Papa Takon bashkësinë e filipinasve: Pse-ja është lutja më e dobishme
Sot pasdite Papa Françesku takoi bashkësinë e filipinasve të mbledhur në Bazilikën
e Shën Pjetrit, tek Altari i Shpallje së Fesë. Bashkësia e filipinasve, e udhëhequr
nga Ariqpeshkvi i Manilës, kardinali Tagle, u takua në bazilikën e Vatikanit me rastin
e bekimit të mozaikut të shën Pjeter Kalungsodit. Gjatë takimit Papa u drejtoi këto
fjalë të pranishmëve: “Falënderoj vëllain tim, kardinalin Tagle, për fjalët plot
fe, plot dhimbje, plot shpresë. Gjatë këtyre ditëve edhe unë kam qenë afër popullit
tuaj. E kam ndjerë se prova ka qenë e fortë, tepër e fortë. Por kam ndjerë se edhe
populli ishte i fortë. Ajo që tha kardinali është e vërtetë: feja ngrihet nga rrënojat.
Solidariteti i të gjithëve në momentin e provës. Pse ndodhin këto gjëra? Nuk mund
të shpjegohet. Janë të shumta gjërat që nuk mund t’i shpjegojmë. Kur fëmijët fillojnë
të rriten, nuk i kuptojnë gjërat e fillojnë t’i bëjnë pyetje nënës e atit të tyre:
“Baba, pse? Pse? Pse?”. Psikologët e quajnë “mosha e pse-së”, “mosha e pse-së”. Sepse
fëmija nuk kupton… Por, po të jemi të vëmendshëm, shohim se fëmija nuk pret përgjigje
nga i ati apo nga e ëma: vjen pse-ja tjetër, e pse-ja tjetër… Në atë pasiguri fëmija
ka nevojë që i ati dhe e ëma të shikojnë. Ka nevojë për sytë e prindërve të tij, ka
nevojë për zemrën e prindërve të tij. Gjatë momenteve të kësaj vuajtjeje të madhe
mos u lodhni kurrë së thëni: Pse?”. Si fëmijët… Kështu do të tërhiqni shikimin e Atit
tonë mbi popullin tuaj; do të tërhiqni kah vetja ëmbëlsinë e atit të qiellit. Siç
bën fëmija kur pyet: “Pse? Pse?”. Gjatë këtyre momenteve të dhimbjes, kjo forcë le
të jetë lutja më e dobishme, lutja e pse-së. Por, pa kërkuar shpjegime. Duhet kërkuar
vetëm që Ati ynë të na shikojë. Edhe unë ju shoqëroj, ju, me këtë lutje të përse-së”.