2013-11-28 16:10:48

Oborri i Takimit në Berlin. Kardinal Ravasi: Ateistët e besimtarët janë gjithmonë në kërkim


Dje u mbyll në Berlin një tjetër ndalesë e “Oborrit të Takimit”, që u organizua me nismën e Këshillit Papnor për Kulturën, në bashkëpunim me ipeshkvinjtë gjermanë. Me këtë rast Radio Vatikani intervistoi Kryetarin e Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinalin Gianfranco Ravasi:
Hapja e Oborrit të Takimit pati një domethënie shumë të veçantë për mua: nga njëra anë ishin të pranishme dy figura, që paraqitën identitetin e tyre në mënyrë shumë të ashpër e të rreptë. Edhe ateisti, mosbesimtari, e paraqiti identitetin e tij - dhe ky është aspekti domethënës – me të gjitha pyetjet që ngacmojnë pandarë si besimtarin, ashtu edhe jobesimtarin. Pra: si të besuarit, ashtu edhe të mosbesuarit nuk është pohim i një teze, por pohimi i një kërkimi, që e ka një rrugë, por ka edhe shumë shmangie të mundshme. Për këtë arsye, ndoshta, Oborri i Takimit arrin në një nivel të lartë, në nivelin e dialogut, në të cilin merren në shqyrtim arsyet themelore të ndryshme, por shihet edhe se rrugët janë aq të shumta, sa kemi nevojë për ndihmën e ndërsjellë.
Kryebashkiaku Wowereit dhe një bashkëpunëtor i tij nuk qenë në një mendje me vështrimin tuaj mbi Berlinin si “shkretëtirë fetare” dhe pohuan se këtu ka më shumë bashkësi fetare se në çdo kryeqytet tjetër evropian...
Unë fola për shkretëtirë, por mbi të gjithë në një kuptim të veçantë, domethënë për problemin e rëndë, që, sipas meje, lëndon qoftë besimtarët, qoftë jobesimtarët: është problemi që përmenda edhe në fjalën time hyrëse, domethënë problemi i indiferencës. Problemi i shekullarizimit në vetvete – shekullariteti mund të jetë edhe element pozitiv – bëhet i pranishëm kur fashitet çdo pyetje, çdo hulumtim themelor: porse kjo është një shkretëtirë, ku, për paradoks, mund të mbijnë ngrehina fetare. Edhe kjo është një arsye pse lindin shumë oaze, që janë fetë: pikërisht sepse shoqëria në tërësinë e saj nuk ka më aftësi të shtrojë pyetje e të japë përgjigje. Është disi e zbrazët. E atëherë, ja, figura e Papa Françeskut, për shembull, që ka ngjallur interes; ja fetë, edhe rrymat më të çuditshme mistike, që ngjallin interes...

Kardinali i Berlinit Rainer Maria Woelki është i kënaqur nga “Oborri i takimit” dhe shpreson se Kisha Katolike në kryeqytetin gjerman do të mund t’i vijojë bashkëbisedimet e filluara. Në përfundimin e nismës së Këshillit Papnor për Kulturën, që ftoi në dialog besimtarët e mosbesimtarët, para mikrofonit të Radio Vatikanit në Berlin, kardinali tha: “Edhe pse nuk e kemi arritur këtë gjë nëpërmjet fakultetit të teologjisë, siç e kishim menduar, ideja për të krijuar një hapësirë, nga e cila të kërkojmë dialogun me këtë qytet të shekullarizuar, është ende e gjallë dhe po punojmë në këtë drejtim”. Ai shpreson se do ta kërkojë për shumë kohë diskutimin me mosbesimtarët, në rrafshin e kulturës, të ekonomisë dhe të etikës mjekësore.
Berlini, tha Kardinal Woelki, nuk është një “shkretëtirë shpirtërore”. Ungjilli “ka një fytyrë krejtësisht konkrete” në qytet dhe këtë e tregoi edhe pranimi, nga ana e Caritas-it, e refugjatëve të Lampeduzës. “Oborrin e takimit” Kardinali e quajti “bindës” e tha: “Më vijnë përshtypje pozitive nga të gjithë. Për ne, si Kishë Katolike në këtë qytet, është një përvojë shumë e rëndësishme, që publiku të na njohë si një organizëm, i cili merr qëndrime konkrete kundrejt Ekzistencës njerëzore, duke u mbështetur në botëkuptimin tonë e duke u nisur nga feja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.