2013-11-17 17:07:31

Në Sheshin e Shën Pjetrit u shpërnda “Misericordina” – “Përdëllesa e Jezusit”, ilaç shpirtëror për gjithë jetën


Në Sheshin e Shën Pjetrit, pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Papa ‘farmacist’ u shpërndau besimtarëve një ilaç shpirtëror. Quhet “Misericordina”, që në shqip, ndoshta, mund ta përkthejmë “Përdëllesa”, ilaç i Mëshirës Hyjnore, për të shëruar shpirtin. Misericordina ka pamjen e një kutie, që përdoret për të mbajtur ilaçet. E brenda ka pikërisht ‘ilaçe’, që të ndihmojnë për shërimin e shpirtit: një rruzare, një figurë të Mëshirës Hyjnore e një fletëpalosje me këshillat për përdorim. Si të gjitha kutitë e ilaçeve, që i marrim në farmaci. Sot besimtarët i morën në ‘farmacinë’ e Papës.
Ilaçi, siç lexojmë në fletëpalosje, mjekon, me mëshirën e Zotit, shpirtin dhe zemrën e trazuar. Suksesi i tij garantohet nga fjalët e Jezusit. Përdoret kur dëshirojmë kthimin e mëkatarëve, kur kemi nevojë për ndihmë, kur na mungon forca për t’iu kundërvënë tundimit, kur nuk ia dalim mbanë të falim ndokënd, kur kërkojmë përdëllesë për njeriun, që jep shpirt e kur duam ta adhurojmë Zotin, për të gjitha hiret e Tij, në rrugën e gjatë e të trazuar të jetës. Mund të përdoret si nga fëmijët, ashtu edhe nga të rriturit, sa herë që kanë nevojë. Ilaçi përdoret kështu: thuhet Rruzarja e Mëshirës Hyjnore, e përhapur nga Shën Faustina Kovalska. Nuk ka asnjë rrezik të paparashikuar e asnjë pasojë të dëmshme. Sakramentet e shenjta ndihmojnë shumë për suksesin e përdorimit të ‘ilaçit’, lexojmë më në fund në fletëpalosjen, që e këshillon besimtarin edhe t’i drejtohet ndonjë meshtari, për informacione plotësuese e t’i ruajë shpjegimet, për t’i pasur, kur ta ndjejë përsëri nevojën e përdorimit të ‘ilaçit’. Kutitë, me emrin “Misericordine” u prodhuan me mijëra, në katër gjuhë: italisht, spanjisht, anglisht e polonisht. Shpërndarja e ‘ilaçit’, realizuar edhe në Poloni, është nismë e imzot Konrad Krajevskit, lëmoshtar papnor.








All the contents on this site are copyrighted ©.