2013-11-13 15:42:59

“Brenga ime shqiptare”: libri i Aldo Renato Terrusi-t dëshmon edhe një herë tmerret e komunizmit në Shqipëri


Komunizmi, persekutimi, burgu i Burrelit, varre qe nuk dihet ku jane, mundime, internime e tmerre. Të gjitha këto fjalë, në dukje të vjetra, por jo të harruara, mbushën dje një sallë të komunës së Romës, në qendër të kryeqytetit italian, ku Aldo Renato Terrusi paraqiti përkthimin në shqip të librit të tij “Ritorno al Paese delle Aquile” (Kthimi në vendin e shqiponjave). I ndryshëm titulli në shqip, por më domethënës. Libri “Brenga ime shqiptare” tregon fatin e një familjeje italiane, e cila përfundoi në Shqipëri, gjatë kohës kur vendi ishte protektorat i Italisë; punoi për atë vend, por menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, mori pjesë në kalvarin e persekutimit shqiptar.RealAudioMP3
Libri është një shtegtim në kërkim të origjinës dhe historisë së Aldo Renato Terrusit, i cili lindi në Shqipëri. Aldo ishte kërthi, kur regjimi i Enver Hoxhës ia burgosi të atin në burgun famëkeq të Burrelit, ku edhe vdiq, pa mundur t’i jepte përshëndetjen e fundit të birit dhe të shoqes, riatdhesuar në Itali. Me këtë libër, Aldo e bën lexuesin të rijetojë ngjarjet dramatike të faqes historike më të zymtë të vendit të shqiponjave. Ta dëgjojmë në mikrofonin e Klaudia Bumçit…
Është historia e një familjeje, që ka kaluar nga Egjipti, në Turqi, në Greqi e pastaj në Shqipëri, ku mendonin se ishin të sigurtë, për shkak të protektoratit italian. Fatkeqësisht, qëlluan në Gjirokastër, ku nëna ime, Aurelia u njoh me Enver Hoxhën. Ajo ishte 17 vjeçe e ai djalë 25 vjeçar, prandaj iu afrua për të dalë me të e madje u prezantua edhe me familjen. Por si nëna ime Aurelia, ashtu edhe familja nuk ishin dakord që ata të frekuentoheshin. Megjithatë, ai vazhdoi ta kontaktonte e u mundua ta bënte për vete me idetë e Marksit e të Engelsit, por nëna ime u largua edhe më tepër prej tij. U martua me tim atë, Giuseppe Terrusi, që në atë kohë, ishte drejtor i Bankës së Vlorës. Familja jetoi në Shqipëri e im atë mbrojti paratë e bankës nga gjermanët, xhaxhai luante futboll në kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa gjyshi ndërtonte ura. Pavarësisht nga kjo, ne, si familje u riatdhesuam në Itali në vitin 1949, ndërsa im atë u arrestua dhe vdiq në vitin 1952 në burgun e Burrelit. U akuzua se ishte fashist, por kishte vetëm pasaportën me vulën e fashos, sepse përndryshe nuk mund të qarkullonte; u akuzua se ua dha paratë e bankës gjermanëve, por e vërteta është krejt ndryshe, ai i ruajti ato dhe ua dorëzoi shqiptarëve; u akuzua se rekrutonte shqiptarë për t’i çuar të luftonin në Itali, por edhe kjo nuk është e vërtetë. Nëna ime, Aurelia u mundua të kontaktonte mikun e rinisë për t’i kërkuar drejtësi për tim atë, por Enver Hoxha nuk e priti dhe i çoi fjalë se nuk mund të bënte asgjë, pasi për shkak të pozicionit që kishte, do të interpretohej si lëshim. Unë nuk e di ku është varri i tim eti. Di se ndodhet brenda burgut të Burrelit, ku vdiq nga zemra, pasi vuajti pa faj, prandaj i bëj thirrje qeverisë shqiptare të bëjë ç’është e mundur për t’i dhënë atij dhe të gjithë të humburve në Burrel, një varr të vërtetë.

Në paraqitjen e librit, moderuar nga drejtoresha e gazetës “Shqiptari i Italisë”, Keti Biçoku, morën pjesë edhe presidenti i shoqatës “Syri i Kaltër”, ish-ambasadori italian në Shqipëri, Mario Bova, ambasadori i Shqipërisë në Itali, Neritan Ceka, përfaqësuesi i bashkësisë shqiptare në komunën e Romës, Edmond Godo, kryetari i shoqatës së ish-të përndjekurve në Shqipëri, Simon Mirakaj dhe Eugjen Merlika. Duke bërë tonën thirrjen e Aldo Terrusit për gjetjen e varrit të të atit, e pyetëm ambasadorin Ceka ç’mund të bëjë qeveria shqiptare….RealAudioMP3

Cila është gjendja aktuale e ish-të përndjekurve? Cilat janë statistikat? Në mikrofonin tonë, kryetari i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri, Simon Mirakaj…RealAudioMP3

Në vitin 1993, Papa Gjon Pali II i pati kërkuar popullit shqiptar të mos jetojë me të kaluarën, por të mos e harrojë, që tmerre të tilla të mos ndodhin më. Një koment i Eugjen Merlikës, nip i ish-kryeministrit Mustafa Kruja, dëshmitar i persekutimit komunist…RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.