2013-11-20 15:34:28

Të përngjamët e Krishtit


Kap. I: “Kush vjen pas meje, nuk ecën në errësirë” (Gj 8,12). Këto janë fjalët e Jezusit, që na nxisin të imitojmë jetën dhe sjelljen e tij, nëse duam të jemi vërtetë të shndritur e të çliruar nga çdo verbëri shpirtërore. Kujdesi ynë më i madh duhet të jeta ai i përsiatjes mbi jetën e Jezusit. Megjithatë, ndodh që shumë njerëz, edhe pse e dëgjojnë shpesh Ungjillin, nuk ndjejnë ndonjë dëshirë të madhe për të, sepse nuk kanë frymën e Krishtit. Por, kush dëshiron t’i kuptojë plotësisht dhe t’i shijojë fjalët e Krishtit, duhet të përpiqet t’i japë jetës së vet trajtën e Krishtit. Njeriun nuk e bëjnë të shenjtë e të drejtë arsyetimet e thella, por e bën të shtrenjtë për Hyjin jeta e virtytshme. Është më mirë ta përjetoj pendesën, sesa të di si ta përkufizoj.
Kap II: Arsyetimet e shumta nuk e kënaqin shpirtin, por jeta e mirë e freskon mendjen dhe ndërgjegjja e pastër mbështetet fort në Hyjin. Sa më e madhe e më e thellë të jetë dija jote, aq më rreptë do të gjykohesh, për shkak të saj, përveç nëse ke jetuar shenjtërisht.
Kap. III: Kush dëgjon fjalën e amshuar lirohet nga fjalët e shumta. Prej asaj fjale të vetme rrjedhin të gjitha gjërat dhe të gjitha gjërat atë fjalë shpallin. Ajo është ”parimi” që vijon t’u flasë njerëzve. Askush nuk kupton e askush nuk gjykon si duhet pa atë fjalë. Vetëm ai që i dëgjon të gjitha gjërat si një gjë të vetme dhe i mbart drejt bashkimit e i vështron të gjitha brenda bashkimit, mund të gëzojë paqen shpirtërore e mund të banojë në Hyjin në paqe. O Hyj, ti që je vetë e vërteta, bëj që unë të jem një gjë e vetme me ty, në dashurinë pa fund. Shpesh lodhem duke lexuar shumë gjëra, apo duke i dëgjuar. Ajo që unë dua e dëshiroj gjendet plotësisht në ty. Le të heshtin të gjithë mësuesit, le të heshtin të gjitha krijesat para teje: vetëm ti më fol!”
Jo, kush studion nuk bën faj, e aq më pak ai që thjesht i njeh gjërat. Njohja, në vetvete, është një e mirë që e a dashur vetë Hyji, por vlen më shumë të njohësh mirë veten e jetosh me virtyt. Shqetësohemi më shumë për sa më shumë dije, sesa për të jetuar si duhet. Po t’i kushtonim aq rëndësi çrrënjosjes së veseve dhe mbjelljes së virtyteve, sa u kushtojmë stërhollimeve filozofike, nuk do të kishte kaq shumë të këqija e shkanduj ndër njerëz e as kaq shthurje nëpër kuvende. Me siguri, kur të vijë dita e gjykimit, nuk do të na pyesin a kemi ditur të flasim bukur, por a kemi ditur të jetojmë me devocion.
Kap. IV: Sa më i përvuajtë të jetë njeriu në vetvete dhe sa më i nënshtruar ndaj Hyjit, as më i ditur do të jetë e aq më i qetë në çdo gjë.








All the contents on this site are copyrighted ©.