2013-11-21 14:52:15

Papa Kishave Lindore: nuk mund ta mendojmë Lindjen e Mesme pa të krishterë


Nuk mund ta mendojmë Lindjen e Mesme, pa të krishterë. Është një nga fragmentet e forta të fjalimit të Papës Françesku, drejtuar, sot paradite, pjesëmarrësve të mbledhjes plenare të Kongregatës për Kishat Lindore. Papa i nxiti të gjithë besimtarët të luten vazhdimisht për paqen në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Siri e në Tokën e Shenjtë.
Pak përpara, Ati i Shenjtë u takua me Patrikët e Kishave Lindore Katolike, të cilët i ftoi të zgjedhin rrugën e sinodalitetit e të përkimit të plotë për çështjet më të rëndësishme të Kishës.
Nga ana e Kishave Lindore, Papën e përshëndeti kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës përkatëse.

Të krishterët e Tokës së Shenjtë duhet të jetojnë në paqe! Papa shfrytëzoi rastin e audiencës me plenaren e Kongregatës për Kishat Lindore, për të përsëritur thirrjen, plot merak, për të krishterët e Lindjes së Mesme mbi të cilët, vërejti, rëndon barra e pasojave të tensioneve e të konflikteve në vijim. Ata jetojnë si grigjë e vogël, shtoi, në një atmosferë shpesh herë armiqësore, ngarkuar me konflikte, që s’u shihet fundi e nganjëherë edhe me persekutime. E Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht në Siri, Irak, Egjipt e në Tokën e Shenjtë, duke theksuar, me emocion të thellë se, kur kujtohen situata të tilla, nuk mund të mos mbushen sytë me lot:
“Ipeshkvi i Romës nuk mund të jetë i qetë, derisa të ketë burra e gra që, pavarësisht nga feja, lëndohen në dinjitetin e tyre, detyrohen të jetojnë si të shpërngulur e si refugjatë. Sot, së bashku me barinjtë e Kishave të Lindjes, bëjmë thirrje të respektohen të drejtat e të gjithëve për jetë dinjitoze e për praktimin e lirë të fesë. Nuk mund të dorëzohemi e ta mendojmë Lindjen e Mesme pa të krishterë! Pa ata, të cilët që prej dymijë vjetësh e dëshmojnë emrin e Jezusit, të përfshirë, si qytetarë me titull të plotë, në jetën shoqërore, kulturore e fetare të kombeve, të cilave u përkasin”.
Në vijim Papa nënvizoi se çdo katolik duhet ta ndjejë borxhin shpirtëror ndaj Kishave, që jetojnë në këto zona e të lutet për ta, plot mirënjohje:
“Prej tyre mundemi, ndërmjet tjerash, të mësojmë se duhet të përpiqemi ditë për ditë për të jetuar me frymë ekumenike, në dialog ndërfetar. Rrethanat gjeografike, historike e kulturore, në të cilat jetojnë prej shekujsh, i bënë bashkëbisedues të natyrshëm me një mori konfesionesh të tjera e fesh të tjera”.
Por Papa nuk mendon asnjëherë vetëm për të krishterët. Mendimi i Atit të Shenjtë përfshin mbarë popujt e Lindjes së Mesme, që vuajnë, e në mënyrë të posaçme, më të vegjëlit, më të ligështit. Të vigjëlojmë, si rojet biblike të agimit, të sigurt se Zoti nuk do të na e mohojë kurrë ndihmën e tij, theksoi:
I drejtohem prandaj, mbarë Kishës, për ta nxitur të lutet, me një lutje që di të nxjerrë nga zemra e mëshirshme e Zotit hirin e pajtimit e të paqes. Lutja çarmatos padijen e lind dialogun, atje ku konflikti vijon. Nëse do të jetë e sinqertë e ngulmuese, do ta bëjë zërin tonë të butë e të vendosur, të aftë për t’u dëgjuar edhe nga drejtuesit e Kombeve”.
Papa foli edhe për përmasën e diasporës, që rritet vazhdimisht në çdo kontinent, temë kjo, në plan të parë, gjatë Plenares së Kongregatës për Kishat Lindore:
Duhet bërë ç’është e mundur që mësimet konciliare të vihen në jetë, duke lehtësuar kujdesin baritor si në territoret e veçanta, ashtu edhe atje ku bashkësitë lindore jetojnë prej shekujsh e duke nxitur bashkimin e vëllazërinë me bashkësitë e riti latin. Nga kjo mund të krijohet një atmosferë e re gjallërie, që mund të ndikojë mbi organizmat këshillimore ekzistuese në Kishat e veçanta e në lidhjet e tyre me Selinë e Shenjtë”.
Mendimi i Papës shkoi edhe në Jeruzalem ku, theksoi, kemi lindur shpirtërisht të gjithë, duke uruar të mbretërojë paqja e duke kërkuar ndërmjetësimin e Gjonit XXIII e të Gjon Palit II, si dhe të Virgjërës Mari.
Papa vuri në dukje edhe lulëzimin e disa Kishave lindore, që vuajtën për një kohë të gjatë nën thundrën e regjimeve komuniste dhe shprehu vlerësimin lidhur me impenjimin e Plenares për t’u çuar këtyre Kishave hirin e Koncilit II të Vatikanit dhe mësimet e Papës mbi Lindjen e krishterë.Ati i Shenjtë u bëri përsëri thirrje ipeshkvijve e i porositi që dëshmia e tyre të jetë e besueshme, të qëndrojnë sa më pranë meshtarëve e të impenjohen për transparencë në përdorimin e pasurive të Kishës, duke punuar gjithnjë me frymën sinodale, që i dallon Kishat Lindore.










All the contents on this site are copyrighted ©.