Në kapitullin e tretë të enciklikës Drita e fesë trajtohet me vëmendje të veçantë
tema e përçimit të fesë. Kemi parë të enjten e kaluar se feja nuk buron prej vetë
njeriut, që bëhet besimtar, por lind në takimin me një “ti” dhe themelon bashkësinë
e të gjithë atyre që e pranojnë këtë dhuratë. Dëshmia është mënyra e përçimit
të fesë, por cila është forma e përçimit të saj? Fjala kujtesë është
e rëndësishme për të gjetur një pikënisje për shpjegimin e formës së përçimit të fesë.
Kisha është si një familje, që ruan brez pas brezi kujtesën e saj. Ruajtja e kujtesës
themeltare të Kishës quhet Tradita Apostolike. Pra, ajo që na kanë lënë Apostujt si
dëshmi dhe mësime rreth Krishtit, përmbledh gjithçka që na shërben për të jetuar
një jetë të shenjtë dhe për të rritur fenë e Popullit të Hyjit. Përçimi i kësaj
tradite ka veçori krejtësisht të vetat, sepse përmbajtja e dëshmisë, pra feja e krishterë,
nuk është thjesht një doktrinë. Për të përçuar një doktrinë do të mjaftonte ndoshta
një libër ose gojëdhëna, por ajo që përçon Kisha është Tradita e gjallë, “është drita
e re që lind nga takimi me Hyjin e gjallë, një dritë që e prek njeriun në qendrën
e vet, në zemër, që përfshin mendjen e tij, vullnetin dhe dashurinë, që e hap ndaj
marrëdhënieve të gjallërishme, të cilat përbëjnë bashkësinë me Hyjin dhe me të tjerët”
(n. 40). Mjeti i veçantë për të përçuar plotësinë e fesë është Sakramenti. Me anë
të Sakramentit përçohet “kujtesa e mishëruar, e lidhur me vendet dhe kohët e jetës
dhe ndërvepruese me të gjitha shqisat” (n. 40). Feja e krishterë, thotë enciklika,
ka strukturë sakramentale. Ajo përçohet me anë të Pagëzimit. Pagëzimi nuk është thjesht
“një mënyrë për të simbolizuar shpalljen e fesë, një akt pedagogjik për dikë që ka
nevojë për shëmbëllime dhe gjeste” (n. 41). Pagëzimi është akti që shenjon me të vërtetë
ekzistencën e njeriut, sepse, siç thotë shën Pali “me anë të pagëzimit jemi varrosur
me Krishtin në vdekje, me qëllim që, sikurse Krishti u ringjall nga të vdekurit me
anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të mund të ecim në një jetë të re” (Rm 6,4).Të
krishterit i dorëzohet, në pagëzim, një formë mësimi, të cilit i pagëzuari i bindet
me gjithë zemër. Kjo bindje kërkon përfshirjen e krejt jetës, prandaj sakramenti i
rilindjes përmes ujit e zhvendos ekzistencën personale në një rrafsh krejtësisht të
ri, në të cilin përmasa e bashkësisë bëhet përmasë strukturore e ekzistencës personale.
Sikurse njeriu nuk mund t’i japë fenë vetes, ashtu as nuk mund ta pagëzojë vetveten.
Kisha, duke i dhënë pagëzimin, e përfshin njeriun në bashkësinë e shenjtërve.Forma
e mësimit, që merr i krishteri në pagëzim, është ajo, në emrin e të cilës pagëzohet:
forma e Trinisë. Hyji, që është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, i jep të pagëzuarit
identitetin e birit. Nëpërmjet ujit të pagëzimit, “unë-i” i njeriut i hapet “Unë-it”
më të madh të Hyjit. “Struktura e pagëzimit, ravijëzimi i tij si rilindje, në
të cilën marrim një emër të ri e një jetë të re, na ndihmon të kuptojmë domethënien
dhe rëndësinë e pagëzimit të fëmijëve. Fëmija nuk është i aftë të kryejë aktin e lirë
të pranimit të fesë, ende nuk mund ta shpallë vetë fenë, për këtë arsye, në emër të
tij e shpallin prindërit dhe nuni. Feja jetohet brenda bashkësisë së Kishës, është
e shartuar brenë “ne-së” së përbashkët. […] Kjo strukturë e pagëzimit vë në dukje
rëndësinë e bashkëveprimit ndërmjet Kishës dhe familjes për përçimin e fesë” (n. 43). Struktura
sakramentale e fesë shprehet më së miri me anë të Eukaristisë. Tek Eukaristia kryqëzohen
dy boshtet mbi të cilët ecën feja: ai i historisë dhe ai që na çon nga bota e dukshme
në botën e padukshme. Eukaristia është vepër e kujtesës. Në kremtimin eukaristik e
shkuara, misteri i pashkëve të Krishtit, bëhet e pranishme në të sotmen dhe na hap
të ardhmen. Me anë të saj mësojmë të shikojmë përtej realiteteve të dukshme, realitetet
e padukshme, ose, më mirë, shndërrimin e gjithësisë që udhëton drejt plotësisë përfundimtare
në Hyjin. Gjatë kremtimit eukaristik Kisha e përçon kujtesën e saj me anë të shpalljes
së fesë, që nuk është thjesht pranimi i disa të vërtetave abstrakte: “Mund të themi
se, me anë të Besojmës, besimtari ftohet të hyjë në misterin që shpall e të
shndërrohet nga ajo që shpall. […] Nuk mund t’i shqiptojë me vërtetësi fjalët e Besojmës,
nëse, duke i shqiptuar, nuk shndërrohet prej saj, nëse nuk hyn në historinë e dashurisë,
që e përqafon, që e zmadhon qenien e tij, duke e bërë pjesëtar të një bashkësie të
madhe, të subjektit të fundit që e shqipton Besojmën dhe që është Kisha” (n.
45).