Kongresi i Manastirit, në 105-vjetorin e mbledhjes
14-28 nëntor 1908. Në Manastir mbahet takimi, që hyri në histori me emrin Kongresi
i Alfabetit. Mblidheshin dijetarët shqiptarë, për të përcaktuar alfabetin e gjuhës
shqipe. Ishte kurorëzim fatlum i një morie përpjekjesh fatkëqija shumëvjeçare për
të hartuar alfabetin e përbashkët, duke nisur nga alfabetet e pushtuesve të ndryshëm,
që shkelën trojet shqiptare, ai latin, grek, turko-arab dhe alfabete të veçanta
origjinale. Deri tek arritja e parë e madhe: Alfabeti i Stambollit, me të cilin u
shkruan e u shtypën veprat e para të Rilindjes Kombëtare. Janë shkruar vepra voluminoze
për historinë e Alfabetit. Prandaj, pa hyrë në hollësira, sot po ndalemi kryesisht
tek roli i pamohueshëm i Shoqërisë “Bashkimi”, që thirri Kongresin dhe i fali Kombit
alfabetin e krijuar prej saj. E kur kujtojmë Shoqërinë, nuk mund të mos përmendim
Abatin e madh të Mirditës, imzot Prengë Doçin (1846-1917), që e krijoi “Bashkimin”,
si dhe anëtarët e Shoqërisë, pothuajse të gjithë klerikë e laikë katolikë: Dom Dedë
Koleci, atë Gjergj Fishta, imzot Gjergj Koleci, Dom Ndoc Nikaj, atë Pashko Bardhi,
atë Ambroz Marlaskaj, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Kolë Kodheli, Ndue Paluca, Gaspër
Beltoja, Gaspër Mikeli e të tjerë, që kishin sadopak zotësi pende. Shoqata ‘Bashkimi’
bëri hapin e parë për hartimin e një fjalori kombëtar të gjithë shqipes, titulluar
“Fjaluer i Rii i Shqypes”. Ishte njëkohësit hap i parë për afrimin e dy dialekteve:
gegë e toskë. Por të rikthehemi tek figura madhore e Abatit të Mirditës. Njeri
me mendje të ndritur, i pajisur me kulturë të gjerë e përvojë të jashtëzakonshme jete,
njohës i disa gjuhëve të huaja, Prelati mbetet një nga personalitetet më të shquara
të kohës. Përfaqësues i denjë i Kishës e atdhetar i kulluar, i vuri të gjithë aftësitë
e veta në shërbim të përparimit të vendit. Baroni Franz Nopcza, ndonëse nuk kishte
shumë simpati për klerin, pati thënë për Abatin e Mirditës: “Ky ishte peshkatar i
vërtetë njerëzish”. Ndërsa Edith Durham, në veprën “The Burden of the Balkans”
Kapitulli IX, shkruan: “Abati i Mirditës ishte njeri fort i mendshëm e i urtë... me
kulturë të gjerë... me plane madhështore në kokë, e, ndër nacionalistët shqiptarë,
ndoshta më largpamësi”. Fryt i këtyre planeve e i kësaj largpamësie është alfabeti,
që unë e ti - dëgjues të dashur - e përdorim çdo ditë, duke e harruar krejt se na
e dhuroi një Burrë i madh, që quhej Imzot Prengë Doçi. Por, njëkohësisht me Prelatin
e Mirditës, nuk mund të mos kujtojmë edhe rolin që luajti në tribunën e Manastirit,
një frat françeskan, Atë Gjergj Fishta. Shfletojmë ditarin e Kongresit, Dita II,
vjeshtë e tretë, e diel: “Atë Gjergj Fishta, delegat i Shoqnisë ‘Bashkimi’ në Shkodrë,
mbajti një fjalë plot zjarr mi vetijat e mira dhe mi nevojat e Shqipetarëve dhe gëzoi
veshët e gjith dëgjonjësit”- shkruhet. Në sa në ditarin e së hënës, lexojmë: “Atë
Fishta, pastaj, me atë fuqi së fjalës që e ka të veten, tha se çëdo që është i dërguar
prej Shoqnisë Bashkimi, s’ka ardhur për të mbrojtur atë abcë, por për të gjetur një
mënyrë, që të bashkohemi të tërë.” (LEKA, 1937, 8-12, fq 358). Shkruan Petrota
në veprën “Popolo, Lingua e Letteratura Albanese: “Si gojtar ai (Fishta) ua kalon
të gjithë oratorëve shqiptarë; për këtë arsye u zgjodh kryetar i Komisionit në Kongresin
e Manastirit, ku foli për më se një orë e gjysëm, duke bindur e duke tërhequr admirimin
e të pranishmëve” (Palermo, 1931, fq. 335). Fjala e Atë Gjergjit, kujtojnë ata,
që ishin të pranishëm, i preku të gjithë pjesëmarrësit aq, sa një hoxhë rendi ta përqafonte
para të gjithë atyre që, me votë të njëzëshme, vendosën ta lënë mënjanë Alfabetin
e Stambollit dhe ta shkruajnë gjuhën shqipe me alfabetin latin, me 36 shkronja, që
përdoret edhe sot e kësaj dite. Vendosën edhe që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres
i dytë, në Janinë… I frymë paksa pluhurit të harresës që, me a pa dashje, vijon
të dyndet mbi disa figura e ngjarje të ndritura, duke i përtëritur këto kujtime, shkruar
me shkronjat e atij alfabeti, që 105 vjet më parë u vulos në Kongresin, kryetar i
të cilit ishte Mit’hat Frashëri, i biri i Abdylit; sekretare e Komisionit, Parashqevi
Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë; nënkryetar, Grigor Cilka nga Korça
e që pati edhe 11 anëtarë të tjerë – përfaqësues të të gjitha viseve të Kombit shqiptar,
gegë e toskë, myslimanë, ortodoksë e katolikë, mbledhur së bashku “si kokrrat në shegë”
do të shkruante atë Fishta, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar!