2013-11-15 13:11:07

Atë Zef Valentini S.J.: Ndihmesa e misionarit jezuit, Atë Zef Valentini, për kulturën shqiptare


Jeta
Atë Zef Valentini, një ndër figurat e shquara ndërmjet misionarëve jezuitë, që punuan në Shqipëri e për Shqipëri, lindi në Padovë të Italisë më 1 korrik 1900. Ishte fëmija i parë i një gurëgëdhenësi të talentuar që do t’i falte Kishës të dy bijtë e vet: i pari do të hynte në Shoqërinë e Jezuitëve, i dyti, ndër Françeskanët Kapuçinë.
Studimet i ndoqi kryesisht në të përmendurin seminar të Vendlindjes, shtypshkronja e të cilit nxori një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare, atë “Cuneus Prophetarum” apo “Çeta e Profetëve” të Imzot Pjetër Bogdanit, botuar më 1685 si i katërti libër i shtypur prej saj. E të mos të harrojmë se aty panë dritën, ndër të tjera, vepra që lanë gjurmë në kulturën botërore të Kishës, si Fjalori i njohur i Forcellinit dhe Historia e Kishës e Todesco-s. Prandaj nuk është pa kuptim që një personalitet i tillë të arrinte në ato lartësi, ndonëse bir i një gëdhendësi të gurit, sepse vetë shkolla që ndoqi e Urdhëri i Jezuitëve ose Shoqëria e Jezusit, ishin garanci e padiskutueshme për përfundime të shkëlqyera.
Në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit hyri më 4 nëntor 1919, në Gorizia. Në vitet 1921-1922 kreu liceun dhe më 1922 u nis për herë të parë në Shqipëri. Që atëherë, jeta e tij qe një vajtje-ardhje e përhershme nga Italia, në vendin e misionit.
Që me ardhjen në Shkodër, për herë të parë më 1922, e deri më 1943, kur u largua përfundimisht nga Shqipëria, do të tregonte lidhjen e ngushtë e dashurinë e vet për shqiptarin, qoftë ky i maleve apo i fushës.
Më 1924 vijoi filozofinë në Chieri; më 1926 u kthye në Shqipëri; më 1928 shkoi përsëri në Chieri për studimet e teologjisë, në përfundim të të cilave, më 15 korrik 1930, u shugurua meshtar. Më 1934 ndoqi vitin e tretë të provës në Firencë; më 1935 u kthye përsëri në Shqipëri, ku qëndroi deri më 1943. Gjatë këtyre viteve kreu misionin meshtarak dhe dha mësim në Kolegjen Saveriane si profesor i letërsisë, i shkencave, i gjimnastikës dhe i muzikës.
Që në vitet 1926 filloi të studionte gjuhën shqipe e të hynte thellë në njohjen e historisë së Shqipërisë.
Më 1929 botoi në Chieri një broshurë me titull “Kolegji Saverian në 50 vitet e fundit”. Një vit më vonë shkroi në gjuhën shqipe biografinë e Garcia Morenos. Vijoi punën me përkthimin në gjuhën shqipe të “Polieucte” të Corneille dhe të “Saulit” të Alfierit (1936-38); botoi një libër me poezi dhe “Studimin mbi një përmbledhje dokumentesh historike të Shqipërisë”(1937-1940), në bashkëpunim me Atë Cordignano-n.
Më 1940 filloi një kronologji të ngjarjeve historike të Shqipërisë, duke nisur nga viti 313 deri në shekullin XX, e cila u botua në dy vëllime. Pastaj nisi të përkthejë shqip Ungjillin e Shën Markut, dorëshkrimi i të cilit u shkatërrua nga komunistët, kur Tipografia e Jezuitëve ra ndër duart e tyre të pamësuara.
Ndëkaq mori ndër duar drejtimin e revistës “Lajmëtari i Jezu Krishtit” (1933-1939) dhe “LEKA” (1932-1943). Nisi të botojë me fashikuj, si shtojcë të LEKA-s, një fjalor bibliografik shqiptar, edhe ky i shkatërruar nga komunistët.
