2013-11-27 15:36:16

Fillon misioni shëndetësor i Selisë së Shenjtë për fëmijët sirianë, refugjatë në Liban


U paraqit sot në Vatikan, misioni shëndetësor për fëmijët sirianë, refugjatë në Liban, organizuar nga Këshilli Papnor “Cor Unum”, Spitali Pediatrik romak i Krishtit Fëmijë dhe nga Karitasi i Libanit. Projekti u shpjegua nga kryetari i dikasterit vatikanas, kardinali Robert Sarah, presidenti i Spitalit Pediatrik, Xhuzepe Profiti, kreu i Karitasit të Libanit, atë Simon Fadul dhe përgjegjësja e dermatologjisë në Spitalin e Krishtit Fëmijë, mjekja Mej El Hashem. Kardinali Sarah përvijoi përmasat e misionit:
“Mendoni, me fondet e këtij misioni të rëndësishëm jemi në gjendje, të paktën në çastin e parë, të ndihmojmë 3-4 mijë fëmijë, duke blerë ilaçet e nevojshme për ta. Afrohet Krishtlindja, një periudhë në të cilën konsumizmi e mbulon shpesh mesazhin e Lajmit të Lindjes së Krishtit: ne mendojmë se dhurata më e bukur, që mund t’u bëjmë fëmijëve, të cilët vuajnë për shkak të luftës siriane, është t’u kthejmë buzëqeshjen, t’u sigurojmë vazhdimësinë e jetës, duke i shoqëruar jo vetëm materialisht, por edhe nga pikpamja shpirtërore e njerëzore”.
Pas lutjes për Sirinë, me Papën Françesku në Vatikan, Këshilli Papnor “Cor Unum” ngriti një zyrë informacioni e komunikimi në Bejrut, falë së cilës dihet se Kisha Katolike ka shpenzuar deri tani 78 milion dollarë për ndihma në fushën shëndetësore, të arsimit, të ushqimit e në ndihma për të moshuarit. Institucionet kishtare, që veprojnë në 20 qytete siriane, janë mëse 62, të cilat kanë marrë fonde nga 42 organizma katolike. Pikërisht kjo zyrë, dashur nga Ati i Shenjtë, është në gjendje t’i japë tani Kishës direktiva për ndërhyrjet e mëtejshme. Por cila është situata? Sërish kardinali Sarah:
“Sipas informatave tona, janë mëse 2 milion refugjatë sirianë, të shpërndarë sidomos në vendet e Lindjes së Mesme e të Mesdheut. Prej tyre, 800 mijë ndodhen në Liban, 515 mijë në Jordani, 460 mijë në Turqi. Me shqetësim e dhimbje të madhe, vërejmë se rreth 52% e tyre janë fëmijë e të rinj nën 17 vjeç”.
Pikërisht për këtë arsye, përpjekjet e Këshillit Papnor “Cor Unum” synojnë të çojnë në Liban, ku numri i refugjatëve është më i madh, kura pediatrike. E shpjegoi këtë, presidenti i Spitalit të Krishtit Fëmijë, Xhuzepe Profiti:
“Në Liban, në bashkëpunim me Karitasin libanez dhe me ‘Cor Unum’, Spitali do të japë ndihmesën e vet, në rajonin e Bekaa-së, për kontrollin mjekësor të fëmijëve dhe shpërndarjen e ilaçeve falas. Projekti parashikon mbështetjen e Karitasit, duke financuar një mjek dhe një infermier vendas, të cilët do të shkojnë në kampet e refugjatëve të zonës, duke ofruar shërbime për gratë dhe fëmijët”.
Vetë kardinali Sarah lajmëroi se nga 4 deri më 8 dhjetor, së bashku me Sekretarin e Këshillit Papnor “Cor Unum”, imzot Xhampjetro Dal Tozo, do të shkojë vetë në Liban për të verifikuar zhvillimin e këtij misioni shëndetësor, i cili do të fillojë në dhjetor e do të zgjasë fillimisht tre muaj.








All the contents on this site are copyrighted ©.