2013-11-13 15:44:01

P. Kovalçik, për 20 vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Krijuesi i botës së dukshme


“Hyji është Krijues i botës së dukshme”. Na e kujton Katekizmi i Kishës Katolike, e na e shpjegon jezuiti, atë Kovalçik, në bisedën e 20-të të ciklit, kushtuar 20 vjetorit të botimit të veprës madhore.

Zoti është krijues i qiellit e i tokës, me fjalë të tjera, i botës së dukshme e të padukshme. Libri i Zanafillës flet për krijimin e botës materiale. Natyrisht është fjala për paraqitjen simbolike të shtatë ditëve, që nuk na tregojnë të vërtetën kozmologjike dhe historinë natyrore, por të vërtetat teologjike, të cilat kanë të bëjnë me shpëtimin tonë.
Në Katekizëm gjejmë listën e këtyre të vërtetave: 1. S’ka gjë, që të mos e ketë jetën nga Zoti Krijues. 2. Çdo krijesë ka mirësinë e vet e përsosurinë e vet. 3. Është vetë Zoti ai, që e dëshiron ndërvarjen e krijesave. 4. Njeriu është maja e veprës së krijimit. 5. Dita e shtatë i kushtohet Zotit. (cfr.KKK, 338ss).
Në rrëfimin e Zanafillës mbi krijimin, përsëritet, si refren, fraza: “E Hyji e pa se ishte gjë e mirë!”. Kjo tregon se krijesat e ndryshme e pasqyrojnë, secila sipas mënyrës së vet, mirësinë e Hyjit. Prandaj, lexojmë në Katekizëm, njeriu duhet ta respektojë mirësinë e veçantë të çdo krijese, për të shmangur përdorimin e çrregullt të sendeve, gjë që përbuz Krijuesin (KKK 339). Por ky respekt nuk ka asgjë të përbashkët me disa ideologji ekologjiste, të përhapura në kohët tona.
Shën Injaci i Lojolës, në Ushtrimet e tij Shpirtërore, na jep një parim, që e shpreh mirë kuptimin e krijimit: “Njeriu u krijua për ta lavdëruar Zotin e për t’i shërbyer, duke shpëtuar, kështu, shpirtin. E gjërat e tjera mbi fytyrë të tokës u krijuan për njeriun, që ta ndihmojnë të arrijë qëllimin, për të cilin u përftua”.
Gjërat tjera mund të na ndihmojnë të arrijmë tek Zoti. Për shembull, përmes bukurisë së tyre, që pasqyron lumninë e Krijuesit. Bukuria e krijuar e ajo hyjnore bashkohen përsosurisht në Jezu Krishtin. Ta kundrojmë, prandaj, fytyrën e Tij, të dukshme në Ungjijtë, që Ai të na e zbulojë misterin e universit.








All the contents on this site are copyrighted ©.