2013-11-13 15:43:38

Papa në audiencën e përgjithshme: Pagëzimi është kartë identiteti e të krishterit. Thirrje për Sirinë e Filipinet


“Betejat e vërteta për t’u luftuar janë në mbrojtje të jetës, kurrë të vdekjes!”. Me këtë pohim e përfundoi sot Papa audiencën e përgjithshme, duke kujtuar atentatin e dy ditëve më parë në Damask, gjatë të cilit mbetën të vrarë dy fëmijë, si dhe katastrofën humanitare në Filipine, pas tufanit të tmerrshëm Haiyan. Katekizmin e audiencës Papa ia kushtoi Pagëzimit dhe Rrëfimit, Sakramente të lindjes e të rilindjes në Kishë.

“Ju lutem!”. Përballë artilerisë, e cila grin e korr fëmijët, që shkojnë në shkollë, si të ishin armiqtë më të rrezikshëm, Papa Françesku paraqitet me thirrjen më të çarmatosur. Audienca e përgjithshme ishte në përfundim e sipër, kur fjalët e Atit të Shenjtë hapën, para syve të rreth 50 mijë shtegtarëve mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, një nga faqet e panumërta rrënqethëse, që shkruhen këto ditë mbi trojet siriane, atë të masakrës së nxënësve të pafajshëm të Damaskut, të vrarë dje nga të shtënat e mortajave:
“Ju lutem, të mos përsëriten kurrë më këto tragjedi! Të lutemi fort. Këto ditë po lutemi e po bashkojmë forcat për t’i ndihmuar vëllezërit e motrat tona të Filipineve, dëmtuar rëndë nga tufani i tmerrshëm. Këto janë beteja të vërteta për t’u luftuar. Luftë për jetën! Kurrë për vdekjen!”.
Thirrja për jetën, kundër vdekjes e Papës Françesku ishte e pranishme, në një mënyrë tjetër, edhe në katekizmin e audiencës së sotme. Duke pasur parasysh shprehjen e Besojmës: “Dëshmoj një Pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve”, Papa foli për tri shtyllat, mbi të cilat mbështetet. Shtylla e parë, theksoi, është folja “dëshmoj”. Duke e shqiptuar, shpjegoi, pohojmë identitetin tonë si bij të Zotit:
“Pagëzimi, në një farë kuptimi, është karta e identitetit e të krishterit, akti i tij i lindjes. Akt i lindjes në Kishë. Të gjithë e dini ditën, kur u lindët. Ditëlindja e parë është dita e daljes në jetë e kjo është ditëlindja në Kishë: është dita e lindjes për Kishën”.
Pak më vonë, në bisedë me besimtarët e gjuhës franceze e duke parafrazuar një nga shprehjet, që i pëlqen ta përsërisë, Papa theksoi:
“Gjatë gjithë jetës, mos lejoni t’jua rrëmbejnë identitetin tuaj të krishterë!”.
Nëse, pra, në jetën e krishterë kemi dy ditëlindje, ditëlindjen e dytë mund ta përsërisim sa herë gjunjëzohemi në rrëfyestore, për Sakramentin e Pajtimit:
“Kur shkojmë për të rrëfyer ligështitë tona, mëkatet tona, nisemi për të kërkuar ndjesën e Jezusit; e nisemi edhe për të përtërirë Pagëzimin me këtë falje, e kjo është e bukur! Është njëlloj si ta kremtosh ditën e Pagëzimit sa herë që rrëfehesh. E kështu, pra, rrëfimi nuk është seancë në një sallë torturash. Është festë, për të kremtuar Ditën e Pagëzimit. Rrëfimi është për të pagëzuarit. Për ta mbajtur të pastër petkun e bardhë të dinjitetit tonë të krishterë”.
I krishteri, kur thotë Besojmën, dëshmon ‘një Pagëzim të vetëm’: e kjo është shtylla e dytë, që kujtoi Papa Françesku. Pagëzim, shpjegoi, do të thotë “zhytje në ujë”, do të thotë pastrim, që të rilind e të ndriçon:
“Rilindje, sepse realizohet ajo lindje nga uji e nga Shpirti Shenjt, pa të cilën askush nuk mund të hyjë në mbretërinë e qiellit. Ndriçim, sepse përmes Pagëzimit, njeriu mbushet përplot me hirin e Krishtit, ‘dritë e vërtetë, që ndriçon çdo njeri e dëbon errësirën e mëkatit’. E prandaj në kremtimin e Pagëzimit, prindërve u jepet një qiri i ndezur, që simbolizon pikërisht këtë ndriçim. Pagëzimi na e ndriçon shpirtin me dritën e Krishtit”.
Shtylla e tretë është ajo e “dëshmimit të një Pagëzimi të vetëm për faljen e mëkateve”. E këtu Papa Françesku ritheksoi vlerën e Rrëfimit. Unë nuk mund të pagëzohem dy, tri, katër herë, vërejti, por për t’u rrëfyer, mundem, e Rrëfimi është Pagëzim i dytë, i tretë...:
“Zoti Jezus është tepër i mirë, nuk lodhet kurrë duke falur. Më fal! Mbajeni mend mirë këtë, e? Pagëzimi na hap portën për të hyrë në Kishë. Aty e kërkoj datën e Pagëzimit tim, por edhe kur porta na mbyllet paksa, për shkak të ligështive tona, të mëkateve tona, Rrëfimi na e hap përsëri, sepse Rrëfimi është si Pagëzim i dytë, që na i fal të gjitha ligështitë e na ndriçon rrugën për të ecur përpara, me dritën e Zotit”.
Në përfundim të audiencës, Papa Françesku përshëndeti përzemërsisht familjarët e viktimave të masakrës së Nasirisë, dhjetë vjet më parë, të shoqëruar nga ipeshkvi ushtarak për Italinë, Imzot Marçiano, e, në mënyrë të posaçme, Grupin e italianëve të prekur nga sëmundje të rralla, shoqëruar nga kryetari i Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, imzot Zimovski dhe Grupin përfaqësues të Bashkimit të të verbërve nga Vibo Valentia, me ipeshkvin e tyre, imzot Renzo.













All the contents on this site are copyrighted ©.