2013-11-29 12:55:25

Papa: Jo mendimit të dobët, i krishteri mendon sipas Hyjit


I krishteri mendon sipas Hyjit, për këtë arsye e përzë mendimin e dobët e të njëtrajtshëm. Këtu e vuri theksin Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se, për të kuptuar shenjat e kohëve, i krishteri nuk mund të mendojë vetëm me mendje, por edhe me zemrën dhe me shpirtin që ka brenda.
Zoti i mëson nxënësit e vet t’i kuptojnë “shenjat e kohëve”, shenjat, që farisenjtë nuk mund t’i rrokin. Papa Françesku mori shkas nga Ungjilli i ditës, për të folur mbi “mendimin e krishterë”. Kush shkon pas Jezusit, vërejti, nuk mendon vetëm me mendje, por edhe me zemër, edhe me shpirtin që ndryn brenda. Ndryshe nuk mund të kuptohet hapi që hedh Hyji në histori:
“Në Ungjilli, Jezusi nuk zemërohet, por, kur apostujt nuk i kuptonin gjërat, bënte sikur zemërohej. Atyre të Emausit u thotë: ‘të pamend e të ngadalshëm’ ... Ai që nuk kupton gjërat e Hyjit, është një njeri i tillë. Zoti dëshiron që ne të kuptojmë çfarë po ndodh: çfarë po ndodh në zemrën time, çfarë po ndodh në jetën time, çfarë po ndodh në botë, në histori... Çfarë do të thotë kjo që po ndodh tani? Këto janë shenjat e kohës! Por, fryma e botës na bën të tjera propozime, sepse fryma e botës nuk do që të jemi popull: do që të jemi masë, pa mendim, pa liri”.
“E Jezusi, shtoi Ati i Shenjtë, na kërkon të mendojmë në liri, të mendojmë, për të kuptuar çfarë po ndodh”. E vërteta, vijoi Papa, është se “të vetëm, nuk mendojmë dot! Kemi nevojë për ndihmën e Zotit”. Kemi nevojë për të, “për të kuptuar shenjat e kohëve” dhe, vuri në dukje, “Shpirti i Shenjtë na jep këtë dhuratë, një dhunti: mençurinë për të kuptuar vetë, e jo pse më thonë të tjerët, çfarë po ndodh”:
Cila është rruga, që do Zoti? Gjithmonë me shpirtin e mençurisë, për të kuptuar shenjat e kohëve. "Është bukur t’i kërkojmë Zotit Jezus këtë hir, të na dërgojë shpirtin e mençurisë, të mos kemi një mendim të dobët, të mos kemi një mendim të njëtrajtshëm, e të mos kemi një mendim sipas shijeve tona: të kemi vetëm mendimin sipas Hyjit. Me këtë mendim, që është mendimi i mendjes, i zemrës e i shpirtit. Me këtë mendim, që është dhunti e Shpirtit, të kërkojmë çfarë domethënieje kanë gjërat e të kuptojmë mirë shenjat e kohëve”.
Ky, përfundoi Papa, është hiri që duhet t’i kërkojmë sot Zotit: “Aftësia, që na jep Shpirti, për të kuptuar mirë shenjat e kohëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.