2013-11-22 14:00:31

Papa takon shtegtarët filipinas: dashuria është më e fortë se tufani


Në momentet e dhimbjes pyeteni Zotin pa u lodhur: “Pse?”. Kështu tha Papa Françesku dje pasdite në takimin me shtegtarët filipinas, të cilët kishin ardhur nga gjithë bota në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e bekimit të mozaikut të shën Pjetër Kalungsodit, shenjti filipinas, që u shpall vitin e kaluar nga Benedikti XVI.

Ngjarjet tragjike, si tufan në Filipine, ndodhin dhe nuk kanë shpjegim. Por në këto momente vuajtjesh, tha Papa, nuk duhet të reshtim së pyeturi “pse?”, si fëmijët:
Kur fëmijët fillojnë të rriten, nuk i kuptojnë gjërat e fillojnë t’i bëjnë pyetje nënës e atit të tyre: “Baba, pse? Pse? Pse?”. Psikologët e quajnë “mosha e pse-së”, “mosha e pse-së”. Sepse fëmija nuk kupton… Por, po të jemi të vëmendshëm, shohim se fëmija nuk pret përgjigje nga i ati apo nga e ëma: vjen pse-ja tjetër, e pse-ja tjetër… Në atë pasiguri fëmija ka nevojë që i ati dhe e ëma të shikojnë. Ka nevojë për sytë e prindërve të tij, ka nevojë për zemrën e prindërve të tij.
Duhet të kërkojmë përse-në, jo shpjegime, por vetëm që Ati të na shikojë. Kjo është, në momentet e dhimbjes, kërkesa kryesore e asaj që Papa e quan “lutja e përse-së”:
Gjatë momenteve të kësaj vuajtjeje të madhe mos u lodhni kurrë së thëni: “Pse?”. Si fëmijët… Kështu do të tërhiqni shikimin e Atit tonë mbi popullin tuaj; do të tërhiqni kah vetja ëmbëlsinë e atit të qiellit. Siç bën fëmija kur pyet: “Pse? Pse?”.
Në fund Papa shprehu edhe një herë afërsinë e tij me popullin filipinas:
Jemi duke parë si ngrihet feja nga rrënojat. Shpresa nuk mund të shkatërrohet nga ngjarjet e kobshme. Vërejmë se dashuria është më e fortë se tërmetet dhe tufanet”.
Para se të fliste Ati i shenjtë, arqipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Taglekujtoi figurën e shën Pjetër Kalungsodit dhe rrënimin që shkaktoi tufani në Filipine. Populli, pohoi kardinali, është i fortë në fe, është i rrethuar me lutje e solidaritet.








All the contents on this site are copyrighted ©.