjithnjë fjalë inkurajimi:
“Ti e di se njerëzit, që kërkonte Jezusi, ishin më mëkatarët, prandaj edhe e qortonin, e njerëzit, ata që besonin se ishin të drejtë, thoshin: ‘Hajde ç’ profet i vërtetë! Shih ç’shoqëri të bukur shkon e gjen!’. Ishte me mëkatarë... E ai thoshte: erdha për ata, që kanë nevojë të rifitojnë shëndetin, nevojë për shërim. E Jezusi i shëron mëkatet tona”.
Jezusi i shëron mëkatet tona, përsëriti me ngulm Papa, na fal, kur rrëfehemi. Pastaj, ftoi:
“Guxim! Mos kini frikë. Jeta është kjo udhë. E dhurata më e bukur, të takosh Jezusin. Përpara, pra, me guxim!”.Nën vështrimin e bukur të Jezusit, mund të rifillojmë udhën, tha në përfundim Papa, që shtoi edhe një këshillë: “duke e dashur njëri-tjetrin, si vëllezër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.