2013-11-14 14:20:00

Papa për vizitë tek presidenti italian: familja ka nevojë për qëndrueshmëri e njohje nga ana e shtetit


Papa Françesku i ktheu sot vizitën presidentit të Republikës Italiane, Xhorxho Napolitano. Të impenjohemi me bindje për të mbështetur e përkrahur familjen: kjo ishte një nga temat thelbësore të fjalimit të Atit të Shenjtë në Kuirinale. Papa vuri theksin në bashkëpunimin ndërmjet Kishës e shtetit, kujtoi origjinën e tij italiane dhe uroi që kombi të gjejë mirëkuptimin dhe të rizbulojë venën e tij krijuese, të nevojshme për zhvillim. Duke kujtuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, sidomos Paktet Lateranense, të cilat së shpejti, mbushin 30 vjet, Papa iu drejtua me këto fjalë presidentit italian:
“Duke ju kthyer vizitën në këtë vend kaq të ngarkuar me simbole e histori, do të desha që, idealisht, të trokas në portën e çdo banori të Italisë, ku gjenden rrënjët e familjes sime tokësore e, t’u ofroj të gjithëve fjalën shëlbimprurëse e gjithnjë të re të Ungjillit”.
Më pas, Ati i Shenjtë i bëri jehonë fjalës së presidentit Napolitano, që vuri në pah çastin e vështirë të krizës ekonomike, por edhe nevojën për dialog politik në vend. Papa Françesku nënvizoi rëndësinë e kuadrit normativ mbi të cilin bazohen marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës në Itali. Këto janë themelet, tha Ati i Shenjtë, që ndihmojnë bashkëpunimin për të mirën e përbashkët:
“Të shumta janë çështjet, përballë të cilave, shqetësimet tona janë të përbashkëta e përgjigjet mund të përkojnë. Çasti aktual karakterizohet nga kriza ekonomike, e cila nuk po përfundon. Ndër pasojat e saj më të dhimbshme është mundësia e pamjaftueshme për punë”.
E menjëherë pas paraqitjes së problemit kryesor, impenjimi i Kishës Katolike:
“Detyra parësore, që i takon Kishës, është ai i dëshmimit të mëshirës së Zotit dhe i inkurajimit të solidaritetit bujar për t’i hapur udhën së ardhmes me shpresë; sepse aty ku shtohet shpresa, shumëfishohen edhe energjitë dhe impenjimi për ndërtimin e një rendi shoqëror e civil më njerëzor e më të drejtë, si edhe lindin mundësi të reja për një zhvillim të qëndrueshëm e të shëndoshë”.
Papa Françesku kujtoi të gjitha vizitat e tij baritore në Itali, duke filluar nga ishulli i Lampeduzës, ku në mesin e emigrantëve të sapozbarkuar, ndjeu vuajtjen dhe dëshpërimin, por pa edhe solidaritetin e sa e sa njerëzve ndaj tyre. Pastaj, Kaliari dhe Asizi, për të nderuar Zojën e Bonaries e shën Françeskun, por edhe për të prekur me dorë shpresat e vështirësitë e shoqërisë, në qendër të të cilave, Papa sheh familjen:
“Me bindje të rinovuar, Kisha vazhdon të nxisë impenjimin e të gjithëve, individë dhe institucione, për mbështetjen e familjes, e cila është vendi parësor, ku formohet dhe rritet njeriu, ku mësohen vlerat dhe shihen shembujt, që i bëjnë ato të besueshme. Për të kryer plotësisht detyrën e saj të pazëvendësueshme e për të realizuar misionin e saj, familja ka nevojë për qëndrueshmëri, ka nevojë të njihen lidhjet e ndërsjellta brenda saj”.
Në fund të fjalës së tij, Papa Françesku uroi që populli italian të gjejë udhën e duhur drejt zhvillimit, duke u frymëzuar nga trashëgimia e pasur e vlerave të tij qytetare e shpirtërore. Në takimin me punonjësit e Kuirinales dhe familjarët e tyre, pas fjalimeve zyrtare, Ati i Shenjtë krijoi një atmosferë të ngrohtë, duke folur ai vetë për familjen, për fëmijët, nipat e mbesat e punonjësve. “Ju jeni shumë të rëndësishëm” u tha fëmijëve të pranishëm. Së fundi, një mendim për punën e baballarëve dhe nënave të tyre, të cilëve u takon shpesh të jenë në kontakt me ngjarjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të kombit italian. “Ka shumë nevojë për njerëz, si ju, që impenjohen me profesionalitet dhe me ndjenjë të spikatur humanizmi e mirëkuptimi, me kujdes solidar, sidomos ndaj më të brishtëve”, tha Papa Françesku, i cili, si zakonisht, u siguroi të gjithëve se do të lutet për ta e u kërkoi lutje për veten.







All the contents on this site are copyrighted ©.