2013-11-18 17:54:03

Papa: Zoti na shpëtoftë nga shpirti i botës, që tregton gjithçka dhe nga mendimi unik


“Zoti na shpëtoftë nga shpirti i botës, nga mendësia e botës, që shet e blen gjithçka, e jo vetëm vlerat, por edhe fenë. Këtë pohoi sot paradite Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Më pas Papa vërejti se është e nevojshme të ruhemi nga “globalizimi i uniformitetit hegjemonik”, fryt i mendësisë së botës.

Popullit të Hyjit i pëlqen të largohet nga Zoti, përballë propozimeve të botës. Papa Françesku e mori shtytjen nga Leximi i Parë, një fragment i Librit të Makabejve, për t’u ndaluar tek rrënja e mbrapshtë e mendësisë së botës. Prijësit e popullit, nënvizoi Papa, nuk duan më që Izraeli të mbetet i veçuar nga kombet e tjera e kështu vendosin t’i braktisin traditat e tyre, të shkojnë e të bisedojnë me mbretin. E edhe shkojnë. Bisedojnë me mbretin. Plot me entuziazëm për këtë. Është njëlloj si të thoshin: “Jemi progresistë, ecim me progresin, ashtu si gjithë bota”. Në këtë sjellje shikojmë frymën e progresizmit adoleshent, që beson se mund të ecet gjithsesi përpara, se çfarëdo rruge që të zgjedhësh, është më e mirë sesa ajo e besnikërisë ndaj dokeve e zakoneve të të parëve. Këta njerëz tregtojnë me mbretin vlerën më të çmuar: “Besnikërinë ndaj Zotit, gjithnjë besnik”. E kjo, tha me qortim Papa, s’është tjetër, veçse apostazi. Nuk tregtojnë ca vlera, vërejti në vijim, por atë, që është themelore për ta: besnikërinë ndaj Zotit:
”E kjo është kontradiktore: nuk tregtojmë vlerat, por tregtojmë besnikërinë. Është fryt i djallit, i princit të kësaj bote, që na shtyn të ecim përpara me frymën e mendësisë së botës. E pastaj duhet të presim edhe pasojat. Morën zakonet e paganëve, e, bënë edhe një hap përpara: mbreti urdhëroi që në mbarë mbretërinë e tij të gjithë të formonin një popull të vetëm e secili të hiqte dorë nga vlerat e veta. Nuk është globalizimi i bukur i unitetit të të gjitha Kombeve, secili me doket e veta, por globalizimi i rrafshimit të vlerave, i sheshimit hegjemonik të dokeve, është mendimi unik. E ky mendim unik është fryt i mendësisë së botës”.
E pas kësaj, vijoi Papa, të gjithë popujt iu nënshtruan urdhërave të mbretit, pranuan edhe kultin e tij, flijuan për nder të idhujve e arritën deri atje, sa të përlyenin edhe kujtimin e së shtunës. Hap pas hapi, vijuan të ecin përpara në këtë rrugë. E në fund, mbreti lartoi mbi elter derra e kafshë të tjera të papastra, që u flijoheshin idhujve:
“Po, o atë, ju mendoni se kjo ndodh edhe sot? Sigurisht. Sepse fryma e botës endet edhe sot e na mbush me dëshirën të jemi progresistë, me mendimin unik. Asokohe, nëse ndokujt i gjindej Libri i Besëlidhjes e nëse i bindej Ligjit të Zotit, ligji i mbretit e dënonte me vdekje: pikërisht këtë e lexuam në gazeta këto muaj. Këta njerëz nxorën në treg besnikërinë ndaj Zotit të tyre; këta njerëz, të nxitur nga shpirti i botës, tregtuan pikërisht identitetin e tyre, përkatësinë ndaj një populli, popullit që Zoti e do fort, që Zoti dëshiron të jetë populli i tij”.
Papa e kishte fjalën për romanin e fillimit të viteve ‘900, “Zotëria i botës”1, që ndalet pikërisht tek ky shpirt i botës, i cili të çon në apostazi. “Zotëria i botës” (Lord of the World) është roman fantastik, shkruar nga Robert Hugh Benson, botuar më 1907. Përshkruan botën e ardhshme, atë të viteve 2000, të sunduar, në paqe, nga tri fuqi të mëdha me karakter socialist e masonik, në të cilën katolikët, të përjashtuar nga shoqëria, u nënshtrohen persekutimeve. Autori vë ballë për ballë dy botë: botën e zhvilluar në këndvështrimin teknologjik e intelektual, të sunduar nga parimet e humanitarizmit, dhe botën e Kishës, në perëndim, që vijon të ketë fenë në bazë të jetës.
Sot, vërejti Papa, njerëzit mendojnë se duhet të jemi si të gjithë, duhet të jemi më normalë, duhet të bëjmë atë, që bën gjithë bota, me progresizmin e vet adoleshent. E pastaj, vërejti me hidhërim, historia vijon! Vijojnë dënimet me vdekje, flijimet njerëzore. Po ju, pyeti Papa, mendoni se sot nuk mund të bëhet më fjalë për flijimin e njerëzve? Flijohen edhe sot, e shumë! E ka edhe ligje, që i mbrojnë këto flijime:Por çka na ngushëllon, është se përpara kësaj udhe, që bën shpirti i botës, princi i kësaj bote, i kësaj udhe pabesie, mbetet gjithnjë Zoti, që nuk mund ta mohojë vetveten, Besniku! Ai na pret gjithnjë. Ai na do shumë. Ai na fal, kur ne, të penduar për ndonjë hap të pamatur, për ndonjë hap të vogël me frymën e kësaj mendësie të botës, rikthehemi tek Ai, tek Zoti besnik, përpara Popullit të Tij, që nuk është besnik. Me shpirtin e bijve të Kishës i lutemi Zotit që, me mirësinë e Tij, me besnikërinë e Tij, të na shpëtojë nga ky shpirt i botës, i cili nxjerr në treg gjithçka: të na mbrojë e të na nxisë të ecim përpara, siç e bëri të ecë përpara popullin e tij në shkretëtirë, duke e marrë për dore, si ati fëmijën. Për dore me Zotin, do të ecim të sigurt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.