2013-11-19 11:01:02

Papa Françesku takohet me atë Chiera-n, engjëll roje i ‘meninos de rua”


Në Meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, mori pjesë edhe atë Renato Chiera, themelues i “Casa de menor”(Shtëpia e të miturve), në Rio-de-Janeiro, që prej më se 40 vjetësh pranë fëmijëve të pa strehë të Brazilit. Për atë Renaton, shembull i bariut ‘që i vjen era dele’, takimi me Papën Françesku ishte çast tejet prekës e, njëkohësisht, edhe inkurajim i madh për ta vijuar misionin e tij në periferitë e jetës, në Brazil. Menjëherë mbas Meshe, i drejtuam mikrofonin tonë. Ta dëgjojmë Atë Renato Chiera-n, që na përgjigjet tejet i emocionuar:

Përgjigje: - Emocion i madh, që e kam edhe tani, kur po flas. Papa më duket si të ishte vetë Jezusi, i gjallë mes nesh, që vjen ndërmjet njerëzve, që përkulet mbi plagët e njerëzimit. Gjatë Meshës pashë edhe thellësinë e takimit të Atit të Shenjtë me Zotin, në një formë, që më preku jashtëzakonisht. Pastaj, çasti tjetër i gëzimit, kur munda t’i paraqes punën tonë të vogël, Shtëpinë e të Miturve. T’ia paraqes Kishës, e me të, vetë Jezusit, atë që po përpiqemi të bëjmë në rrethinat e Rios, pranë fëmijëve të padëshiruar, të padashur. Papa na nxit gjithnjë të dalim rrugëve, të shkojmë në periferitë, në skutat e skajet e jetës. E unë mund të them se e bëj këtë prej 36 vjetësh. E ndjej se Zoti do pikërisht këtë.

Pyetje: - A ju tha ndonjë fjalë të veçantë Papa, kur u takua me ju, pas Meshe? Sidomos, për fëmijët e rrugëve, që ju i mblidhni nën strehën e “Casa do menor”?

Përgjigje: - I dhashë librin tim ‘Prania’, e ai më tha: “Ah! Prania!”. E unë: “Ju jeni prani dashurie! E më thoni: ‘Lutuni për mua!”. Kur i thashë se punoj në periferi, me fëmijët e rrugëve, ai u përgjigj: “Punë e bukur, punë shumë e bukur”. Pastaj i paraqita letrat e fëmijëve e i tregove se duam të bëjmë një ‘kupë të botës’, me të rinjtë e pastrehë, që kanë hyrë në rrugë të re, një kupë alternative. E shtova: “Kemi nevojë edhe për ndihmën tuaj. Është e shkruar edhe në një nga letrat, që kam këtu me vete”. Pastaj, si me shaka, shtova: “Shiko, Atë i Shenjtë, edhe unë jam piemontez, si ju, nga një vend pranë Astit, prandaj ju solla një shishe verë Asti e një torrone Albe”. E ai qeshi. Pastaj mora guximin e i thashë: “A mund t’ju jap një përqafim brazilian?”. Mora përgjigjen: “Po”. E atëherë e rroka fort dhe e falënderova për vizitën në Brazil, ku Papa e kuptoi se për të hyrë në gjirin e popullit brazilian, duhet kaluar nëpër zemër.

Pyetje: - Çfarë do t’u çoni nga ky takim, fëmijëve dhe të rinjve të rrugës?
Përgjigje: - Do t’u çoj dashurinë e Zotit për ta, përmes dashurisë, që tregoi Papa me përqafimin, me bekimin e tij. Këta fëmijët tanë, të rinjtë tanë, siç e kam thënë shumë herë, e nuk ngurroj ta përsëris, mbi të gjitha kanë nevojë për dashuri. Duhen dashur. Kisha, përmes Papës me mish e gjak, është dashuria e Hyjit për ta. E dukshme. E prekshme. E kjo është dhurata më e madhe, që dua t’u çoj.







All the contents on this site are copyrighted ©.