2013-11-14 14:21:49

Papa: fryma e kureshtjes na largon nga urtia dhe nga paqja e Hyjit


Shpirti i kureshtjes shkakton pështjellim dhe na largon nga Shpirti i urtisë, që, përkundër, na jep paqen. Kështu tha Papa sot paradite në Meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.
Papa e filloi homelinë, duke komentuar leximin e parë nga libri i Urtisë, ku përshkruhen ndjenjat që duhet të ketë çdo njeri, nëse dëshiron të përparojë në mençurinë që jep Shpirti i Hyjit:
“Ja çfarë do të thotë të ecësh në jetë me këtë Shpirt: Shpirti i Hyjit na ndihmon të gjykojmë drejt, të marrim vendime sipas zemrës së Hyjit. E ky shpirt na jep paqe, gjithmonë. Është Shpirti i paqes, Shpirti i dashurisë, Shpirti i vëllazërimit. Pikërisht kjo është shenjtëria. Ajo që Hyj i kërkon Abrahamit: ‘Ec në praninë time e ji i paqortueshëm’ – është kjo gjë, kjo paqe. Ecja nën shtysën e Shpirtit të Hyjit dhe të kësaj urtie. Ai burrë e ajo grua që ecin kështu, mund të thuhet se janë një burrë i urtë e një grua e urtë. Burrë i urtë e grua e urtë, sepse lëvizin nën shtysën e durimit të Hyjit”.
Fryma e pyetjes që ngrihet në Ungjillin e sotëm, tha Papa, është e kundërta e frymës së urtisë hyjnore, sepse ka brenda ngacmimin e kureshtjes:
“Kjo ndodh kur dëshirojmë të zotërojmë projektet e Hyjit, të ardhmen, gjërat; duam të dimë gjithçka, të marrim në dorë gjithçka. Farisenjtë e pyetën Jezusin: ‘Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?’ Kureshtarë! Donin të dinin datën, ditën… Fryma e kureshtjes na largon nga Shpirti i urtisë, sepse marrin rëndësi vetëm hollësitë, lajmet, të rejat e vogla të çdo dite, ose si do të bëhet kjo gjë? Është ‘si-ja’: është shpirti i ‘si-së’! Dhe fryma e kureshtjes nuk është frymë e mirë: është fryma e shpërqendrimit, e largimit nga Hyji, fryma e të folurit me tepri. E Jezusi na thotë edhe një gjë interesante: kjo frymë e kureshtjes, që është e kësaj bote, na sjell pështjellim”.
Papa bën thirrje të jemi të kujdesshëm e të mos biem pre e shtysave kureshtare për të njohur gjërat e Hyjit, sidomos nuk duhet të rendim pas vegimtarëve, që marrin letra e mesazhe nga Zoja, sepse “Zoja është Nënë, na do të gjithëve dhe nuk është drejtoreshë poste, që dërgon mesazhe përditë”. Kërkimi i këtij lloji lajmesh na largon nga urtia e Ungjillit, i cili na thotë se Mbretëria e Hyjit është mes nesh. Në përfundim, Papa tregoi një shembull nga jeta e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, për të vënë në dukje dobinë shpirtërore që sjell shmangia e frymës kureshtare:
“Shën Terezina – Shën Tereza e Jezusit Fëmijë – thoshte se i duhej të ndalej gjithmonë para frymës së kureshtjes. Kur fliste me një murgeshë tjetër e kjo murgeshë i tregonte një ndodhi, diçka nga familja, nga njerëzit, nganjëherë kalonte në një tjetër argument. Dëshironte të njihte si përfundonte tregimi, por e ndjente se kjo gjë nuk ishte sipas shpirtit të Hyjit, sepse ishte shpirti i shpërqendrimit, i kureshtjes. Mbretëria e Hyjit është mes nesh: mos kërkoni gjëra të çuditshme, mos kërkoni gjëra të reja, me mentalitetin e kësaj bote. Ta lejojmë Shpirtin që të na çojë përpara, me urtinë që është puhizë e dashur. Ky është Shpirti i Mbretërisë së Hyjit, për të cilin flet Jezusi. Ashtu qoftë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.