Më 1941, pasi u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Sekretar i Këshillit, shkoi në Tiranë ku hartoi “Aktet e Kuvendit të parë të studimeve shqiptare në Itali”. Tashmë njihej si autoritet në fushën e albanologjisë. Shqiptarët thoshin se e fliste gjuhën e tyre më mirë se ata vetë. E njihte aq mirë, sa të bëhej shembull për të gjithë misonarët e huaj, që kishin ardhur në Shqipëri për të predikuar lajmin e mirë. Ja si shprehet për këtë Namik Resuli, gjuhëtari e miku i tij i shquar: “Është thënë se Valentini e di shqipen si një shqiptar, më mirë se një shqiptar. Po nuk mjafton. Kush i këndon disa shkrime të tij shqipe ka një përshtypje më të thellë: e ndjen se Patër Valentini ka edhe një stil të tijin, që e dallon nga shkrimtarët e tjerë shqiptarë, një stil që unë po e cilësoj “të kyçosur”, a si i thonë italianët “ a catenaccio”, ku tërthorazi atyre fjalive të kurdisura si ingranazhi i një maqine çfaqet e tërë dialektika dhe rigoroziteti i arësyetimit të tij”.
Viti 1944 e zuri në Itali, ku kishte shkuar për të kryer një detyrë që i qe ngarkuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare. Natyrisht i mbeti në Shqipëri shumica e dorëshkrimeve, e dokumenteve të Arkivit Saverian dhe e skedarëve, të cilët u përlanë, u dogjën, u zhdukën, sipas një plani të hartuar me kohë nga elementë të njohur komunistë shkodranë. Edhe pse ishte një ndër studiuesit më në shenj të historisë, të kulturës e të tipareve dalluese të kombit shqiptar, ashtu si kishin qenë më përpara Imzot Cozzi e Atë Cordignano, i cilësuar madje si albanologu më i madh, nuk i shpëtoi shpifjeve më të ulta: e padisnin, si thotë ai vetë, si armik e agjent të kushedi sa shërbimeve të fshehta, duke përfshirë Italinë, Amerikën, e doemos Vatikanin.
“E pështova lëkuren prej komunistave, - thoshte gjithnjë me të qeshur, - po të më kishin kapë, do të më kishin rrjepë për së gjalli e me lëkurën teme do të kishin ba ndonjë loderdí për fanfarat e regjimit!” Kështu, për Atë Zefin do të fillonin ato vite, që ne do t’i quanim “të mërgimit”.

"Vitet e mërgimit"

Në vjeshtën e vitit 1945 shkoi në Milano ku nisi të drejtonte revistën e mirënjohur “Letture”, e cila i qe besuar jezuitëve nga kardinali Schuster.
Ndërsa ia kushtonte pjesën më të mirë të ditës revistës, gjithsesi gjente kohë të merrte pjesë në mbledhjet e rregulltarëve, të vizitonte seminaret, kolegjet, kuvendet, të ishte i pranishëm ndër kongrese shkrimtarësh, botuesish, kritikësh. Një veprimtari e pabesueshme, e realizuar me çmimin e pakësimit të jashtzakonshëm të orëve të gjumit e me forcën e një jete të organizuar me rregull të përsosur.
Më 15 dhjetor 1955 mori ndër duar drejtimin e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, që u bë një nga kështjellat e kulturës së vërtetë shqiptare jashtë Shqipërisë. Ndërkaq vijoi të drejtonte edhe Katedrën e Filologjisë Bizantine dhe atë të Letërsisë së Lashtë të Krishterë. U vendos në Palermo, ku rifilloi botimet mbi Shqipërinë. Më 1956 botoi “E drejta e bashkësisë në traditën e së drejtës shqiptare”; më 1969 “Ligji i maleve shqiptare në relacionet e misionit shëtitës (të jezuitëve) në vitet 1880-1932. Nga viti 1968 deri më 1973 dolën nga shtypi dy vëllimet e “Acta Albaniae Juridica” dhe nga 1967 deri në vdekje, hartoi 30 vëllimet e “Acta Albaniae Veneta”, shekulli XIV- XV, që i dhanë famë ndërkombëtare. Arriti të shihte të botuara 25 vëllime, ndërsa vepra e plotë ishte dorëzuar në tipografi që më 1976.
