2013-11-15 13:10:51

Përkujtojmë atë Zef Valentinin S.J., në 34 vjetorin e vdekjes


Kalendari i 16 nëntorit na kujton një figurë madhore: personalitet sa i kulturës shqiptare, aq i asaj italiane e universale.
I lindur në Padovë, më 1 korrik 1900, ndërroi jetë në Palermo, më 16 nëntor 1979. Ndërmjet këtyre dy datave, dekada jete meshtarie e krijimtarie, me fryte të begata, që i bëjnë ballë shekujve.
Njëmijë herë u flak në baltë! E njëmijë herë u ngrit në qiell! Është fati i të mëdhenjve, që i takoi edhe këtij Rregulltari të Kishës katolike universale, Bir në shpirt i Shqipërisë, aq sa të mbetet në kujtesën e breznive me emrin e shqiptarizuar Zef.
Për ta njohur Atë Zef Valentinin duhet të shfletosh një bibliotekë me libra, shkruar nga ai e për të. Mjafton të kujtojmë vëllimet, fryt i pendës së tij:
“Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”;
“Biografi e Garcia Moreno-s”;
“Polieucte” e Kornej-t (përkthim);
“Sauli” i Alfieri-t (përkthim);
“Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve” (Bashkautor, Fulvio Cordignano);
“Kronologji mbi historinë e Shqipnisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”;
“E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (1956)
“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932” (1969);
“E drejta juridike shqiptare”;
“Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”(25 vëllime);
Revista “Letture” (themeluar prej tij më ´46-n në Itali);
“Shkodra dhe poeti i saj” (ese për Ernest Koliqin);
“Fishta” (studim për Gjergj Fishtën)....
Pastaj, edhe tre vëllime, botuar më 2005, titulluar At Giuseppe (Zef) Valentini, “Publicistikë, studime e tekste”, botim i Plejad: Vepra I, 1023 faqe; Vepra II, 496 faqe, vepra III, 496: gjithsejt 2015 faqe. Ndokujt nuk i mjafton jeta për t’i lexuar. Atë Valentini i shkroi!
Po e pikturojmë portretin e Atë Zefit, me fjalët që thanë për Të disa personalitete, duke nisur nga përshkrimi që i bën Ernest Koliqi çastit kur padovani i kulturuar vinte si misionar në një qytet të vogël ballkanik, i cili jetonte gjysëm i fshehur pas muerve të oborreve të veta:
"At Valentini mbrriti në Shqipní në shtatorin e vjetës 1922. N'at muej t'âmbël e të praruem vjeshtor, e priti me heshtjen dhe nxehtësinë e rrugëve të saj gjarpnuese, rrethue me gjethet e zverdhuna të lulvileve n'agoní e me aromat e fshehta që asokohe vërshonin prej s'mbrendshmi në rrugë, tue ardh' prej matanë mureve të nalta t'oborreve të mbylluna".
Që këtu nisi rruga e Jezuitit, studiuesit e albanologut të madh i cili, gjithnjë sipas Koliqit:
“Nuk u muer kurr me politikë militante në Shqipni. Vepra e tij frymëzohej prej qëllimit të naltësimit të klasës intelektuale shqiptare drejt një koncepti ma të gjanë të jetës shoqnore në kultin e rregullit e frymës krenare t’energjive, ngjye në burimet ma t’thella të substancës etnike.... pikërisht nga se gjindej në një klimë, qi s’mund të ishte paqësisht intelektuale”.

“Është thënë se Valentini e di shqipen më mirë se një shqiptar. Po nuk mjafton. Kush i këndon disa shkrime të tij shqipe, ka përshtypje më të thellë: e ndjen se At Valentini ka edhe një stil të tijin, që e dallon nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë, një stil që unë po e cilësoj ‘të kyçosur’, a si i thonë italianët “a catenaccio”, ku tërthorazi atyre fjalive të kurdisura si ingranazhi i një maqine, çfaqet tërë dialektika dhe rigoroziteti i arsyetimit të tij. Si i tillë, prandaj, At Valentinit do t’i bëjmë vend edhe në radhën e publicistëve tanë më të nohur” – shkruan Namik Resuli.

E Papa Pali VI, duke i pritur në audiencë shqiptarët, mbledhur në Romë më 25 prill 1968 për të kremtuar 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, u pati thënë:
“Shqiptarë! Duajeni At Zef Valentinin, se ai ju do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa prerë për t’i bërë të njohura përpara botës vlerat e shpirtit tuaj e të artit tuaj Ai është juaji, sepse i dhuroi çështjes suaj mendjen dhe zemrën”.
“E pështova lëkuren prej komunistave - thoshte gjithnjë me të qeshur Atë Valentini, kur binte fjala për Shqipërinë nën thundrën e diktaturës - po të më kishin kapë, do të më kishin rrjepë për së gjalli e me lëkurën teme do të kishin ba ndonjë loderdí për fanfarat e regjimit!”.
Ndërsa shqiptarëve, u la si trashëgim, vlerësimin:"Shqiptart janë nji popull i çuditshëm. Të huejve u duket se kanë nji tânsí ligjesh e parimesh qi kundërshtojnë njena-tjetren, konflikte të pasherueshme, grindje të brendshme ku ndryshimet fetare, rajonale dhe kulturore, nxisin impulse të papërmbâjtshme shkatrruese, mirëpo pas ksaj, kur bâhen gati të shprehin nji gjykim negativ mbî mundsitë e mbijeteses kombtare, vrejnë se si shpërthen papritmas prej thellsive të shpirtit të tij nji ndjenjë e fortë vllaznimi qi të shtang e të magjeps".
Por, më mirë se fjalët, flet lista e veprave. Nëse ia del mbanë të lexosh të paktën disa prej tyre, nuk mund të mos mrekullohesh para këtij Njeriu, Meshtari e Personaliteti, me kulturë universale, thirrje rregulltare jezuite, gjak italian e shpirt shqiptar.
Për më shumë, shfletoni faqen tonë të internetit...









All the contents on this site are copyrighted ©.