2013-11-21 17:48:45

Imz. Zimowski: eutanazia është turpi i kohës sonë


U hapën sot punimet e konferencës së XXVIII ndërkombëtare të Këshillit Papnor për Punëtorët e Shëndetësisë, që trajton temën e shërbimit ndaj të moshuarve dhe të kujdesit për personat e sëmurë me sëmundje neurodegjeneruese. Në meshën e sotme Imz. Zygmunt Zimowski, që udhëhoqi kremtimin eukaristik, tha: “Shndërrimet e shoqërisë, në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, veçanërisht në vendet më të pasura, me plakjen e popullsisë, me rënien rolit mbështetës të familjes në jetën shoqërore dhe mënjanimin e shpeshtë të të moshuarve, ka sjellë ka sjellë përkeqësimin e kushteve të të moshuarve të sëmurë dhe ka shtuar tundimet për përdorimin e eutanazisë. Sot jemi lutur me të vërtetë dhe i kemi bërë thirrje botës t’i thotë ‘jo eutanazisë’, sepse është turpi i kohës sonë”.
Imz. Zimowski kujtoi se, ndërsa dikur pleqëria shihej si “periudhë urtie”, sot shihet si “faza e perëndimit”. Në një kohë kur kërkohet të jemi prodhues të mirash, rrezikohet që të moshuarit të fillojnë ta pyesin veten a është ende e dobishme ekzistenca e tyre.
Për të ilustruar vlerën e vuajtjes si dëshmi ndaj Ungjillit, kryetari i dikasterit të shëndetësisë përmendi shembullin e të lumit Gjon Pali II dhe tha se i moshuari i sëmurë mund të jetë dëshmitar i vlefshëm i lajmit të mirë.
Dhimbja mund ta çojë njeriun drejt dëshpërimit ose drejt afrimit me Zotin, prandaj, kush merret me përkujdesjen shpirtërore të të sëmurëve, duhet të jetë në gjendje të tregojë horizontin e shpresës. Sakramenti i rrëfimi dhe i vajimit janë mjetet konkrete të hirit për rimëkëmbjen e shpresës së të sëmurëve.
Dy janë rreziqet përballë të cilëve gjendemi, kur sëmundja merr përmasa të skajshme: tepria terapeutike dhe eutanazia. E para ndodh më rrallë sot dhe Kisha nuk e ka mbështetur asnjë herë, sepse shkon kundër dinjitetit të njeriut dhe i heq njeriut lirinë që duhet për t’u përgatitur për vdekjen. Kundër eutanazisë Kisha jep dy përgjigje: nga njëra anë u kujton mjekëve parimin e patjetërsueshëm të shenjtërisë dhe paprekshmërisë së jetës, nga ana tjetër vë në dukje se kërkesa për eutanazi vjen ngaqë njeriun e lëshon zemra, prandaj përgjigja nuk mund të vijë nga teknika mjekësore, por nga teknika e zemrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.