Krahas librave mbi Shqipërinë dhe historinë e saj, botoi shumë artikuj të tjerë, parathënie, komente, zëra të ndryshme ndër enciklopedi. Më 1980 botoi librin “Përralla e legjenda të Venetos” dhe më 1969 “Domus Ecclesiae” mbi arkitekturën e kishave të lashta bizantine.
Interesi për kishat e ritit bizantin dhe takimet me dioqezin e Horës së Arbëreshëve e shtynë të kalonte në ritin bizantin. La një mjekër të dendur, veshi rrobën me mëngë të gjera të meshtarëve të këtij riti, filloi të meshonte në liturgjinë greke të Shën Gjon Gojartit, nisi të lexojë oficen lindore.
Më 1975, pas një jete kaq të ngarkuar me veprimtari, doli në pension. Shëndeti i tij ishte shkatërruar përfundimisht: vuante nga diabeti, zemrën e kishte në gjendje parainfarkti të vazhdueshëm, sytë i qenë dobësuar tepër.
Në 1976, kur u vendos përfundimisht në klinikë, “Acta Albaniae Veneta” ishin përfunduar. Ashtu i sëmurë, vijoi të bashkëpunonte me revistën “Letture”e të studionte ikonat bizantine. Kishte një etje për kulturë që s’shuhet kurrë.
Më 5 nëntor 1979 përkujtoi në dhomën e spitalit 60-vjetorin e jetës si rregulltar jezuit me një Meshë në gjuhën latine, të kremtuar nga Eprori i Shoqërisë dhe tre jezuitë, që punonin për botimin e “Letture”.
Natën ndërmjet 15 e 16 nëntorit gjendja e tij shëndetësore u rëndua. Mezi bëlbëzonte lutjet. Vëllezërit jezuitë e morën në shtëpi, ku ndërroi jetë më 16 nëntor, në orën 13. Salikimet e tij u kremtuan më 18 nëntor. Ishin të pranishëm të gjithë sivëllezërit e bashkësisë së tij, eprorët e misionit shqiptar, miqtë e tij, shqiptarët e tij. Kishin rra nga të katër anët për të përcjellur në banesën e fundme atë, që është pak të quhet “Miku i madh i Shqipërisë”, sepse meriton të kujtohet si “Shqiptar i madh”.


Vepra e misionarit jezuit, albanologut të shquar

Nuk është e lehtë të flitet për veprën e Atë Valentinit, sepse ai nuk u kufizua vetëm në një specializim të ngushtë, por u zgjerua, me shumë kompetencë, në të gjithë ato sfera që përbëjnë elementet themelore të historisë së Shqipërisë e të shpirtit shqiptar. Gjithë jetën, po deshëm ta ndjekim hap pas hapi, ia kushtoi studimit të imtë e të thellë vetive dhe vlerave të një kombi, që në jetën e tij të gjatë e plot mundime, qe më shumë i pushtuar, se i lirë.
Nuk duhen harruar përpjekjet që bëri për të vlerësuar ato elemente të traditës bizantine e të ritit Lindor arbëresh të përpajnuara në tokën italiane. Vlerësimi për kishat e ritit bizantin rrjedh nga marrëdhëniet që pati me dioqezën e Horës së Arbëreshëve, gjë që e bëri të kërkojë nga Kongregacioni i Shenjtë për Kishat Lindore, kalimin në ritin bizantin.
