2013-11-27 13:01:57

P. Kovalçik, për 20 vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: “Në përngjasim të Zotit” 27. 11


Në kuadrin e Vitit të Fesë, që tashmë përfundoi, nisëm një cikël të ri kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike, përgatitur nga jezuiti, atë Dariush Kovalçik. Reflektimi I i kushtohej paraqitjes dhe ftesës për ta lexuar Katekizmin. Ftesa vijon, e vijojnë edhe reflektimet, sot i 22-ti. I kushtohet temës tejet të rëndësishme “Në përngjasim të Zotit”.

Dinjiteti i burrit e i gruas buron nga fakti se u krijuan “në përngjasim të Zotit”. E Katekizmi na thotë se “vetëm njeriu është në gjendje ta njohë e ta dojë Zotin” (n. 356).
Krijesat e tjera, për shembull zogjtë e mrekullueshëm a qentë tanë, simpatikë e besnikë, e lavdërojnë Zotin me vetë qenien e tyre, por nuk janë në gjendje as ta njohin, e as ta duan. Ata pasqyrojnë madhështinë e Krijuesit, por nuk u krijuan sipas shembëlltyrës së Tij.

Ç’do të thotë të jesh i krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit? Shumë interesant fakti që, në Librin e Zanafillës, lexohet: “ta bëjmë”, në shumës. Disa Etër të Kishës shikonin këtu dialogun intim ndërmjet Vetjeve hyjnore. U krijuam, pra, sipas shembëlltyrës së bashkimit trinitar: të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt. E kjo do të thotë se bëhemi njerëz, vetëm në lidhje me të tjerët. Askush nuk do të mund të ishte njeri, pa hyrë në marrëdhënie me të tjerët. Nuk ka personalitet, pa aspektin e tij shoqëror.

Shprehja “në përngjasim të Hyjit”, mund të lidhet edhe me Misterin e Fjalës Hyjnore, në të cilën misteri i njeriut gjen dritën e vërtetë. Duke krijuar burrin e gruan, Hyji pa Jezu Krishtin, Birin e mishëruar. Në Jezusin zbulohet njeriu në gjithë përsosurinë e tij. Adami i dytë (domethënë Krishti), e trajtoi, siç pati thënë Pjetër Krizologu, Adamin e parë, sipas shembëlltyrës së vet (KKK 359).
Njeriu është bashkim i shpirtit e i korpit, domethënë shpirtit e materies. Në dinjitetin që buron nga “përngjasimi me Zotin”, merr pjesë jo vetëm shpirti, por edhe korpi, i paracaktuar të ngjallet si korp qiellor. Atëhere “njeriu nuk duhet ta përbuzë jetën trupore” (KKK 364). Zoti dëshiron ta shpëtojë plotësisht njeriun, me përmasën shpirtërore, por edhe me atë trupore.








All the contents on this site are copyrighted ©.