2013-11-19 17:27:06

Konferenca e Punëtorëve të Shëndetësisë. Imz. Zimovski: ndihmë e jo eutanazi për të sëmurët me Alzheimer


“Kisha në shërbim të të moshuarit të sëmurë: kujdesi për njerëzit me patologji neurodegjeneruese”. Kjo është tema e Konferencës së 28-të ndërkombëtare të Këshillit Papnor për Punëtorët e Shëndetësisë, që do të fillojë të enjten. Ngjarja kulmore e takimit do të jetë takimi me Papën Françesku, të shtunën paradite në Sallën Pali VI. Konferenca, në të cilën do të marrin pjesë 700 veta nga 57 vende (mjekë, hulumtues, vullnetarë dhe personalitete kishtare), është paraqitur sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit.
Njerëzit me Alzheimer (Alchajmer) në të gjithë botën janë 35 milionë dhe çdo vit regjistrohen gati 8 milionë raste të reja. Kryetari i dikasterit për Punëtorët e Shëndetësisë Imzot Zygmund Zimowski e nisi kumtesën duke vënë në dukje pikërisht përhapjen e kësaj patologjie të tmerrshme, që është patologjia më e përhapur e demencës senile (çrregullimi i funksioneve mendore në pleqëri). Imz. Zimowski tha se, siç e ka përsëritur disa herë edhe Papa Françesku, duket të vihemi në veprim për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, në të cilën të respektohen edhe ata që janë më të dobët.
“Duhet të angazhohemi gjithmonë në mbështetje të jetës, me qëllim që kush nuk konsiderohet ‘prodhimtar’ nga pikëpamja ekonomike, kush nuk është ‘i dobishëm’, të mos mënjanohet, madje të mos asgjësohet, siç vërtetohet nga numri i lartë i aborteve dhe nga përhapja e dukshme e eutanazisë”.
Pastaj, duke u ndalur tek veprimtaria baritore në këtë fushë, nënvizoi se “të ungjillëzosh pleqërinë do të thotë të zbulosh , mundësitë origjinale që gjenden brenda saj”, si edhe vlerat e saj:
"Me anë të solidaritetit ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve kuptohet se në të vërtetë Kisha është familja e të gjithë brezave, brenda së cilës secili duhet të ndjehet në shtëpi e ku nuk mbretëron logjika e përfitimit dhe e zotërimit, por ajo e mosinteresit dhe dashurisë. Jeta, kur bëhet e brishtë, gjatë viteve të pleqërisë, nuk e humb kurrë vlerën dhe dinjitetin e saj”.
Më tej, vijoi Imz. Zimowski, është e domosdoshme “para së gjithash të përfshihen vazhdimisht personat e moshuar në jetën dhe në misionin e Kishës”. Duhet “të përhapim dashurinë dhe mirëkuptimin kundrejt të moshuarve qysh në gjirin familjar” dhe “të përjashtojmë me vendosmëri çdo formë të eutanazisë së njerëzve të moshuar”. Nënsekretari i dikasterit, Imz. Mupendawatu, nga ana tjetër, njoftoi se, përveç Konferencës, do të ketë edhe dy ngjarje të tjera të rëndësishme: mbledhja e këshillit drejtues të Komitetit të ri Ndërkombëtar të Institucioneve Shëndetësore Katolike dhe një takim kushtuar Projektit “Africae Munus”. Në fund, gjatë Konferencës, do të paraqitet edhe një skedë me temën: “Veprimtaria baritore në shëndetësi dhe ungjillëzimi i ri për përçimin e fesë”. Gjatë konferencës foli edhe doktoresha Gabriella Salvini Porro, kryetare e Federatës Alzheimer Italia. Ajo dha një dëshmi prekëse si bijë e një nëne të sëmurë me Alzheimer, e cila ka vdekur gjatë viteve kur kjo patologji mezi diagnostikohej. Pastaj denoncoi institucionet që edhe sot nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur të sëmurëve me Alzheimer:
“Fakti është ky: nuk janë të rëndësishëm, sepse nuk prodhojnë as ekonomikisht, as si votues. Por janë të sëmurë, janë njerëz me një dinjitet e një histori”.
Pikërisht për t’iu kundërvënë kësaj situate, shtoi, ka lindur Federata, e cila është e angazhuar për të ndihmuar në mënyra të ndryshme familjet, veçanërisht nëpërmjet telefonit, këshillimeve, formimit dhe tani edhe me një “App” për telefonat celularë. Mbi rolin kyç që duhet të luajë familja në kujdesin ndaj të sëmurëve me Alzheimer u ndal një nga ekspertët më të mëdhenj të kësaj patologjie në Itali, doktor Gabriele Carbone:
“Kjo është një sëmundje që mund të quhet me të drejtë ‘sëmundje familjare’. Në të gjitha pikëpamjet, familja është vendi ideal për kujdesin ndaj këtyre sëmurjeve: janë të sëmurë që humbin aftësitë njohëse dhe që, po të zhvendosen nga mjedisi i tyre, merret me mend si mund të përkeqësohen”.
Ja pse, vërejti doktor Carbone, duhet t’i mbështesim në mënyrë konkrete familjet që kanë të sëmurë me Alzheimer, që të mos ndjehen të vetmuara dhe të braktisura.








All the contents on this site are copyrighted ©.