2013-11-27 16:55:07

Papa në audiencën e përgjithshme: kush ia hap portën të varfërit, do ta ketë qiellin e hapur në fund të jetës


“Kush ka mëshirë, nuk ka frikë nga vdekja”. Ky pohim kumboi disa herë sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa Françesku ua përsëriti 50 mijë vetëve, që morën pjesë në takimin e së mërkurës, pasi u kishte shpjeguar, duke u nisur nga Besojma, ndryshimin e vizionit të krishterë mbi çastin e fundit të jetës, në krahasim me vizionin ateist që, duke mos besuar në një horizont më të gjerë, e mohon vdekjen, sepse i trembet më shumë se çdo gjëje tjetër.

“Ta themi së bashku, për të mos e harruar: kush praktikon mëshirën, nuk i trembet vdekjes! Edhe një herë: kush praktikon mëshirën, nuk e ka frikë vdekjen! E pse nuk e ka frikë? Sepse e shikon në sy, në plagët e vëllezërve, dhe e mposht me dashurinë e Krishtit”.
Në atmosferën e akullt të Sheshit të Shën Pjetrit, ku këto ditë po shëtit dimri i parakohshëm, turma përsëriste në kor fjalët e Papës, që ka forcë të ngrohë zemrën, para gjymtyrëve të mardhura nga murlani. Kush ua hap portën vëllezërve në nevojë, do ta shikojë, kur t’i vijë koha, portën e qiellit të hapur. Do të ketë një portë të hapur në qiell, në fund të jetës tokësore. Papa e vulosi me këtë mendim katekizmin, gjatë të cilit, me qartësi, shkeli mbi një truall, që njerëzimi nuk ka shumë dëshirë t’ia kujtojnë. Ndërmjet nesh, zakonisht e shikojmë me sy të shtrembër vdekjen, vërejti, duke prekur, më pas, me delikatesë, një pikë, që e bën vdekjen shkandulluese:
Mua gjithnjë më ka prekur pyetja: pse vuajnë fëmijët? Pse vdesin fëmijët? Nëse kuptohet si fund i fundit, vdekja të tmerron, të shemb, shndërrohet në kërcënim, që mbyt çdo ëndërr, çdo perspektivë, që këput çdo lidhje e mbyll çdo udhë. Kjo ndodh kur jeta shikohet si kohë e mbyllur ndërmjet dy poleve: lindjes e vdekjes; kur nuk besohet në një horizont, që shkon përtej jetës së sotme, kur jetohet, sikur Zoti të mos ishte”.
Ky konceptim i vdekjes, pohoi Papa Françesku, është tipik për mendimin ateist, sipas të cilit njeriu vjen rastësisht në jetë. Lind, për të ecur mundimshëm drejt hiçit:
Por ekziston edhe ateizmi praktik, që do të thotë të jetosh vetëm për interesat vetjake, të rrosh vetëm për sendet tokësore. Nëse, gabimisht, e shikojmë vdekjen me këtë sy, nuk kemi rrugë tjetër, veçse ta fshehim, ta mohojmë, të harrojmë se ajo është, ta banalizojmë, që të mos na tmerrojë”.
Për të krishterin, vdekja është kalim i dhimbshëm, por që nuk këput asnjë lidhje, nuk i jep fund asgjëje. E kjo, sepse, shpjegoi Papa:
“Nëse kujtojmë çastet më të dhimbshme të jetës sonë, kur kemi humbur njeriun e dashur: prindërit, një vëlla, një motër, një bashkëshort, një bir, një mik, vërejmë se, edhe në dramën e humbjes, edhe në çastin tronditës të ndarjes, jemi thellësisht të bindur se nuk mund të ketë përfunduar gjithçka, se e mira, e dhënë dhe e marrë, nuk ka qenë e kotë. Është një ndjesi e fuqishme brenda nesh, që na thotë se jeta jonë nuk mund të përfundojë me vdekjen. E kjo është e vërtetë: jeta jonë nuk mbaron me vdekje”.
Njeriu, nëvizoi Papa, ka prirjen të vdesë, ashtu si ka jetuar. Kur ecën me Jezusin, mëson të ketë besim në mëshirën e Tij; fiton edhe përgatitjen e duhur për ta pranuar çastin e fundit të jetës. E lidhja me Krishtin, vijoi, na mëson se jeta mbi këtë botë na u dhurua edhe për t’u përgatitur për jetën tjetër, jetën me Zotin:
“E për këtë, e kemi një udhë të sigurt: të përgatitemi mirë për vdekjen, duke e kaluar jetën pranë Jezusit: Kjo është siguria. Unë përgatitem për vdekjen, duke qenë gjithnjë pranë Jezusit. Por, si mund të jem pranë Jezusit? Me lutje, në Sakramente e edhe me vepra bamirësie. Nuk duhet të harrojmë se Zoti është i pranishëm në njerëzit më të ligshtë, më nevojtarë(…). Një rrugë e sigurt është edhe të rifitosh kuptimin e dashurisë së krishterë e të ndihmës vëllazërore, duke u kujdesur për plagët trupore e shpirtërore të të afërmit”.
Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku përshëndeti grupet e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u kujtuar të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve, fillimin e afërt të Kohës së Ardhjes.
- Të dashur të rinj, përfundoi, përgatitini zemrat tuaja për ta pritur Krishtin Shëlbues;
- të dashur të sëmurë, ofrojeni vuajtjen tuaj, që të gjithë ta shikojnë Krishtlindjen si takim i Krishtit me krijesën e brishtë njerëzore;- e ju, të dashur bashkëshortë të rinj, jetojeni martesën, si pasqyrim i dashurisë së Zotit në historinë tuaj personale.







All the contents on this site are copyrighted ©.