2013-11-24 13:49:52

Shenjtorët e Javës 25 nëntor – 1 dhjetor


Më 25 nëntor përkujtohet Shën Katerina e Aleksandrisë, virgjër e martire. E pajisur me një inteligjencë të mprehtë, me urti e me shpirt të kalitur, dëshmoi fenë, duke u martirizuar. Trupi i saj nderohet me devocion në kuvendin e famshëm të malit Sinai.
Më 26 nëntor përkujtohet shën Leonardi nga Porto Maurizio. Françeskani italian bëri këtë premtim në vitin 1717: ”Do të përpiqem kurdoherë të zbatoj me përpikmërinë më të madh kushtet e shenjta. Për sa i përket varfërisë, mbi të gjitha, që është shenja dalluese e fesë sonë, do të përpiqem të imitoj sa më shumë që të mundem atin tim Shën Françeskun”.
Më 27 nëntor përkujtohet shën Virgjili i Salisburgut, ipeshkëv i shekullit VIII. U lind në një familje fisnikësh irlandezë, por përqafoi jetën rregulltare, dhe u bë murg e abat. Pasi braktisi Irlandën, jetoi në Francë e në Bavari, ku u thirr nga vetë Duka, dhe u emërua ipeshkëv i Salisburgut. Ndërtoi katedralen e qytetit, ku edhe u varros pas vdekjes. Edhe pse gëzoi famë të madhe shenjtërie gjatë jetës, shekujt e mbuluan me harresë apostullin e ardhur nga Irlanda. Në shekullin XII ra zjarr në katedralen e Salisburgut, por trupi i shenjtit u gjet i padëmtuar. Kjo i mrekulloi banorët e qytetit, të cilët e shpluhurosën kujtesën e historisë dhe nxorën në dritë figurën e shenjtë të Virgjilit.
Më 28 nëntor përkujtohet shën Ndre Tran Van Trong, martir. Në territorin e Kham Xhuongut, në Anamì, Vjetnami i sotëm, Shën Ndreu, pasi vuajti burgun dhe torturat e tmerrshme për shkak se nuk pranoi të përdhoste kryqin, u vra me shpatë nën perandorin Minh Mang.
Më 29 nëntor përkujtohet shën Françesko Antonio Fasani, meshtar. Në Lucera (Italia juglindore), frati françeskan konventual, njeri me shije të holla kulturore, i mbushur plot me dashuri për predikimin e ungjillit dhe me gatishmëri për pendesë, u angazhua me përkushtim për të varfrit e nevojtarët, pa ngurruar të jepte gjithçka nga vetja.
Më 30 nëntor përkujtohet Shën Ndreu (Andrea), apostulli i parë, që thirri Krishti. U lind në Betsaidë, u bë, në fillim, nxënës i Gjon Pagëzuesit e, pastaj, i Krishtit, tek i cili çoi edhe vëllanë e vet, Pjetrin. Bashkë me të vëllanë mori nga Jezusi misionin për t’u bërë ”peshkatar njerëzish”. Sipas traditës, pas Rrëshajëve, predikoi në vende të ndryshme dhe u kryqëzua në Ake. Emri i tij lidhet me kryqin në formë X, që sipas gojëdhënës Shën Ndreu e zgjodhi vetë, për të vuajtur më shumë.
Më 1 dhjetor është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.