2013-11-18 17:56:10

Të përngjamët e Krishtit: Shpirti i përkushtuar


Të dielën e ardhshme, më 24 nëntor, Papa Françesku mbyll në Vatikan, Vitin e Fesë, shpallur nga Benedikti XVI me qëllim që çdo besimtar të rishikojë edhe një herë rrënjët, bazën, mbi të cilën ngrihet feja e tij. Gjatë kësaj jave, do t’ju propozojmë çdo ditë një reflektim të shkurtër, marrë nga libri “Të përngjamët e Krishtit”, një vëllim i vogël, i cili që prej shekujsh, është pikë referimi për përshpirtërinë e krishterë. Vërtet, ky libër me autor të panjohur, pavarësisht se dihet që është shkruar në ambientet murgare të shekujve XIII-XIV, është ndoshta libri më i lexuar pas Ungjillit e përvijon udhën asketike për ta kërkuar Zotin, për të braktisur “njeriun e vjetër” e për të formuar “njeriun e ri”, që i ka rrënjët në Krishtin. Reflektimi i sotëm, marrë nga kapitulli XX, flet për “Shpirtin e përkushtuar”.
“Kërkoje kohën e përshtatshme për të menduar për veten dhe reflekto vazhdimisht mbi të mirat, që vijnë prej Zotit – këshillon teksti. Lëre mënjanë çdo gjë, që të tërheq si njeri; medito për argumente, që ta brejnë ndërgjegjen… Kohën e mjaftueshme për t’iu kushtuar meditimeve të mira do ta gjesh duke hequr dorë nga fjalët e tepërta e të padobishme e nga dëgjimi i thashethemeve për ngjarjet e ditës… Ai që dëshiron të arrijë përshpirtërinë më të thellë, së bashku me Jezusin, duhet të tërhiqet larg njerëzve. Vetëm ai që nuk do të duket, qëndron në mesin e njerëzve pa gabuar; vetëm ai që e pëlqen heshtjen, nuk flet kotësi; vetëm ai që e do nënshtrimin, shkëlqen pa gabuar; vetëm ai që do të bindet, komandon pa devijuar nga udha e drejtë… Në heshtje e në qetësi, shpirti i përkushtuar bëhet aq më intim me Krijuesin e vet, sa më tepër të rrijë larg çdo zhurme të kësaj bote… gjëja më e mirë është të rrish veç e të kujdesh për të arritur përsosurinë, se sa të bësh mrekulli… lartoi sytë kah Zoti e lutu për mëkatet e mungesat e tua. Mos pyet për kotësinë e njerëzve të kotë; ti prit Atë, që të urdhëron, Zotin. Mbylle portën brenda vetes, thirr pranë teje Jezusin, të dashurin tënd e rri me Të në këtë dhomë, sepse një paqe më të madhe se kjo nuk do ta gjesh askund”.

Ungjilli sipas Mateut (6,6-8)
“…Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni”.








All the contents on this site are copyrighted ©.