2013-11-24 15:06:59

Papa Françesku mbyll Vitin e Fesë: Jezusi është qendër e krijimit, qendër e popullit, qendër e historisë e na fal gjithnjë


Një nismë providenciale, për të zbuluar bukurinë e udhës së fesë: kështu u shpreh Papa Françesku në Meshën për mbylljen e Vitit të Fesë, kremuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Krishtit Mbret i Universit. Rreth 60 mijë, besimtarët, ardhur nga të pesë kontinentet, për të marrë pjesë në këtë ngjarje jo të zakontë. Festa u kurorëzua me dorëzimin e Këshillimit Apostolik “Evangelii gaudium” (Gëzimi i Ungjillit), të cilin përfaqësuesit e Kishave të ndryshme e morën drejtpërdrejt nga dora e Papës. Ritit eukaristik i parapriu mbledhja e lëmoshëve për viktimat e tufanit në Filipine. Një risi tjetër ishte ekspozimi publik i relikeve të Shën Pjetrit, që ruhen në kapelën e apartamentit papnor.

Mendimi i parë, plot dashuri e mirënjohje i Papës Françesku, shkoi tek Benedikti XVI. Ishte ai që, më 11 tetor 2012, hapi Vitin e Fesë, 50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit:
Me këtë nismë providenciale, ai na dha mundësinë ta rizbulojmë bukurinë e kësaj udhe të fesë, që nis në ditën e pagëzimit tonë, duke na bërë bij të Zotit e vëllezër në Kishë”.
Më pas Papa përshëndeti patrikët dhe kryeipeshkvijtë e Kishave lindore katolike, të pranishëm në Meshë:
... me këtë gjest, dëshiroj të arrij tek gjithë të krishterët, që jetojnë në Tokën e Shenjtë, në Siri e në mbarë Lindjen, duke iu lutur Zotit për dhuratën e paqes e të harmonisë”.
Nësa shpaloste faqet e Leximeve biblike, Papa vuri me forcë theksin mbi figurën e Krishtit, qendër e krijimit, qendër e popullit, qendër e historisë:
Kur humbet kjo qendër, sepse zevendësohet me një tjetër, pasojnë vetëm dëme, dëme për mjedisin e dëme për vetë njeriun”.
Atij, kujtoi Papa, mund t’ia rrëfejmë gëzimet e shpresat, trishtimet e ankthet me të cilat endet çdo ditë e jetës sonë:
“Kur Jezusi është në qendër, edhe çastet më të errëta të jetës sonë ndriçohen, e Ai na jep gjithnjë shpresë, ashtu si ia dha hajdutit të mirë, që e pamë të varur mbi kryq, në Ungjillin e sotëm”.
Duke iu drejtuar hajdutit të mirë, Jezusi shqipton një fjalë të vetme: fjalën e faljes, jo të dënimit. Sepse kur njeriu merr guxim të kërkojë ndjesë, Krishti nuk e bën veshin të shurdhër, nuk ia mohon kurrë faljen. Kështu u shpreh Papa Françesku, në mbyllje të Vitit të Fesë:
“Secili nga ne ka historinë e vet; secili nga ne ka edhe gabimet e veta, mëkatet e veta, çastet e veta të ndritura e të errëta. Na bën mirë, në këtë ditë, të meditojmë për historinë tonë, t’ia ngulim mirë sytë Jezusit e të përsërisim, nga zemra, disa herë, në heshtje: ‘Kujtoju për mua, o Zot, tani që je në Mbretërinë tënde! Jezus, kujtoju për mua, sepse dua me gjithë shpirt të bëhem i mirë, dua të bëhem e mirë, por nuk kam forcë, nuk mundem: jam mëkatar, mëkatare. Por ti mos më harro: kutoju për mua, Jezus; Ti mund të kujtohesh për mua, sepse Ti je në qendër, Ti je pikërisht në Mbretërinë Tënde’. Ç’bukuri!”.
Me këtë rast, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u dorëzoi kopjen e Këshillimit të tij apostolik “Evangelii gaudium”, 36 përfaqësuesve të Kishës e të shoqërisë, nga 18 vende të të pesë kontinenteve, duke dashur që të gjithë të marrin pjesë në gëzimin e takimit me Krishtin. Ndërmjet tyre, një ipeshkëv, një meshtar e një diakon, pastaj disa rregulltarë e rregulltare, disa të krezmuar, një seminarist, një novic e një familje, disa katekistë e një i verbër, të cilit Françesku i dorëzoi një cd-rom, e pastaj, të rinj, delegatë të bashkëvëllezërive e të lëvizjeve e, së fundi, nga bota e kulturës, dy artistë, një skulptor e një piktore, për të nënvizuar vlerën e bukurisë në krijimtari; e edhe dy gazetarë, për theksimin e rolit të rëndësishëm të mjeteve të komunikimit, përkrah Kishës, në veprimarinë ungjillëzuese.Para se të fillonte Mesha, dy ngjarje solidariteti e devocioni: e para, mbledhja e lëmoshëve të besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit për viktimat e tufanit Hajan, në Filipine, të cilat Papa do t’i dërgojë në vend pas pak ditësh. E dyta, ekspozimi i relikeve të Shën Pjetrit, që dalin për herë të parë nga Kapela e Pallatit Apostolik, ku ruhen një arkëz prej bronzi, dhuratë e Palit VI, më 1971. Në të kaluarën besimtarët mund t’i shikonin vetëm në Solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal.







All the contents on this site are copyrighted ©.