2013-11-27 14:01:24

Emocionues, takimi i Papës me vogëlushet e prekura nga sindroma e Rett


Para audiencës së përgjithshme, Salla e Palit VI jetoi një çast tejet prekës. Një takim feje e lutjeje. Papa Françesku priti një grup vogëlushesh të prekura nga sindroma e Rett, shoqëruar nga familjarët. Është fjala për një sëmundje të tmerrshme progresive të zhvillimit neurologjik, nga e cila vuajnë vetëm vajzat.

Një grup vogëlushesh, të dënuara që në lindje me sëmundjen e rrallë, që shkakton turbullira të rënda neurologjike, pa e shuar aspak etjen për jetë, i buzëqeshnin Atit të Shenjtë, prekur në shpirt nga kjo skenë. Papa i takoi një për një, i deshi mirë, i përqafoi me dashuri e u dha shpresë. Prekës, edhe takimi me familjarët e vajzave, që përfundoi me bekimin e lutjen drejtuar Zojës.
Të dëgjojmë disa dëshmi nga salla:

Përgjigje: - Posaçërisht për ato, që janë vogëlushe jo të zakonshme, takimi ishte vërtet i paharrueshëm. Sigurisht sa ka jetë, ka edhe shpresë! Por vetëm ne, që jemi pranë tyre ditë për ditë, e shikojmë ç’heqin foshnjat tona. Natyrisht lutja është mjet i fuqishëm. Na ndihmon ta përballojmë vështrimin e tyre, ku lexohet qartë vuajtja, dhimbja… Na jep forcë për ta vijuar një jetë të tillë. Madje shpesh shikojmë se vajzat tona janë të lumtura; qeshin, mes lotësh. Nganjëherë edhe neve, që po thonë se jemi mirë, nuk na del fjala, as gazi. Ndërsa këto, sa hapin syçkat, na buzëqeshin. E sytë e tyre duket sikur thonë. “Edhe pse vuajmë, ne i buzëqeshim jetës, të kënaqura, që jemi”.

Përgjigje: - Ishte sigurisht përforcim në fe. Ditë tepër e rëndësishme për ne, për vajzën tonë e për të gjitha vogëlushet e prekura nga sindroma e Rett. I jep vlerë të re jetës e gjithçka shikohet në një perspektivë të re: mjafton buzëqeshja e fëmijës, për të na bërë të lumtur. Pas kësaj buzëqeshjeje, vogëlsirat të duken fare pa rëndësi. Fëmijët e sëmurë shprehen me buzagaz, flasin me sy: prej këndej, quhen vogëlushe me sy të bukur. Vetëm me sy mund t’i shprehin dëshirat e tyre foshnjore, të cilat ne ua lexojmë, jo pa dhimbje.

Përgjigje: - Të duket sikur këto fëmijë janë të burgosur brenda korpit të tyre, por kanë edhe një zemër, kanë shpirt të lartë, e nganjëherë, tepër të ndjeshëm, që i larton shpesh përmbi çdo qenie tjetër njerëzore. Duhet shumë guxim, sigurisht, e shumë, shumë fe. Sepse hidhërimet e kësaj natyre nuk përballohen me fjalë, por me zemër. Duhet të kesh vërtet zemër të madhe. E ta përballosh sëmundjen me fe të gjallë në Zotin.

Përgjigje: - Sëmundje e keqe, që e gjymton fëmijën. E megjithatë fëmijët tanë të sëmurë janë plot me gëzim e dashuri. Patëm shumë dëshirë të takoheshim me Papën e t’i kërkonim ndihmë edhe Atij, me lutje. E edhe ne do të lutemi për Atin e Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.