2013-11-25 16:40:16

Papa Françesku pret presidentin rus Putin


Presidenti rus Vladimir Putin arriti në Vatikan në orën 17.40. Kaloi nëpër rrugën e Pajtimit me një vargan prej shtatë autosh, i shoqëruar nga policia italiane, për t'u takuar me Papën Françesku në audiencën, që nisi me 50 minuta vonesë. Biseda e Papës Françesku me presidentin rus Vladimir Putin, e zhvilluar me përkthyes, zgjati rreth 35 minuta. Pasi përfundoi audienca, presidenti Putin u prit, së bashku me Ministrin rus të Jashtëm e atë të Mbrojtjes, nga imzot Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit.
Nuk është hera e parë që një president rus vjen në Vatikan, por vizita e sotme e Vladimir Putin tek Papa Françesku,merr, në një farë mënyre, vlerë historike. Ajo vjen menjëherë pas letrës, që Ati i Shenjtë i shkroi presidentit Putin në shtator, me rastin e mbledhjes së G20-ës, që mbahej në Shën Pjetërburg. Përmes tij, pikërisht në prag të ditës së lutjes e të agjërimit për paqen në Siri, Papa u bënte thirrje të mëdhenjve të botës “të gjenin një zgjidhje për të shmangur masakrën e kotë” në atë vend të martirizuar. E mesazhi i Atit të Shenjtë nuk ra në vesh të shurdhër. Ndërhyrja e armatosur, dashur nga presidenti amerikan Obama, nuk u bë, falë edhe vendimit të presidentit sirian al Asad për të shkatërruar arsenalin e armëve kimike. Kriza siriane e paqja në rajon, argumente të rëndësishme edhe në bisedën e sotme, përveç nevojës për të mbrojtur bashkësitë e krishtera në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme.
Në sfond, procesi i dialogut dhe i afrimit ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj ortodokse. Kreu i Kremlinit nuk ka marrë me vete asnjë mesazh nga Patriku i Kishës ortodokse ruse, Kirill, megjithëse Patrikana uron që vizita e presidentit Putin në Vatikan të shërbejë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Selisë së Shenjtë e edhe ato ndërmjet Kishës ortodokse ruse e asaj Katolike romake. Vetëm pak ditë më parë, më 12 nëntor, Papa Françesku priti në Vatikan, “ministrin e jashtëm” të Patrikanës së Moskës, mitropolitin Hilarion, ndërsa, në të njëjtën ditë, patriku Kirill priste në selinë e vet, kardinalin e Milanos, Anxhelo Skola. “Ne nuk jemi akoma gati për të thënë kur e ku do të takohen Papa me Patrikun, por jemi gati të punojmë për ta përgatitur atë”, tha Hilarion pas bisedës me Papën Bergolio.








All the contents on this site are copyrighted ©.