2013-11-22 15:41:20

Papa pret ragbistët e Italisë e të Argjentinës: drejt cakut vrapohet së bashku


Në ragbi, si në jetë, vrapohet drejt një caku. Lutuni, që unë dhe bashkëpunëtorët e mi të formojmë një skuadër të mirë e të arrijmë tek caku. Këtë pohoi sot paradite Papa Françesku, duke u takuar me kombëtaret e ragbisë të Italisë e Argjentinës, në prag të ndeshjes, që do të zhvillohet nesër, në Stadiumin Olimpik të Romës. Sporti juaj, shtoi Papa, është i lodhshëm, por shumë i këndshëm.

Duke bërë një përshkrim të sportit të ragbisë, Papa kujtoi kuptimin e tij të vërtetë: palestër, për të kalitur karakterin:
“Është sport i rëndë, ka shumë ndeshje fizike, por nuk është dhunë; në të ka shumë ndershmëri, shumë respekt. Të luash ragbi është e lodhshme, nuk është shëtitje! E kjo, mendoj, ndihmon shumë edhe për të kalitur karakterin, forcën e vullnetin”.
Duke shpjeguar me pasion lojën e ragbisë, Papa nuk harroi as hollësirat teknike, që sintetizojnë dinamikat e këtij sporti:
“Janë ‘përleshjet’ e famshme, që nganjëherë të bëjnë shumë përshtypje! Të dyja skuadrat vihen ballë për ballë, dy grupe kompakte, që e shtyjnë së bashku njërin kundër tjetrit e që balancohen. E pastaj janë edhe aksionet individuale, rendjet e shkathta drejt cakut”.
Caku, pikarritja në ragbi, ashtu si në jetë, bëhet objektiv, që mund të arrihet nëse impenjimi individual përkon me atë të shokëve të skuadrës:
Ja, pra, në ragbi vrapohet drejt ‘cakut’! Kjo fjalë kaq e bukur, kaq e rëndësishme, na bën të mendojmë për jetën, sepse e tërë jeta jonë synon drejt një caku; e ky kërkim, kërkimi i një caku, është i mundimshëm, kërkon luftë, impenjim e, sidomos, kërkon të kuptosh se nuk duhet vrapuer vetëm! Për të arritur, duhet vrapuar së bashku, topi kalon dorë më dorë, e përparohet bashkë, që të arrihet në cakun e dëshiruar. Atëherë festohet fitorja”.
Pasi kujtoi domethënien e cakut, e jo vetëm në ragbi, Papa shtoi:
“Ndoshta ky shpjegim nuk është shumë teknik, por është mënyra si e shikon ipeshkvi ragbinë”.
Papa i uroi, më pas ragbistët e Italisë e të Argjentinës, t’i vënë në jetë, edhe jashtë fushës së lojës, vlerat e ragbisë:
“Unë lutem për ju, ju uroj çka është më e mirë. Por edhe ju lutuni për mua, që edhe unë me bashkëpunëtorët e mi, të formojmë një skuadër të mirë e të arrijmë tek caku”.
Audienca me kombëtaret e Italisë e të Argjentinës ndjek takimin e Papës, më 13 gushtin e kaluar, me delegacionet e skuadrave të futbollit të dy vendeve, para ndeshjes miqësore, luajtur në Romë:
Shikoj me kënaqësi se ndërmjet Italisë e Argjentinës ka shumë takime sportive. Kjo është gjë e mirë, shenjë e mirë, që flet për traditën e madhe, në vijim, ndërmjet dy Kombeve”.
Kapitenët e të dyja skuadrave i dorëzuan Papës një fidan ulliri që nesër, para ndeshjes, do të mbillet simbolikisht, në fushën e Stadiumit Olimpik, për t’u zhvendour, pastaj, në Kopshtet e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.