Shkruan për të Atë Alessandro Scurani S.J. ndër të tjera se Atë Zefi, duke thënë oficen “zbuloi në të visare që nuk merren me mend e u dashunue gjithnjë e ma tepër me atë liturgji të pasun e të thellë” (Ricordi di P. Giuseppe Valentini S.J. në “Studi albanologici balcanici bizantini e orientali in onore di Giuseppe Valentini, S. J.” Firenze, Olschki, 1986, f. XIII)
Përveç kësaj, iu kushtua edhe studimit të arkitekturës kishtare bizantine, të ikonave e të simboleve. Kur vdiq, kishte mbledhur rreth 30 mijë diapozitiva mozaikësh e ikonash bizantine, duke përfunduar në moshë të shtyrë, një analizë thuajse të plotë të këtij materiali të pafund. Në këtë drejtim kujtojmë studimin mbi disa “Saktësime rreth piktorit metabizantin shqiptar Onufrit” (Në këtë studim ka plotësime, të cilat Th. Popa nuk pati mundësi t’i dinte, për shkak të burgimit shkencor të studiuesve të Shqipërisë komuniste)

Në se i japim një shikim krejt veprës së botuar të Atë Valentinit, sipas parashtrimit të Profesor Peter Bartl, mund ta rendisim në katër profile:
- Burime për historinë e Shqipërisë;
- E drejta zakonore shqiptare;
- Venediku e Shqipëria;
- Koha e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. (Peter Bartl, Zum historichen werk Giuseppe Valentini’s, në “Shêjzat”, XIV/1970, 10-12, fq. 334)
Fillimet e punës së tij mund t’i vendosim në vitin 1935, kur boton te Revista “LEKA” përpjekjet e para për hulumtimin e historisë së Shqipërisë në Arkivin e Ambasadës së Spanjës pranë Selisë së Shenjtë. Ndëkaq misionari jezuit riorganizoi revistën “LEKA” të cilës i dha tiparet e një reviste të nivelit evropian. Studimet historike, shoqërore, filozofike si dhe shkrimet e ndryshme të karakterit letrar, e kthyen në një revistë, që u imponua në rrethet kulturore e shkencore shqiptare e të huaja.
Në veprimtarinë e tij krijuese, marrë në tërësi, spikatin disa vepra themelore, që në vetvete përmbledhin në mënyrën më përfaqësuese trashëgiminë historike kombëtare shqiptare, njëherit edhe cilësitë e tij të shumanëshme prej studiuesi e misionari.
Duke gërmuar në prozën e humanistëve për të gjetur në të dëshminë për rindërtimin e Shqipërisë, boton “Contributi alla Cronologia Albanese”, fillesë e studimeve për një nga periudhat më të largëta e më të panjohura të kësaj historie. Ishte përpjekja e parë e nivelit të lartë për dokumentimin kronologjik e sinkronik të atyre periudhave.
Atë Valentini nuk u kufizua vetëm në misionin e tij fetar e edukues, por, sipas traditës së Urdhërit në të cilin bënte pjesë, me dëshirë të flaktë e disiplinë të rrebtë shkencore, u thellua në studimin dhe njohjen e të gjitha shfaqjeve të jetës së popullit shqiptar, të gjuhës, të zakoneve etnike, të historisë politike-shoqërore, me përfundime të tilla në secilën disiplinë, sa të mbahej, me plot arsye, mjeshtër i Albanologjisë
Përveç një vargu studimesh të botuara në revista të ndryshme, përfundimin e studimeve të veta e përmblodhi në disa vëllime si “Il diritto delle comunità”; “La legge delle montagne albanesi nelle relazioni della Missione volante, 1880-1932” vepër të cilës më vonë iu shtuan edhe dy vëllime të “Acta Albaniae Juridica”.
Atë Valentini, në kundërshtim me konceptimet e gabuara e antikombëtare mbi Kanunin, e vlerëson atë si pasuri shpirtërore e juridike normative kundrejt administrimit të keq turk, që përpiqej të impononte ligjin e vet edhe në Malësinë katolike. Ajo që i interesonte më shumë, ishte historia e Shqipërisë dhe kësaj iu kushtua duke gjurmuar në arkiva e biblioteka, duke mbledhur lëndë të shumtë, një pjesë e së cilës, ende e pabotuar. Synimi i tij përmblidhej në rregullimin e periudhave të ngatërruara të historisë së Shqipërisë nëpërmjet një dokumentimi të rrebtë.
Por ajo që mbetet monument, në punën e palodhshme shumëvjeçare të albanalogut të shquar, është përmbledhja dokumentare prej 30 vëllimesh “Acta Albaniae Veneta” (prej saj janë të shtypura vetëm 25 vëllime) me ndihmën morale e ndihmesën financiare të disa institucioneve e akademive shkencore. Ndërsa sdudiuesit në të katër anët e botës e pritën me entuziazëm të madh veprën, Instituti i atëhershëm shqiptar i Historisë, që nuk i shihte me sy të mirë nisma të kësaj natyre jashtë kontrollit të çatisë së vet, mbajti qëndrim negativ.
