Papa Françesku: viti 2015 do t’i kushtohet jetës rregulltare
Papa Françesku u takua sot paradite në Vatikan, me pjesëmarrësit e Asamblesë së 82-të
të Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm, mbajtur këto ditë në Romë. Në një komunikatë
të organizmit kishtar shpjegohet se takimi zgjati tri orë, gjatë të cilave Ati i Shenjtë
nuk mbajti ndonjë fjalim të përgatitur më parë, por iu përgjigj pyetjeve të rregulltarëve.
Në përfundim të audiencës, lajm i rëndësishëm i Papës: viti 2015 do t’i kushtohet
jetës rregulltare. 120 eproreve të pranishme, Papa Françesku iu sqaroi se pavarësisht
se të gjithë të krishterëve u kërkohet të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, rregulltarët
janë të thirrur ta ndjekin Zotin në mënyrë të veçantë. “Janë burra e gra, që mund
ta zgjojnë botën – nënvizoi Ati i Shenjtë. Jeta e shuguruar është profeci”. Zoti,
vazhdoi më pas Papa, “na kërkon të dalim nga çerdhja jonë e të shkojmë në të katër
anët e botës, duke mos rënë pre e tundimeve për ta shtruar atë”, por duke imituar
Krishtin. I pyetur për gjendjen e thirrjeve, Ati i Shenjtë vuri në dukje se frytet
më të shumta shihen në Kishat e reja. Kjo na nxit ta rishikojmë inkulturimin e çdo
karizme. Janë bërë gabime, që nuk duhet të përsëriten, si në rastin e Mateo Riçit,
i cili kumtoi Ungjillin në Kinë, duke iu përshtatur kulturës së vendit, por Kisha
e atëhershme nuk e kuptoi menjëherë. Dialogu ndërkulturor, theksoi Papa Françesku,
duhet të na nxisë të caktojmë në qeverisjen e Instituteve rregulltare njerëz nga kultura
të ndryshme, që e shprehin me mënyra të ndryshme thirrjen për jetën e shuguruar. Në
takimin me eprorët rregulltarë, Papa Françesku nguli këmbë në formimin e murgeshave,
që, sipas tij, duhet bazuar në katër shtylla themelore: formimi shpirtëror, intelektual,
komunitar dhe apostolik. Pa dyshim, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet shmangur çdo formë
hipokrizie e klerikalizmi, falë dialogut të sinqertë për çdo aspekt të jetës. “Formimi
– tha Papa – është vepër artizani, jo polici”, me synim formimin e rregulltarëve me
zemër të butë e jo të thartë si uthulla. Jemi të gjithë mëkatarë, por nuk duhet të
jemi të korruptuar, vijoi Ati i Shenjtë. Përsa i përket vëllazërimit, Papa theksoi
se ai ka një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse. Presupozon pranimin e ndryshimeve
e të konflikteve. Nganjëherë është e vështirë të jetohet, por duhet të veprojmë si
ata, që duan të zgjidhin një problem me vëllanë: duhet ta përkëdhelim konfliktin. Pyetjet
e fundit kishin të bënin me misionin e rregulltarëve. Pasi sqaroi se rregulltarët
nuk janë material ndihmës në dioqezë, por dhuratë për pasurimin e Kishës, Ati i Shenjtë
i nxiti institutet e jetës së shuguruar ta përcaktojnë misionin mbi bazën e thirrjes.
Gjithsesi, i dha përparësi situatave, ku ka njerëz të përjashtuar nga shoqëria, për
çfarëdolloj arsyeje. Pastaj, sfida kulturore dhe edukative, në shkolla e në universitete.
Papa përmendi tri qëllime për edukimin katolik: “Të transmetojë njohuri, të përçojë
mënyra veprimi, të mësojë vlera. Përmes tyre, transmetohet feja. Edukatori – nënvizoi
Ati i Shenjtë – duhet të jetë në lartësinë e njerëzve që edukon e ta pyesë veten si
t’ia kumtojë Jezusin një brezi në ndryshim të vazhdueshëm”. Së fundi, Papa Françesku
falenderoi rregulltarët për shërbimin e tyre në favor të Ungjillit.