2013-11-12 16:18:42

Tufani në Filipine. Lotët e Kardinalit Tagle, që thotë: feja dhe dashuria janë më të forta se rrënimi


Bota i ka kthyer sytë drejt Filipineve, që u goditën rëndë nga tufani Hajan. Pas fatkeqësisë, që shkaktoi më se 10 milionë të vdekur, është vënë në lëvizje makina e ndihmave lokale e ndërkombëtare për më se 10 milionë të pastrehë, 4 milionë prej të të cilëve janë fëmijë, sipas UNICEF-it. Tufani, që është larguar nga Filipinet, ka shkaktuar rrënime edhe në Vietnam e Kinë, duke shkaktuar 9 viktima.
Pamjet që vijnë nga qendra dhe jugu i Filipineve janë pamjet e dëshpërimit të atyre që kanë humbur gjithçka: të dashurit, shtëpinë e çdo siguri konkrete. Organizatat lokale, si Caritas-i, janë vënë në lëvizje për të siguruar ujë, ushqim, ilaçe dhe ndihmën e parë për të mbijetuarit. Janë ngritur kampe dhe spitale kampi për të mbijetuarit, ndërsa numri i të vdekurve dhe i trupave të gjetur është ende e paqartë. Të gjithë kanë frikë se, në fund, bilanci do të jetë më i frikshëm se ç’duket tani. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe kanë dërguar anije ushtarake me njerëz e ndihma, ndërsa kudo janë ndarë shuma parash dhe kanë filluar mbledhjet e ndihmave financiare. Kujtojmë se njëri ndër të parët që iu përgjigjën nevojave të popullsisë të goditur që Papa Françesku, që, nëpërmjet Këshillit Papnor Cor Unum, dërgoi shifrën prej 150 mijë eurosh. Të gjitha bashkësitë e filipinasve nëpër botë janë vënë në lëvizje për të ndihmuar vëllezërit në atdhe, me anë të lutjes dhe solidaritetit konkret. Konferenca Ipeshkvore e Filipineve i ka ftuar të gjithë besimtarët të marrin pjesë në novenën e caktuar për t’iu lutur Zotit që të mbrojë e të mbështesë popullsinë e goditur.
Për të kuptuar më mirë si po përjetohet kjo katastrofë në Filipine, Radio Vatikani ka intervistuar Kardinalin e Manilës Luis Antonio Tagle:
Mendoj se nuk jam i vetëm, kur them se sa herë shohim pamjet e shkatërrimit, mbesim pa fjalë. Ende duhet ta marrim veten nga tronditja emotive e psikologjike. Ne, që jemi këtu në Manila e në zonat që nuk janë goditur aq rëndë sa të tjerat, mjafton të shohim pamjet dhe mbetemi pa fjalë. Nuk arrij të marr me mend çfarë kalon në mendjen e atyre që gjenden atje. Ndjej një ngushëllim të thellë, kur shoh e dëgjoj dëshmitë e fesë, veçanërisht kur vijnë prej vetë viktimave. Ata që i kanë të dashurit e tyre, pronën e tyre, i drejtohen Hyjit e thonë: ”Besojmë tek Hyji. E dimë se me ndihmën e Hyjit mund të mbijetojmë”.
Ma merr mendja se keni folur me anëtarët e kishave që janë në zonat e goditura më fort. Çfarë kanë thënë në lidhje me ndihmën që po përpiqet t’u japë Kisha në këtë përpjekje të dëshpëruar për t’u siguruar ujin dhe ushqimin të mbijetuarve?
Edhe kishat vendore nëpër ato krahina kanë pësuar shumë humbje. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e ndihmave të dhëna nga Kisha nuk vjen prej atyre dioqezave, por nga jashtë. Tani për tani, me arkidioqezën e Manilës dhe dioqezat që janë afër nesh, me Komisionin ipeshkvnor dhe aksionin social të Caritas-it të Filipineve, jemi duke koordinuar përpjekjet më të mëdha për të arritur tek ata njerëz, ku nuk kanë arritur vetë barinjtë e tyre.
Rrënimi është aq i madh, saqë shumë veta atje kanë frikë se disa mund të vdesin jo për shkak të pasojave të drejtpërdrejta të tufanit, por sepse nuk do të kenë ushqim e ujë, apo ilaçet e domosdoshme, në këtë periudhën që vjen menjëherë pas tragjedisë…
Po, kjo është një mundësi reale. Ja pse njerëzit e Kishës, organizatat joqeveritare, agjencitë qeveritare dhe edhe ushtria, pra të gjithë ne, po përpiqemi të bëjmë çfarë të mundemi për të arritur kudo e për të ofruar ndihmë. Nuk është gjithmonë e lehtë, port ë gjithë po përpiqen të bëjnë sa munden. Është me të vërtetë gjendje urgjence, madje mund të themi se për disa është moment paniku.
A keni vënë re nëse ka solidaritet të fortë nga ana e laikëve të Manilës e të zonave të tjera, që nuk janë goditur kaq rëndë, për të ndihmuar të goditurit?
Ky është një burim ngushëllimi të fortë e burim force. Para këtij tufani kemi pësuar tërmetin, që ka goditur pjesën qendrore të vendit, shumë afër Leytes e Samarit, ishujt që u goditën tani. Përsiatja jonë vijon në këtë linjë: shohim shkatërrim e rrënim kudo, por shohim edhe fenë dhe dashurinë, që ngrihet mbi këto rrënoja, e kjo na bën njerëz më të fortë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë: të gjithë, Atin e Shenjtë, nënat e motrat jashtë shtetit, se janë kujtuar për ne e janë përpjekur për të bërë çfarë është e mundur për të na gjetur. Në emër të viktimave dhe të të varfërve, ju falënderojmë, ju falënderojmë me të vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.