Kjo vepër, me të vërtetë monumentale, ishte e vetmja që solli elemente e dokumente të shumta për historinë e mesjetës shqiptare, për të ndriçuar një çast të rëndësishëm të kësaj historie, që në historiografinë e 50 vjetëve të fundit mbeti e kufizuar vetëm në shpallje qëndrimesh ideologjike dogmatike e jo aq në fakte historike të dokumentuara, të cilat gjithashtu lexoheshin në një vështrim tendecioz e të njëanshëm.
Schirò e cilëson këtë vepër si një ndër më të mëdhatë në llojin e vet e sigurisht më e gjera e më e pasura që ka dalë ndonjë herë në shërbim të historisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar, burimi më i pasur që na është dhënë deri më sot (G. Schirò, Il Settantesimo genetliaco di P. Valentini. “Shêjzat” vep. e cit. F. 307).
Atë Valentini punoi gjithë jetën për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar, vuri në pah historinë, traditat, vlerat e veçanta të tij. Studimin e historisë së popullit shqiptar e përdori si element shumë të vlefshëm për t’i lartësuar shqiptarët në sytë e vetë atyre e në sytë e botës.
Bibliografia e plotë e veprave të Atë Valentinit është hartuar dhe botuar nga Atë Vinçenc Malaj, françeskan, në revistën “Shejzat”, në të cilën Atë Valentini dha një ndihmesë të ndjeshme.

Kontributi i si drejtor i revistës katolike italiane “Letture”

Sigurisht që veprimtaria e Atë Zef Valentinit si drejtor i revistës “Letture”, nuk bën pjesë në kontributin e misonarit për kulturën shqiptare. Po e kujtojmë vetëm për të vënë në pah se jezuiti i talentuar e i mësuar, i pati të gjitha mundësitë të radhitej ndër të mëdhenjtë në vend të vet. Por, nga dashuria e pakufishme për vendin e misionit, parapëlqeu t’ia kushtonte jetën e veprën Atdheut të dytë, Shqipërisë, pa marrë parasysh se ky atdhe e mbuloi me shpifje, e akuzoi si spiun, ia mohoi plotësisht veprën.
Në Atdheun e vet, në Itali, Atë Valentini ka lënë një emër të paharrueshëm si drejtor i revistës “Letture”, apo “Lexime”, një nga organet më në zë të kritikës letrare e artistike italiane, e cila doli me sukses për shumë vjet, duke u shërbyer lexuesve si udhërrëfyese në shtigjet e pafundme, të ngatërruara, të pyllit të librave, që botohen çdo ditë në botë.
Revista qe themeluar nga Imzot Casati. Më 1946 Kardinali i Milanos, Schuster, ia besoi vijimin e saj jezuitëve. Numri i parë pa dritën e shtypit në janar 1946, nën drejtimin e jezuitit Atë Petazzi, në bashkëpunim me një grup të zgjedhur etërish jezuitë me seli në San Fedele (Milano).
Në vjeshtën e 1946-tës u dërgua në Milano, i ngarkuar për të marrë drejtimin e revistës, Atë Zef Valentini.
Asokohe Atë Zefi ishte në moshë të pjekur, por plot me vullnet rinor për punë. Për atë, që s’kishte lexuar kurrë asnjë roman të 1800-shit, apo të 1900-shit e që, pas Manzonit, kishte kaluar nëpër duar vetëm romanet që botoheshin si shtojcë e revistës së famshme të jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, mjaftoi vetëm leximi i 4-5 romaneve, për të fituar mjeshtrinë e udhëheqësit në lëmin e vështirë të zgjedhjes së veprave, që meritojnë vëmendjen e lexuesit.
