Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti e fal mëkatarin e penduar, Kisha është shërbëtore
e misionit të mëshirës
Zoti nuk lodhet kurrë duke falur; përmes misionit të meshtarit të shtrëngon ndër krahë
me një përqafim, që të rilind e të ndihmon të ngrihesh përsëri në këmbë. Të rifillosh
ecjen, pas rrëzimit. Këtë theksoi me forcë Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme,
mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Katekizmi ishte vijim i atij të së mërkurës së
kaluar, kushtuar faljes së mëkateve.
Shpirti Shenjt është burim paqeje, gëzimi.
Nga Ai gurron falja e mëkateve. Plagët e Jezusit, kujtoi Papa, janë haraçi, që paguan
Zoti, për shëlbimin tonë, për të na ndihmuar të rilindim në një jetë të re, larg mëkatit. “Shpirti
Shenjt na sjell faljen e Hyjit, duke kaluar përmes plagëve të Jezusit. Plagëve, që
Ai deshi t’i ruante. Edhe në këtë çast, në qiell, ai ia tregon Atit plagët, përmes
të cilave na shfajsoi, na shëlboi. Mëkatet tona falen pikërisht për virtyt të forcës
sëkëtyre plagëve”. Jezusi u jep Apostujve forcën t’i falin mëkatet.
Kishës, shtoi Papa Françesku, iu la në dorëzim pushteti i çelësave, simbol biblik
i misionit të ngarkuar nga Jezusi: “Zoti e fal çdo njeri, me mëshirën e tij
sovrane, por Ai vetë deshi që ata, të cilët i përkasin Krishtit e Kishës së Tij, ta
fitonin faljen me anën e meshtarëve, që i shërbejnë Bashkësisë”. Përmes misionit
apostolik, i krishteri provon mëshirën e Zotit dhe faljen e fajeve. Kisha, shenjte,
por njëkohësisht nevojtare për pendesë, shpjegoi Papa, na shoqëron në kthesën tonë
të vazhdueshme, gjatë gjithë udhës së jetës: “Kisha nuk është pronare e pushtetit
të çelësave: nuk është pronare, por shërbëtore e misionit të mëshirës e ngazëllen,
sa herë që mund ta japë këtë dhanti hyjnore”. Por sot ka shumë njerëz, që nuk
arrijnë ta kuptojnë përmasën kishtare të faljes, sepse në botën, ku jetojmë, sundon
individualizmi, subjektivizmi. Njerëzit duan të jenë zotër të vetvetes e të botës,
ku jetojnë. E edhe të krishterët nuk shpëtojnë nga ndikimi i kësaj mendësie: “Zoti
e fal çdo mëkatar të penduar, personalisht, por i krishteri lidhet me Krishtin, e
Krishti me Kishën. E ne, të krishterët, kemi një dhuratë më shumë, por edhe një detyrë
më shumë: të kalojmë përvuajtërisht përmes misionit kishtar”. I krishteri nuk
duhet të lodhet kurrë duke kërkuar falje. Sakramenti i Rrëfimit është çasti, që na
siguron se Zoti na fal: “Zoti më fal e unë jam krejt i sigurt për këtë në çastin,
kur rrëfehem. Jam i sigurt se Zoti më fali. E kjo është mrekullisht e bukur! Sepse
na siguron për atë, që e themi gjithnjë: Zoti fal! Nuk lodhet duke falur! E as ne
nuk duhet të lodhemi duke shkuar për ta kërkuar këtë falje”. Ndoshta turpërohemi,
kur nisemi drejt rrëfyestores, por kjo ndjenjë nuk duhet të bëhet pengesë e të na
largojë nga ai vend, ku pajtohemi me Zotin: “Nënat tona e gjyshet tona na thoshin
gjithnjë se është më mirë të skuqesh flakë një herë, sesa të zverdhesh njëmijë herë,
apo jo? E ti skuqesh një herë, të falen mëkatet e shkon përpara, me shpirtin e lehtë
të njeriut pa njollë”. Meshtari është mjeti i faljes së mëkateve, njeri që,
si ne, ka nevojë për mëshirë. Është mjet i mëshirës, duke dhuruar dashurinë e Hyjit
Atë. Të gjithë, tha Papa, jemi mëkatarë: “Edhe meshtarët duhet të rrëfehen,
e edhe ipeshkvijtë: jemi mëkatarë të gjithë. Edhe Papa rrëfehet një herë në pesëmbëdhjetë
ditë, sepse edhe Papa është mëkatar! E rrëfyesi i dëgjon gjërat që i them, më këshillon
e më fal, sepse të gjithë kemi nevojë për këtë ndjesë”. Ndokush, kujtoi më
pas Papa, mund të mendojë se është më mirë të rrëfehesh drejtpërdrejt me Zotin...: “Po,
Zoti të dëgjon gjithnjë, por në Sakramentin e Rrëfimit të çon edhe një vëlla, për
të të dhuruar faljen, sigurinë se je i falur, në emër të Kishës”. Shërbimi,
që kryen meshtari, si i ngarkuar nga Zoti për të falur mëkatet, është tejet delikat...: “...
e kërkon që zemra e tij të jetë në paqe; që meshtari ta ketë zemrën në paqe, të
mos i keqtrajtojë besimtarët, por të jetë i butë, i mëshirshëm; të dijë të mbjellë
shpresë ndër zemra e, mbi të gjitha, të jetë i vetëdijshëm se vëllai a motra, gjunjëzuar
për të marrë Sakramentin e Pajtimit, kërkon falje dhe e bën këtë, ashtu si bënin njerëzit,
kur i luteshin Jezusit t’i shëronte”. Më pas Ati i Shenjtë vijoi të shpjegonte: “Meshtari,
që nuk e ka këtë gjendje shpirtërore, është e mira që, pa u ndrequr, të mos e mbarështojë
këtë sakrament. Besimtarët pendestarë kanë detyrë? Jo, kanë të drejtë. Ne kemi të
drejtë, të gjithë besimtarët, që të gjejmë në meshtarët, shërbëtorë të faljes së Zotit”. Papa
Françesku, në përfundim, u drejtoi disa pyetje themelore zemrave të krishtera: “Të
dashur vëllezër, si gjymtyrë të gjalla të Kishës, po ju pyes: a jemi të vetëdijshëm
për bukurinë e kësaj dhurate, që na e jep Zoti vetë? A e ndjejmë gëzimin e këtij
mjekimi, të kësaj vëmendjeje amtare, që ka Kisha për ne? A dimë ta vlerësojmë me thjeshtësi?”. Zoti,
tha në përfundim Papa, nuk lodhet kurrë duke falur. Zoti na fal, kur pendohemi e bëjmë
kthesën, që të çon drejt Tij!