2013-11-21 18:41:38

Nazarena, murga vetmitare: portet


Kush ishte Motra Nazarena e Jezusit, sot në qendër të vëmendjes në takimin e Papës Françesku me simotrat e saj vetmitare? E pse duhet njohur historia e saj, që të duket sikur del nga kuvendet mistike mesjetare. E pra i përket kohëve moderne. Murga vetmitare jetoi në kohën tonë! Prej këndej, historia e saj zgjon një interes të madh për të gjithë ata, që mendojnë se figurat e kësaj natyre i takojnë tashmë kohëve të perënduara, që nuk përsëriten më. Në të vërtetë përsëriten, duke na treguar shpesh rrugën që çon tek lumturia, aq e kërkuar. Ajo është bashkëudhëtare me ne.
Në shekull Julia Krota (Glastonbury, Connecticut, 1907–Roma, 1990), motër Nazarena ishte bijë e një familjeje fshatare të emigruar në Amerikë nga Piaçenca. Ajo mundi të diplomohej në konservator e të laurohej në letërsi, duke i jetuar 30 vjetët e para të jetës ndërmjet këtyre dy arteve. Vajzë e re, plot gjallëri, e emancipuar dhe e mësuar, ajo e kishte siguruar vijimin e studimeve duke e mbajtur veten me punë nga më të ndryshmet. Kishte punuar edhe si balerinë në lokalet e Nju Jorkut, tepër larg ekstazave mistike e vegimeve, që do ta shoqëronin më pas gjithë jetën, siç lexojmë në librin shkruar nga biografi i saj, Thomas Matus. Ishte një metër e 80 e gjatë, me trup të lidhur, dashuronjëse e sporteve, posaçërisht e basketbollit, gazmore e në kërkim të vazhdueshëm të shoqërisë.
Në moshën 26 vjeçare, vajza jetoi disa çaste, që ia ndryshuan plotësisht rrugën e jetës. Natën ndërmjet së Premtes e së Shtundës së Madhe të vitit 1934 mbeti vetëm në kapelën e errët të kolegjit universitar, ku mësonte. Pas disa orësh kaluar në heshtje e në errësirë, ndjeu Dikënd që po e thërriste me emër. Dikush e ftonte për ta ndjekur në shkretëtirë: atë ças ajo pa dashurinë. Nuk kishte provuar kurrë një dashuri aq të madhe, që e pushtoi përgjithnjë. Pas këtij çasti tronditës, nisi të shkojë vazhdimisht në kishë e të praktikojë ushtrimet shpirtërore, gjithnjë më e vendosur të ndjekë jetën vetmitare, që të çon në shkretëtirë. Nuk e pati të lehtë. Nisën ta shikojnë si vajzë me shpirt jo normal, me prirje për të fantazuar, më shumë se për të parë sy më sy realitetin. Prej këndej, kur trokiti në kuvendin e karmelitaneve të Njuport, porta iu hap përgjysëm. Vijoi të trokiste. Në kuvende amerikane e italiane, po nuk u pranua. Deri në vitin 1945, kur arriti në Romën e uritur e të pushtuar e trokiti në kuvendin e varfër kamaldolez të Aventiniut, në të cilin prania e saj e heshtur e plot dashuri për të gjithë, kujtohet edhe sot e kësaj dite si ndihmesa më e madhe në jetën shpirtërore të bashkësisë.
Figurë me ngarkesë emocionale, kjo e murgeshës vetmitare. Simbol i gjallë i përvojës së klauzurës: abstrakte, si dashuria; konkrete, si vuajtja.
Duke lexuar letrat e murgeshës, shkruar atit të saj shpirtëror, të cilat simotrat e saj ia dorëzuan sot Papës Françesku, për vizitë në kuvendin e tyre, mësojmë çdo të thotë inteligjenca e dashurisë, që e bën njeriun të aftë të ndryshojë vazhdimisht e t’ia hapë plotësisht zemrën tjetrit. Në një nga letrat e vetmitares, shkruar në vitin 1997, lexojmë: “Ndoshta jeta ime e varfër, e fshehur, shterpe, e shkapërdedhur në përpjekjen për t’u dukur, ia hapi shpirtit tim portat e amshuara”. Nisi, kështu, të jetojë në korpin e vet, jetën e njerëzve të varfër, të shfrytëzuar, viktima të luftërave e të mohimeve të padrejta. Derisa u kthye në skelet. U mbyll e tëra në zemrën e Zotit. Në heshtje të thellë. U mbyll në Të e me Të. E duke u mbyllur kështu, e ndjeu vetën më afër të gjithëve, me dëshirën për t’i ndihmuar, pa i parë frytet e lutjes e të jetës së vet vetmitare, jetë feje, e pastër, e zhveshur nga gjithçka, e flijuar, pa shikuar para as mbrapa, e dhuruar për dashuri. Është një shembull më shumë i lirisë femërore. Që beson se Zoti e shikon botën, shikon në thellësinë e shpirtrave, duke vlerësuar çdo gjë, sado të vogël, që bëhet në emër të Tij e për dashuri të Tij e duke ta mbushur shpirtin me paqe!
Në vitin 1959, në një qeli 5 metra me 3, rregulluar sipas dëshirës, Julia Krota gjeti, mbi kodrën e Aventinit, ‘shkretëtirën’ e saj, atë që kishte parë në kapelën e kolegjit, kur ndjeu zërin, që e thërriste...








All the contents on this site are copyrighted ©.