Romane moderne nuk kishte lexuar kurrë, sepse pedagogjia kishtare dhe kritika katolike e kohës, jo gjithnjë pa arsye, ia kishte ndaluar si lexime të panevojshme, që të bënin të humbisje kohën kot ose ta mbytje atë në mënyrë të rrezikshme. Pastaj ai vetë, student e studiues i filozofisë, teologjisë dhe historisë, e shikonte studimin e letërsisë artistike nga lart - poshtë, si disiplinë e rangut të ulët. Kishte pranuar të punojë në “Letture” vetëm përkohësisht, në pritje të një veprimtarie më të zgjedhur, meqë tani e kishte të qartë se në Shqipëri, burim themelor e i preferuar i studimeve të tija, nuk do të mund të kthehej shpejt... E fatkeqësisht nuk do të kthehej kurrë më!
E filloi punën në revistë pa ndonjë pasion të veçantë, por, si lexoi e recensoi 2-3 romane, filloi ta shijonte, ta donte e ta çmonte letërsinë artistike.
Aso kohe arrinin në Itali, pas dhjetra vjetësh ndalimi, romancierët amerikanë e rusë: arrinte Camus e Sartre, njëkohësisht me tregimtarët katolikë francezë; arrinin anglezët e gjermanët, emrat e të cilëve do të mbushnin faqet e numrave të revistës, që u botuan gjatë dy vjetëve të para.
E arrinin edhe neorealistët e pas luftës.
Nuk mungonte as sasia e as cilësia ndërmjet këtyre shpirtrave e këtyre botëve, të cilat meritonin një ballafaqim, që të qëndronte në lartësinë e duhur. Ishin botë e shpirtëra shpesh herë kaotikë, plot dritë- hije, kontradikta, shqetësime, përhumbje. Por qenë edhe të pasur, të begatë me realitete të vërteta njerëzore e shpesh, me vetëtima vërtetësie e vlerash, pohimesh “ab absurdo” të së Vërtetës së amshuar. Po, a nuk kishte ardhur e Vërteta e amshuar pikërisht për të shëruar të sëmurët, për të davaritur hijet, për të shpëtuar të humburit?
Duke u nisur nga ky realitet, Atë Valentini filloi t’i përkushtohej me gjithë zemër revistës. Sapo pati zëvendësuar Atë Petazzin si drejtor (tetor 1946), së pari formuloi qartë kriteret themelore të saj. “Letture” nuk do të ishte një revistë gjykimesh polemike apo inkuizitoriale, por një mike, që do të shërbente për të udhëhequr lexuesin e letërsisë artistike, për t’i dhënë zemër, për ta mësuar ta vlerësojë veprën letrare e të nxjerrë mësime prej saj, një revistë që do t’i kushtonte vëmendje jo vetëm vlerave morale, por edhe atyre letrare. “Letture” hoqi dorë nga qëndrimi i deriatëhershëm, sipas të cilit duhej ndaluar leximi i veprave që konsideroheshin në kundërshtim me parimet e moralit të krishterë. Ndoqi parimin, sipas të cilit lexuesi duhet udhëhequr për ta dalluar vetë të mirën e të bukurën e për t’iu kundërvënë së keqes e së shëmtuarës.
Atë Valentini i kushtoi revistës disa vjet të jetës, duke bërë recensionet e shumë librave, duke mbledhur e duke sistemuar materiale bibliografike e duke u thelluar në njohjen e autorëve e të librave bashkëkohorë, gjë që i dha autoritet të posaçëm para syve të botuesve e të studiuesve, për mos të përmendur lexuesit, për të cilët punonte kryesisht revista.
“Letture” luajti një rol të dorës së parë për të orientuar lexuesin katolik në zgjedhjen e vlerave të vërteta në fushën e botimeve të letërsisë, artit, historisë, fesë.
Njohja e kritereve mbi bazën e të cilave punoi Atë Valentini në revistën “Letture”, do të meritonte një vëmendje të posaçme në fushën e kritikës letrare shqipe të ditëve tona, në xhunglën e botimeve dhe të zgjedhjes së autorëve, të cilëve u mungon udhëheqësi që do t’i çonte me dinjitet tek lexuesi e do ta ndihmonte këtë të fundit ta flakte tutje të keqen e të përvetësonte gjithçka të mirë që i ofron leximi njeriut në përgjithësi, e besimtarit katolik, në veçanti.










All the contents on this site are copyrighted ©.