2013-11-15 17:20:33

Filipine: Imzot Tejado: rrjeti vigan i ndihmave, bashkon Kishat e mbarë botës


Kisha mbarë është mobilizuar për të ndihmuar popullsitë e Filipineve, të rrënuara nga tufani. Duke iu përgjigjur thirrjes së Papës, Konferencat ipeshkvnore të mbarë botës, po organizojnë fushata solidariteti; në Itali, mbledhja e ndihmave do të bëhet në të gjitha Kishat e vendit, të diel, më 1 dhjetor. Ndërkaq, bilanci i viktimave e ka kaluar numrin 3.600, pa llogaritur, këtu, të humburit e shumtë. Në vend ndjehet fort frika e epidemive. Për ndihmat e Selisë së Shenjtë, intervistuam imzotin Segundo Tejado Muňoz, zëvendës-sekretar i Këshillit Papnor Cor Unum:

Përgjigje: - Siç e dini mirë, Cor Unum është dikaster i Selisë së Shenjtë, i ngarkuar për ndihmat humanitare, por edhe dikaster i bamirësisë së Papës. Nisëm menjëherë një ndihmë të parë emergjence, 150 mijë dollarë, thjesht si shenjë e pranisë shpirtërore të Atit të Shenjtë, që e kujtoi këtë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, por edhe gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Ja, pra, kjo ndihmë u dërgua si shprehje e afërsisë së Atit të Shenjtë dhe e gjithë Kishës universale, për njerëzit, që po vuajnë nga kjo fatkeqësi e natyrës.

Pyetje: - Si po punojnë agjencitë katolike të botës, të gjitha të mobilizuara për nisjen e ndihmave drejt Filipineve?

Përgjigje: - Është kontribut, që jep gjithnjë Kisha në raste të tilla. Pjesa më e madhe e ndihmave niset nga Kishat vendase, nga Karitaset vendase; por nuk janë vetëm Karitaset. Ka edhe shumë agjenci kombëtare e dioqezane, që mbledhin fonde e nisin të lëvizin në këtë drejtim. Siç e dini, Konferenca ipeshkvnore italiane, përmes komitetit të saj për ndërhyrje bamirëse, ka dërguar deri tani 3 milionë euro. Pastaj, karitaset kanë dërguar fonde të tjera e në vend kanë arritur shumë njerëz, që po ndihmojnë për t’i përdorur sa më me fryt këto ndihma. Karitasi italian dërgoi 100 mijë euro; Karitasi spanjoll, ndihma të tjera… Rrjet vigan, ky, që po ndihmon e që koordinohet këtu, në Karitas Internationalis, në Romë, i cili gjithashtu po lëviz. Arrijnë vazhdimisht sinjalizime, që flasin për programe, projekte; për persona, posaçërisht, sepse në këto çaste të vështira, duhen njerëz, për t’i dhënë një dorë të dëmtuarve.

Pyetje: - Mund të themi, pra, se 150 mijë eurot e Cor Unum janë ndihmë simbolike...

Përgjigje: - Shenjë e parë, për të treguar se Ati i Shenjtë është pranë filipinasve e se Kisha është përkrah njerëzve, që vuajnë. Në rastin e krizës siriane, për shembull, bëmë një vlerësim e pamë se ndihmat e dërguara nga të gjitha agjencitë katolike në mbështetje të zhvillimit, arrijnë shifrën 80 milion euro e përtej. Mund ta përfytyrojmë, prandaj, si lëvizin njëkohësisht të gjitha realitetet, që jetojnë në dioqezet e famullitë e kombeve të ndryshme, në çastin kur del ndonjë problem i këtij tipi. Lëvizin njëherësh, me vrull të madh e, sidomos, me bujari të madhe.

Pyetje: - A parashikohet që Cor Unum, në emër të Papës, të shkojë për t’i vizituar zonat e dëmtuara të Filipineve?
Përgjigje: - Këtë e bëjmë gjithnjë: në emër të Atit të Shenjtë ishim në Japoni, pas tsunamit; në Haiti, kur tronditej nga tërmeti...tani do të shkojmë në Filipine. Nuk mund ta them se kur, por do të jetë sigurisht para Krishtlindjes, për të çuar një mesazh afërsie, posaçërisht shpirtërore. Ati i Shenjtë është pranë këtyre popullsive me lutjen e tij. Kardinali Sarah, kryetar i Këshillit Cor Unum, do të shkojë së bashku me ndonjërin prej nesh, për t’i vizituar njerëzit, që tashmë po punojnë atje. E natyrisht do të organizojmë edhe një takim koordinimi, siç bëjmë gjithnjë, me agjencitë, që e kanë nisur punën në vend. Është çast bashkimi e edhe koordinimi, ky takim, për t’u parë sy më sy e për t’u çuar atje njerëzve tanë edhe falënderimin e mbarë Kishës e të Atit të Shenjtë, për punën jo të lehtë, që bëjnë.









All the contents on this site are copyrighted ©.